Debate të forta në studion e Repolitix në Report Tv mbrëmjen e sotme.
Diskutimet përplasën të ftuarit në lidhje me SPAK-un dhe GJKKO-në, si dhe kërcënimet që Berisha dhe Rama i kanë bërë ditët e fundit.
Arian Galdini mendon se Berisha bën fushatë politike me SPAK, pasi nuk ka mundësi reale për ta shkrirë. Madje ai thotë se Rama kërkon pjesën e tij te drejtësia dhe reforma ka nisur vërtetë nga PS më 2013 dhe në vijim, pasi kryeministri donte ta kontrollonte vetë. Sipas Galdinit, së shpejti SHBA do e rimarrë në dorë SPAK-un.
“Berisha kujton se SPAK është Rripi i Gazës për të cilin ka folur Trump se do e shkrijë. Nuk mendoj se e kërkon këtë, është fushatë elektorale. Mendoj se nuk e kanë fuqinë, madje as e kanë pasur dhe as do e kenë. Unë mendoj se reforma në drejtësi është ideuar nga Edi Rama, se e donte për vete që ta kontrollonte. Meqë drejtësia ishte bërë nga Nano, Berisha dhe Meta, ai donte pjesën e tij dhe kërkoi ndihmën e partnerëve për të bërë këtë turbullirë të madhe dhe për ta pasur në dorë drejtësinë. Por ama nuk e kontrollon dot drejtësinë. SHBA do e shfaqi natyrën e saj shumë shpejt. Trump do e rikthejë Amerikën në rolin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Unë mendoj se struktura e re e drejtësisë, SPAK, do jetë në duart e SHBA-ve. Rama dhe Berisha janë në ditët e tyre më të këqija. Hera e parë që PS hyn në listë me kandidatë për deputetë me apel burgu. Unë mendoj se SPAK do punoj deri më 11 Maj dhe këta s'do e ndalin dot”, thotë Galdini.
Idajet Beqiri ndau mendimin se në SPAK dhe GJKKO ka disa individë që i shërbejnë politikës dhe sabotojnë punën e institucionit. Por pavarësisht kësaj drejtësia do vijojë, edhe pse ngjarjet e 6 ditëve të fundit sipas tij, ia kanë rrëzuar imazhin drejtësisë së re deri nën 50% nga rreth 90% që ishte më parë.
“Rama dhe Berisha në pikëpamjen institucionale të tyre, nuk ka ndikim te SPAK dhe GJKKO. Por te individë të caktuar brenda këtyre strukturave, Berisha ka njerëzit e vetë, ka ndikim te disa njerëz të vetë. Nuk bëjnë politikën në institucion, por vënë shkopinj nën rrota, e sabotojnë SPAK, e nxjerrin nga shinat normale. I bie reputacioni nga 90% dhe në gjashtë ditë shkon nën 50%. Ka rënë këto ditë. Që do të thotë se probleme brenda këtyre strukturave ka. Ato që thotë Berisha për SPAK-un them se ai nuk i beson as vetë ato. Në pushtet mund të vijë, por kurrë me 94 vota, Kushtetutën s’e ndryshon dot. PS nuk e mbyt dot krijesën e vetë, se po mbyti atë, mbyt edhe veten. Ndaj fitoi më 2013, se do bënte reformën në drejtësi. SPAK ka ngritur stekën, të tërë po binden se para ligjit do jenë të barabartë të gjithë. Nuk rikthehet kurrën e kurrës më te Saliu”, shprehet avokati.
Më tej shpjegon edhe sjelljen e Berishës me dy standarde dhe arsyet pse kërcënon SPAK-un, duke kujtuar se ish-kryeministri ka hallin se po i afrohen hetimet ndaj djalit për Gërdecin dhe vajzës për Fazlliçin dhe Lazareviçin.
“Për mbështetësit e Veliajt ai reagoi e tha kanë shkuar s’po lënë gjyqtarët të punojnë. Të nesërmen del e thotë se do e shkrijë. Ka deficenca personale dhe jo mendore. Sa shikon se Gërdeci do ia marri Shkëlzenin shumë shpejt, sa merr vesh se edhe Argita ka kaluar nën hetim për lidhjet me Fazlliç dhe Lazarevic, ai del e thotë do e shkrij SPAK-un. Ti duke thënë se do e shkrij humbet shumë. Arrestimi i Erion Veliajt ishte politik. Saliu i dha 108 mln euro Fazlliçit me vendim qeverie dhe mori vetë miliona të tjera, ju merreni me 75 mijë euro fustane dhe brekë, e kuptoni ku jeni ju? (i drejtohet Logut). Kurse për çështjen e bufit që publikon Rama, duhet të dini se personifikimi që i bën Berishës do të thotë se e ka si hajmali, se e ka mundur dhe do e mundë përsëri. Bufi nuk është shpend i keq, është i butë dhe mbahet si hajmali dhe Rama ia thotë me mesazh”, thekson Beqiri.
Por Logu e kundërshtoi Beqirit për sondazhet e SPAK, duke e cilësuar PS si organizatë kriminale. Ai mbrojti Berishën për kërcënimet ndaj SPAK-ut, duke thënë se i ka bërë deklarata në gjaknxehtësi:
“Rama i hoqi dritat në GJKKO, i tha mesazhin se ju fik llambat. Bllokuan rrugën e prokurorit. Administratë që shkoi në orarin e punës në tubim te GJKKO. Veliaj është zyrtari i parë që arrestohet në zyrë, sepse ishte i rrezikshëm. PS është organizatë kriminale. Berisha deklaratën për SPAK e ka thënë në nxitim e gjaknxehtësi. Por qëndrimi i PD është se drejtësia do rishikohet nën kujdesin e Komisionit të Venecias”.
Kurse analisti Endri Tafani mendon se ata po përgatisin bashkëpunimin e radhës.
“Deklaratat Berisha dhe Rama ndaj njëri-tjetrit dhe SPAK kanë të bëjnë me marrëveshjen e radhës mes tyre. Po përgatisin marrëveshje bashkëpunimi, ashtu siç bënë edhe me Kodin Zgjedhor, Disaporën dhe të tjera. Berisha po bën 34 vite, po ia kalon edhe Enverit. Berisha i ka sulmuar të gjithë prokurorët, ka qenë i pafat me ta, me Sollakun, Haxhinë etj., ose mbase kanë ngrënë kumbulla pas kurrizit të tij, si këta të Ramës”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Protesta për Veliajn/ Beqiri: Kreu i GJKKO s’i çoi shkresë SHBA e Britanisë sepse i kanë shpallur ‘non grata’ Berishën, i politizuar! Galdini: SHBA nuk ikën! Tafani: Trump u tërhoq! Logu: Rama bën fushatë
A.Q/ReportTv.al
