Beqiri, kampionia që atletikën e nisi si hobi: Këtu nuk ka kushte, por çdo gjë arrihet me vullnet!

6 Shkurt 2021, 10:17| Përditesimi: 6 Shkurt 2021, 10:32

  • Share

Quhet Iljana Beqiri dhe karrierën në atletikë e ka nisur për pasion, por sot është kampionia kombëtare në garën e 400 metrave. 21-vjeçarja nuk neglizhon asnjë stërvitje, me objektivin që një ditë të fitojë medalje për Shqipërinë. Për Report Tv Iljana tregon se si nisi të merret me atletikën dhe kush ishte qëllimi fillestar i saj.

“Kur unë kam filluar të merrem me këtë sport kam qenë 11-12 vjeçe dhe nuk kam qenë e qartë nëse do ta ndiqja profesionalisht apo thjesht si një lojë. Por kur vitet kaluan dhe familja vazhdoi të më mbështeste unë erdha te ekipi i Tiranës dhe vazhdova ta ndjek në mënyrë profesionale,”-shprehet atletja.

Iljana më pas tregon se kush e mbështet më së shumti që të meret me atletikën:

“Njerëzit që mbështesin më shumë janë familjarët e mi, që edhe pse nuk vij nga një familje sportistësh, përsëri ata kanë qenë mbështetja ime më e madhe. Mbështetja tjetër shumë e madhe ka qenë nga trajneri im.”

21-vjeçarja më tej tregon se të bësh atletikë në Shqipëri është më e vështirë se në çdo vend tjetër të botës.

“Të bësh atletikë është e vështirë në çdo vend të botës jo vetëm në Shqipëri, por këtu ta bën më të vështirë infrastktura. Ne nuk kemi një stadium ku të stërvitemi këtu në Tiranë dhe detyrohemi që stërvitjet kryesore ti bëjmë në Elbasan ose tek Liqeni pavarësisht se është e vështirë, pasi kalojnë njerëz dhe nuk të kuptojnë çfarë sporti bën ti,”-deklaron ajo.

Përsa i përket titullit kampion në 400 metra Iljana thotë se qëlloi të ishte dita perfekte e saj.

“Që të bësh një garë të mirë, përveç kushteve fizike të trupit duhet të gjesh kushtet e kohës, të jetë dita jote më e mirë, që të gjitha të përshtaten dhe t’i të bësh garën më të mirë. Sigurisht që është e vështirë të stërvitesh çdo ditë për një garë në vit, që është 1 minutë, por me shumë punë dhe përkushtim çdo gjë arrihet,”-thotë 21-vjeçarja. 

Në të ardhmen Iljana nuk do të jetë vetëm praktikuese e sportit, por do t’ua trashëgojë atë edhe brezave të rinj.

“Unë merem vetëm me sport dhe gjithashtu ndjek edhe universitetin e sportit të Tiranës. Pra jeta imë është e përkushtuar vetëm ndaj sportit,”-shprehet Iljana. 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?