Sali Berisha nxiu Shqipërinë në Bruksel më keq edhe se çfarë bëjnë serbët ndaj shqiptarëve. Ai erdhi në pushtet prej tyre dhe po ikën nga politika si një agjent serb.
Ky ishte komenti që bëri mes të tjerash sot avokati Idajet Beqiri në ‘Studio Live’ të Report Tv, duke analizuar fjalimet që mbajti kreu i PD-së në Asamblenë e Parlamentin Evropian dhe PPE-të, ku foli për narkoshtet dhe vjedhje votash.
Në studio nuk mungoi edhe debati i fortë mes Beqirit dhe avokatit tjetër të ftuar, Fatmir Merkoçi, teksa ndanin mendime të kundërta për situatën politike.
Ndërsa moderatori Arbër Hitaj e pyeti në lidhje me mendimin që avokati kishte për fjalimet e Berishës,ai u përgjigj:
“Sa bëhet gati Shqipëria për integrimin në BE, hidhen menjëherë agjenturat serbe, sepse i ka brenda Serbia agjentët e saj në Shqipëri. Një njeri që vete dhe nxin Shqipërinë atje në Bruksel, në kryeqytetin e Europës. Ne e dimë që Berisha është agjent i serbëve, se ata e sollën në pushtet më 1992, ata e sollën në pushtet, pa ata nuk bënte dot as masakrën e Shkodrës më 1992, as grushtin e shtetit më 1998, as trazirat e vitit 1997 ku mobilizoi veriun e Shqipërisë kundër Jugut, vetëm me ndihmën e tyre e bëri. Por të arrish deri këtu sa të nxish Shqipërinë në Bruksel, është e papranueshme. Ai e mori një dënim më 11 maj. Ai dhe familja e tij janë pjesë e strukturave të agjenturës serbe, dihet dhe është e provuar kjo tani se ai është pjesë e tyre, madje edhe familjarët e bashkëshortes së Berishës kanë qenë pjesë e agjenturave të Serbisë. Berisha përdori një gjuhë më të ashpër edhe se serbët atje në Parlamentin Europian ndaj Shqipërisë”.
Kurse akuzave të Berishës për farsën elektorale dhe manipulimin e zgjedhjeve, Beqiri nënvizoi se duhen prova konkrete dhe prova më e madhe për Berishën ishte vota kundër që shqiptarët i dhanë më 11 maj, sikurse edhe tre humbjet e tjera që ka marrë që nga viti 2013.
“Kur flet për manipulim të provave apo farsë elektorale nuk duhet të bësh thashetheme rruge, por të kesh prova. 11 maji ishte goditje vdekjeprurëse ndaj PD-së, që nga 1992 e më pas, teksa iu desh të bënte edhe 1997-ën. Por nga 2013 dhe tani ka marrë 4 humbje radhazi. Por këta nuk i pranojnë humbjet, berisha kurrë s’i ka pranuar. Kemi raportet, kemi edhe vendimet e KAS, ata thonë se s’ka manipulime, ua rrëzon të gjitha ankimimet se s’ka asnjë shkelje të vogël. PD krijon stuhi në gotë. Ditë më të bukur se 11 maji nuk ka pasur kurrë për shqiptarët. Berisha erdhi dhe po ikën si agjent i Serbisë. Tani nuk vriten më njerëz në rrugë siç i vrau ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, që erdhi në pushtet me ndihmën e serbëve duke vrarë më 1991 në Shkodër apo ata që vrau më 1991”, u shpreh ai për Report Tv.
Për Beqirin është e kotë që të lakosh emrat që mund të jenë pasuesit e Berishës në Partinë Demokratike, sepse ajo parti do mbetet e familjes dhe gjithashtu një “alternativë e vdekur”.
“PD është kthyer në parti familjare. Partia është e Berishës, fryma atje është një për Berishën, janë të gjithë një ata. Ajo parti është alternativë e vdekur, nuk ngjallet më. Duhet një opozitë alternative qeverisëse jashtë PD-së. Opozita duhet reformuar”, tha avokati.
Ndërsa avokati tjetër i ftuar në studio, Fatmir Merkoçi, ndau mendimin se pati manipulim të votave, por opozita ishte e paaftë që ta ndalonte, pasi i kishte mbushur listat e sigurta me humbës si Belind Këlliçi.
Sipas tij, të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve duhet të dorëhiqen pas dështimit, kurse për dorëheqjen e Berishës nuk ndau mendim përfundimtar, duke abstenuar, pasi e konsideroi një parti jo të djathtë PD-në.
“Berisha nuk foli me gjuhë zyrtare atje në Bruksel, ishte një gjuhë tavoline, nuk ishte në podium në Parlamentin Europian. Ishte te PPE-të dhe jo gjuhë zyrtare. Kemi raportet, për drogën dhe krimin. BE është si Kooperativë Bujqësore, ashtu është, pse duhet të hyjmë në një kooperativë. Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht, vendi më i varfër, pjesa më e madhe e popullsisë ka ikur, s’ke as industri dhe as bujqësi. Pse do hyjmë në BE, të bëhemi kazan plehrash. Që ka pasur manipulime, është e sigurt që ka pasur. Edhe treni bullgar është i vështirë për t’u kuptuar. Çështja është a e kishte opozita mundësinë për ta ndaluar këtë manipulim? Unë them se nuk e pati, sepse nuk e ndaloi dot. PD-së i mungon e djathta brenda, nuk ekziston, kjo ishe e meta e madhe e opozitës. Ti vete vë drejtues politik në Tiranë Belind Këlliçin! Ai doli me 60 mijë vota minus në Tiranë kur kandidoi, ti vete e fut në listë të sigurt. Të gjithë humbësit madje u futën në listën e sigurt. Unë mendoj se të 12 drejtuesit politikë të qarqeve duhet të japin dorëheqjen, pa përjashtim. Këta thonë të dorëhiqet Berisha, po këta që nuk reagojnë dhe që humbën”, tha Merkoçi.
Por a mund të ketë një pasues të ri për PD-në?
“Edhe emrat që përfliten për kreun e PD-së, kush nga këta kanë bërë lëvizje politike, të flasin për të djathtën, të bëjnë kritika? Këta i thonë “amin” Berishës. Këta nuk janë të aftë të bëjnë politikë, e quajnë pazar, “më jep, të jap”. Në Primaret e PD-së mua më vodhën edhe votat. Sa për Berishën ajo s’ështe parti e djathtë konservatore, ndaç të rrijë e ndaç të ikë, ajo është e qendrës, qisin armiq sa herë duan e të tjerë. Mua s’më intereson se çfarë bën Berisha”, përfundoi ai.
Çfarë po ndodh me dosjet e nxehta të drejtësisë?
Kjo ishte një nga pyetjet dhe tematikat e trajtuara sot në emisionin “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj, me dy avokatët e ftuar, Idajet Beqiri dhe Fatmir Merkoçi.
A po punon dejtësia e re me ritmet që kërkohen edhe nga publiku, apo ndodhet në një situatë ‘stanjacioni juridik’. Avokati Beqiri hodhi kritika të forta për gjendjen aktuale të SPAK-ut dhe GJKKO-së, ku vuri theksin te ngadalësimi i dosjeve të bujshme që kanë në objekt Berishën dhe familjen e tij, por edhe polemikat e shortit të fundit të dosjes së aferës “Partizani”, ku kryesuese e trupës gjykuese do jetë kushërira e deputetes së PD-së, Elsa Ulliri.
“SPAK po punon me hapa të ngadaltë, sidomos me dosjet e nxehta, për të mos thënë një hap para dhe dy mbrapa. Kemi dosjen e Gërdecit me Mediun që po ecën ngadalë, dosja e 21 Janarit për të cilën Gjykata e Lartë kërkoi rinisjen e hetimeve, kam parasysh dosjen e vëllezërve Haklaj në Tropojë, kallëzimi i Izet Haxhisë për 23 krimet e Sali Berishës, si sulmi ndaj ambasadës së SHBA-së dhe tentativën për të vrarë ish-ambasadoren Mariza Lino, vjedhjen e thesarit të Kërrabës me dy të dyshuarit Berisha dhe Meta, por edhe privatizimet në vend në industrinë e rëndë. Kemi hetimet për lobin serb në Shqipëri me familjen Berisha, si Fazlliç-Lazareviç me Argita dhe Sali Berishën dhe të tjerat. Të gjithë këto procese janë të hapura. Dhe duket se SPAK është frenuar dhe ka nisur që të demoralizohet, që po i vjen nga GJKKO, e cila është kapur nga politika dhe miqtë e Argita Berishës, pasi kanë pasur fitime marrëmendëse në këtë pjesë”, tha Beqiri për Report Tv.
Ai e mbështeti këtë tezë edhe mbi faktin e shortit të fundit për dosjen “Partizani”, që përzgjodhi gjyqtaren Ulliri, e cila rezulton kushërira e parë e deputetes së PD-së në Krujë, Andia Ulliri.
“Kjo tregon edhe shortin e spikatur të dosjes “Partizani”, ku del gjyqtarja Ulliri që i bie dosja, ku ka qartë konfliktin e interesit, e duhet të tërhiqej për të mos krijuar keqkuptim apo revoltë në masë. Që populli të mos dëgojë se kushërira e deputetes së PD-së do gjykojë Berishën, sepse kjo lë shumë për të dyshuar”, u shpreh avokati.
Kurse avokati Merkoçi e kundërshtoi, duke u shprehur se kur analizohet në këtë linjë, duket sikur SPAK është krijuar vetëm për Berishën.
“Nuk flitet për PPP-të, për prishjen e Teatrit Kombëtar, për inceneratorët, por flitet vetëm për ato që ka bërë Berisha. Po më duket sikur SPAK është krijuar vetëm për Sali Berishën, sipas retorikës së Beqirit”, tha ai.
Komente
