Megaoperacioni ‘Ura’, i zhvilluar nga Antimafia italiane e Barit, SPAK dhe autoritete të tjera ligjzbatuese, me 52 persona të akuzuar ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arresti për trafikimin e tonelatave të drogës dhe fitimeve miliona euro nga biznesi ilagel, ishte temë e diskutimit në emisionin ‘Repolitix’, mbrëmjen e sotme në Report Tv.
Të ftuar të moderatorit Denis Minga ishin ekspertët e sigurisë Fatjon Softa dhe Faik Basha, avokati Idajet Beqiri dhe gazetarja Aida Topalli.
Analiza u bazua në dosjen italiane nga Antimafia e Barit dhe gjykata e vendit fqinj, me 1400 faqe, pasi Prokuroria e Posaçme shqiptare ka dhënë vetëm informacione të rezervuara dhe jo me identitete të publikuara për median dhe opinionin për shkak të hetimit.
Avokati Idajet Beqiri dha detaje nga ky hetim i bujshëm nga Italia dhe Shqipëriapër çmontimin e kartelit kriminal, duke u shprehur se ende 12 urdhër-arresti janë pa ekzekutuar, kurse oficerët e BKH vijojnë me zbërthimin dhe dokumentimin e bisedave dhe provave në foto e filmime nga SKY ECC.
“Janë 12 masa sigurimi pa ekzekutuar dhe janë shumë, ndaj nuk publikohen emrat dhe mbahet sekret nga SPAK, sepse duhet pritur kapja e tyre për të mos dëmtuar hetimin. Krimi ka ndodhur në Itali dhe vende të tjera. Janë organizata kriminale që janë krijuar jashtë, ku kanë ushtruar aktivitetin. Madje edhe burimi i drogës është Amerika Latine dhe jo Shqipëria. Por të gjitha fitimet e këtyre anëtarëve të organizatës, ku shumë janë shqiptarë, sigurisht që do vijnë në Shqipëri. BKH është duke zbërthyer platformën e SKY ECC ku dalin informacione, prova, foto, filmime e të dhëna që po dëshifrohen. Pritet që SPAK të dali dhe ta detajojë, sigurisht, por të plotësohet njëherë hetimi dhe të ekzekutohen urdhrat”.
Aida Topalli tregoi detaje nga dosja dhe se cilët dyshohet se janë krerët e organizatës, me bazë në qytetin e Durrësit.
“Dy janë emrat më të lakuar si drejtues dhe të rëndësishëm të grupit shqiptar, ai që njihet si ‘Visi i Pojës’, pikërisht Elvis Doçi dhe më kryesori Adi Çoba, i njohur me pseudonimin ‘Bisha’, që e drejtonte nga Shqipëria kartelin dhe rekrutonte anëtarët për shitje dhe transport deri në Amerikën Latine. Ka tre bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë ndihmuar hetuesit, mes tyre edhe dëshmia e Nuredin Dumanit. Sipas këtij të fundit drejtues i grupit del Xhevdet Troplini. Ka 3 të arrestuar në Vlorë, pronarin e kompanisë së autobusëve në Fier dhe shoferët që transportonin miliona euro”, u shpreh gazetarja.
Eksperti Fatjon Softa u shpreh se grupi kriminal bënte blerje të drogës edhe me kriptomonedha, ku në një nga rastet e dosjes voluminoze flet për 500 mijë euro kripto të transferuara në Ekuador për një sasi droge.
“Komunikimet mes anëtarëve të grupit kanë qenë baza e hetimit që ka ngritur pala italiane. Thellimi ka vijuar pas zbërthimit të këtyre komunikimeve, serverave, me metoda të sofistikuara, shërbimeve teknologjike, pajisje të posaçme. Hetimet nisin nga viti 2021 dhe dalin disa detaje, ku një pjesë e transfertave janë bërë me monedha dixhitale, e në një rast janë dërguar 500 mijë euro në kripto për blerje droge në Amerikën Latinë, Ekuador”, tha eksperti.
Faik Basha tha se tani shqiptarët janë sipërmarrës të aktivitetit kriminal dhe jo më punëtorë të grupeve të tjera apo atyre italiane. Sipas tij bëhet fjalë për mafia dhe jo sindikatë, teksa vlerësoi SPAK për sjelljen profesionale në mospublikimin e detajeve që janë tagër i Italisë.
“Shqiptarët prej vitesh nuk janë më punëtorë të grupeve italiane, por edhe iniciatorë dhe sipërmarrës, kjo referuar hetimeve të autoriteteve italiane. SPAK nuk është magazinë ku ka 7 porta, ndaj duhet përgëzuar, pasi informacioni nuk del më nga 7 porta të tjera. Kjo dosje është tagër i Italisë dhe ndaj SPAK nuk mund ta ndajë me publikun. Nuk bëhet fjalë për sindikatë, por për mafia”, nënvizoi eksperti i sigurisë.
Komente
