Çelet ekspozita 'Italia në Telajo' me 35 piktura në Berat, piktori: Nëse do të shohësh shqiptarin e vertetë duhet të njohësh arbëreshët

3 Qershor 2023, 15:48| Përditesimi: 3 Qershor 2023, 16:03

  • Share

“Italia në telajo” është ekspozita e veçantë që u çel në qytetin e Beratit.

Janë 35 piktura të emrave më të zë të artit figurativ si Buron Kaceli, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Adrian Cene, Zhaneta Kadillari, Agron Polovina, Anila Zajmi e shumë të tjerë.

Frymëzuar nga natyra mahnitëse e vendit fqinj, ata sjellin për artdashësit një eksperiencë plot ngjyra të qendrave të rëndësishme të artit, si Roma, Firence, Milano, Venecia e veçanërisht nga Komunat Arbëreshe. Pikturat janë realizuar ndër vite, në kolonitë e artistëve, apo gjatë udhëtimeve individuale.

“Nëse do të shohësh shqiptarin e vertetë duhet të njohësh arbëreshët. Këtu është shtëpia muze e Jeronim De Radës dhe kjo është rrugica. Më frymëzon shumë zona e Kalabrisë…”, tha Nikolin Ivanaj, piktor.

Ekspozita vjen si bashkëpunim i Konsullatës së Italisë në Vlorë, Bashkisë Berat dhe Grupit të PleiAir-it, në kuadër të Javës Kulturore Italiane.

“Java e Kulturës Italiane po kthehet në traditë, nën kujdesin e ambasadës italiane në Tiranë. Ekspozita është një ndër aktivitet e shumta kulturore që zhvillojmë me qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit dhe komunikimi midis dy vendeve tona”, tha Iva Palmjeri konsulle e Italisë në Vlorë.

Përgjatë fundjavës turistët e shumtë dhe qytetarët beratas kanë mundësi ta vizitojnë ekspozitën “Italia në telajo” në galerinë “Edward Lear”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?