Përkujtohet në Berat 25-vjetori i rënies në krye të detyrës të ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, ‘Dëshmorit të Atdheut’ Arben Zylyftari.
Ditën e sotme (2 gusht), u zhvillua ceremonia përkujtimore, ku morën pjesë drejtori i policisë së qarkut, Luigji Vathi, familjarë të dëshmorit, pushtetarë vendorë, prefektja Valbona Zylyftari, njëkohësisht e afërme e ish-kryepolicit, qytetarë dhe të afërm.
Gjatë fjalës së tij, kryepolici Vathi vlerësoi veprën e ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Arben Zylyftari, i cili humbi jetën gjatë përballjes me elementët kriminalë në Shkodër, gjatë aksionit ku u sulmua fatalisht nga familja Tafili. Ai u shpreh se kujtimi i tij do të vlerësohet ndër breza dhe se emri i tij do të jetë gjithmonë pjesë e Policisë së Shtetit, pasi dha jetën për “të mbajtur të forta themelet e rendit dhe ligjit”.
Bashkëshortja dhe djali i Dëshmorit të Atdheut, gjatë fjalëve të tyre, kujtuan me mall familjarin e tyre dhe shprehën mirënjohje për drejtuesit e Policisë së Shtetit, “që kujtojnë ndër vite punonjësit që sakrifikuan jetën e tyre, për të mirën e të gjithëve”.
Në fund të ceremonisë, të panishmit vendosën kurora me lule në bustin e “Dëshmorit të Atdheut”, Arben Zylyftari, i cili ndodhet në sheshin kryesor të qytetit të Beratit.
Fjala e kryepolicit Luigj Vathi:
“Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar kujtimin e një burri që shërbeu me dinjitet, përkushtim dhe sakrificë të lartë për Policinë e Shtetit dhe shoqërinë shqiptare. Arben Zylyftari, emri i të cilit do të mbetet i skalitur përgjithmonë në memorien e institucionit tonë, dha jetën për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të mbajtur të forta themelet e rendit dhe ligjit.
Arbeni ishte shembulli më i qartë i një oficeri që e vuri detyrën mbi gjithçka. Ai e dinte se uniforma e Policisë nuk është thjesht një veshje, por një mision. Çdo sfidë e përballoi me guxim, duke qenë gjithmonë i bindur se sakrifica personale është çmimi i shtrenjtë që shpesh paguajnë ata që mbrojnë jetën e të tjerëve.
Sot kujtojmë jo vetëm humbjen e tij të parakohshme, por edhe vlerat që na la trashëgimi: ndershmërinë, profesionalizmin dhe dashurinë për vendin. Këto vlera janë busulla që do të udhëheqin brezat e policëve që do të vijnë pas nesh.
Të nderuar familjarë, e dimë se asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen tuaj. Por jini të bindur se sakrifica e Arben Zylyftarit nuk ka qenë e kotë. Ajo është një frymëzim i përditshëm për të gjithë ne që vazhdojmë të mbajmë këtë uniformë. Ai mbetet një hero i vërtetë i Policisë së Shtetit, një figurë që na kujton se siguria e qytetarëve tanë kërkon guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Në emër të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, shpreh mirënjohjen më të thellë për Arben Zylyftarin dhe respektin më të madh për familjen e tij. Ne do të kujdesemi që emri i tij të kujtohet gjithmonë me nder e respekt.
Lavdi e përjetshme dëshmorit të Policisë së Shtetit, Arben Zylyftari!”.
Komente
