Testet e Covid-19,të kryera në qytetin e Beratit nuk kanë marrë asnjë përgjigje që prej dt.11 Shkurt. Burime të sigurta dhe të besueshme brenda Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Berat bëjnë me dije se, ka vonesa të theksuara në dërgimin e përgjigjeve të tamponëve që kryhen çdo ditë në këtë institucion.
Të njëjtat burime konfirmojnë se, përgjigjet e fundit të ardhura në këtë institucion janë ato të datës 11 shkurt dhe prej 7 ditësh nuk ka mbërritur asnjë përgjigje e testeve të kryera.
Kjo ka bërë që njerëzit që kanë kryer tamponin të ankohen në zyrat e këtij institucioni për vonesat në ardhjen e përgjigjeve. Sipas burimeve të këtij institucioni, që ka kryer çdo ditë jo vetëm marrjen e tamponëve por edhe hetimet epidemiologjike që prej fillimit të pandemisë, vonesat në mbërritjen e përgjigjeve ndikojnë edhe në përhapjen e shpejtë të kësaj epidemie.
Sipas mjekëve epidemiologë, vonesat prej 7-ditësh në mbërritjen e përgjigjeve të tamponëve, jo vetëm që përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të pacientit,i cili nuk mund të marrë mjekimin e duhur pa ditur nëse është "pozitiv" apo jo por edhe rrezikojnë hetimin epidemiologjik të rasteve të tij të kontaktit,hetim që nuk mund të kryehet dot pa ardhur përgjigjia e testit të pacientit.
Po kështu,burimet brenda Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Berat bëjnë me dije se pranë këtij instutucioni ka mungesa të theksuara të testeve: PCR dhe rapid-test.