Berat- Një ditë pas aksidentit tragjik në një pallat në ndërtim në qytetin e Beratit, ku humbi jetën pas rënies nga lartësia një prej punëtorëve të ndërtimit, Policia ka shpallur në kërkim administratorin e firmës "BIFFER&CO-Numani'.
Gazetarja e Report Tv, Mimoza Sinanaj, informon se gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje, u vendos edhe tekniku i kompanisë.
Burime zyrtare bënë me dije se pas hetimeve paraprake për ngjarjen e ndodhur, ku ndërroi jetë edhe pse u dërgua në spital, punëtori Ramadan Hatija, 66 vjeç, si pasojë e rrëzimit nga kati i tretë i pallatit në ndërtim ku po punonte, u kryen edhe veprimet penale.
“U shpall në kërkim administratori i firmës së ndërtimit, T. N., 65 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për teknikun e ndërtimit në këtë firmë, shtetasin S. B., 69 vjeç, për të dy për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, tha policia vendore.
Aktualisht po punohet për kapjen e 65-vjeçarit dhe hetimet po i ndjek Prokuroria e Rrethit.
Ngjarja ndodhi dje (30 qershor), rreth orës 15:30, në kantierin e një pallati në ndërtim në lagjen "Kushtrimi" të Beratit.
Komente
