Berat- Dy të rinj nga qyteti i Beratit kanë rënë në prangat e uniformave blu pasi shisnin kanabis të ndarë në doza.
Të arrestuarit janë identifikuar si Kliton Naçi dhe Njazi Abedini.
Nga kontrollet e kryera 21-vjeçarit iu gjetën 330 doza kanabisi ndërsa 19-vjeçarit iu gjet me vete një sasi e kësaj lënde ndërsa në banesë, 2 thika.
Ndërkohë gjatë këtyre kontrolleve blutë i gjetën babait të 21-vjeçarit disa fishekë luftarak
Kanabisi, 2 thikat fishekët luftarak, 7 celularë dhe një makinë u sekuestrua si provë materiale.
"Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, finalizoi operacionin “Orders”. Në kuadër të operacionit, Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” arrestuan shtetasit K. N., 21 vjeç dhe Nj. A., 19 vjeç, të dy banues në Berat.
Nga hetimet ka rezultuar se ata ishin të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa, në doza, në Berat.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 21-vjeçarit iu gjetën 330 doza Cannabisi. Më tej, 19-vjeçarit iu gjet me vete një sasi e kësaj lënde ndërsa në banesë, 2 mjete prerëse (thika).
Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 21-vjeçarit, shtetasin A. N., 44 vjeç, pasi nga kontrolli në banesën e tyre u gjetën disa fishekë që posedoheshin pa leje.
Lënda narkotike, mjetet dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me 7 celularë dhe 1 automjet", informoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Komente
