Tentuan të kalonin lumin Osum me automjet, zjarrfikësit shpëtojnë drejtuesin e mjetit dhe pasagjerin.
Drejtoria e MZSH, Bashkia Berat mori njoftim rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm, nga DVP Berat dhe nga kolegët të Sektorit të MZSH Bashkia Poliçan se midis fshatit Mbrakull dhe Malinat, ka mbetur në mes të lumit Osum një mjet Fuoristrad me shoferin dhe një pasagjer të bllokuar.
Menjëherë, në vendngjarje shkoi grupi i shërbimit dhe Inspektori i Stërvitjes, Kryeinspektor Zjarrëfikës, Fredi Metollari të cilët në bashkëpunim me kolegët e MZSH Bashkia Poliçan, bënë të mundur shpëtimin e jetës së drejtuesit të mjetit tip 'Ford' dhe pasagjerit të bllokuar në mes të rrjedhës së lumit.
'Rreth orës 02:30, të datës 27.05.2024, sapo janë njoftuar për 2 shtetas të cilëve iu ishte fundosur mjeti me të cilin lëviznin, teksa kalonin lumin Osum, nga fshati Malinat në fshatin Mbrakull, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan dhe shërbimet e DVP Berat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për t’iu ofruar ndihmë këtyre shtetasve.
Si rezultat, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, u bënë të mundur lokalizimi dhe shpëtimi i 2 shtetasve (banorë të zonës), si dhe nxjerrja e mjetit.', thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Bëhet me dije se shoferi i automjetit tip 'Ford', fillimisht ka mundur të dalë nga makina duke u larguar me not, duke e lënë pasagjerin brenda në makinë. Më pas mori në telefon dhe njoftoi MZSH, pasi në vendin ku mbeti makina në mes të lumit, nuk kishte valë.
Sipas policisë, të dy shtetasit u transportuan me autoambulancë në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.