Berat/ Ura e Lapardhasë me dërrasa të kalbura, banorët rrezikojnë jetën duke kaluar në të: Jemi të izoluar totalisht

27 Prill 2023, 19:36| Përditesimi: 27 Prill 2023, 19:45

  • Share

Për pak ky qytetar sa nuk ra në lumin Lapardhicë teksa po kalonte në urën e varur mbi të. Nuk është hera e parë që ai dhe banorë të tjerë të fshatit Lapardhasë në njësinë administrative Olltak të bashkisë Berat, iu rrezikohet jeta.

Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për tu lidhur me fshatrat e tjerë, ata detyrohen të kalojnë në këtë urë pasarelë të ndërtuar 60 vite më parë dhe që koha e ka degraduar.

Në gjatësinë e urë mungojnë dërrasat që shërbejnë si bazament, e ato që kanë mbetur janë të kalbura. Edhe kavot lidhëse janë ndryshkur.

“Është e pa kalueshme, është tallje me ne. Kam lënë punën dhe pres fëmijët nga shkolla. Është e kalbur, 100%. Nga e keqja kalojmë zvarrë-zvarrë. Është një rrugë tjetër, por në lum. Të izoluar totalisht. Do kalbet malli në serë. Janë 3 zona që lidhen me fshatin tonë”, u shpreh një banor tjetër. 

“Unë kam qenë 5 vjeç, që e mbaj mend urën në këtë gjendje. Ju e shikoni vetë në çfarë gjendje është ura. Në ditët me shi shumë keqe. Lumi, plehrat janë në gjendje shumë të keqe. Zëre se jemi në një botë tjetër. Vijnë vetëm në kohë votimesh. E tërë zona hidhet në këtë urë se kanë tokat, prodhimet. Të bëhet urë e re, jo me dërrasa të vjetëra”, përfundoi një tjetër.

Më të rrezikuarit janë të moshuarit e të vegjëlit që ju duhet të kalojnë dy herë në ditë për të shkuar e ardhur nga shkolla.

“Unë kam frikë, se kam rënë njëherë tek dërrasat e kalbura. Ndonjëherë më merr babi, njëherë xhaxhi. Të bëhet ura e re me beton”, u shpreh një fëmijë.

“Më vjen babi të më marrë. Kam frikë shumë. Është e thyer ura, e kalbur. Të bëhet urë e re me beton”, u shpreh një tjetër fëmijë.

Banorët kërkojnë një urë të re, pasi janë të penalizuar edhe për transport të produkteve bujqësore që ata prodhojnë.

“Ankesën e parë kam urën. Duhet të çoj nipërit në kopësht. Është e detyrueshme të kaloj urën. Kam frikë se më bien nga ura. Do të lëmë punët dhe duhet të çojmë vajzën në kopësht. E kaloj urën 4 herë në ditë. Djalin e kam jashtë, nusen në punë dhe unë gjyshja detyrohem ta marr”, tha një banore. 

“Çfarë janë moshë e thyer dhe fëmijë të shoqëruar. Jo riparim, të ndërtohet urë e re. Këtu kalon fshati”, tha një tjetër banor. 

“Kjo urë është. Të parët që vini këtu. Asgjë nuk është bërë. Sot nuk është gjë, kur vjen lumi të izoluar. Të sëmurët, vdis”, tregoi një tjetër.

Burime nga bashkia Berat bëjnë me dije se është hartuar një projekt për një urë të re, por ende nuk ka përcaktohet se kur do të nisë ndërtimi i saj. Ndërkohë bëhet me dije se po sistemohet një rrugë e cila do të lidhë fshatrat e njësisë administrative Otllak, por për banorët e Lapardhasë ajo nuk shërben pasi iu merr më shumë se një orë kohë.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 28/04/2023 00:50

    Te gjitha bashkite kur i pyesin gazetaret //gati i kane,ose planifikojne t'i pergatisin projektet//,ashtu sic i kane gati 100 arsye e justifikime, pse si kane zbatuar deri tani!! Mua me kujtohet sa vite te tera u desh qe te zevendesohej ura e prishur mbi Lane afer ish-Ekspozites dhe ajo ishte ne mes te kryeqytetit,mu ne qender,po kjo qe eshte ne nje fshat ne fund te botes?!

    Përgjigju
  • Alb: 27/04/2023 20:28

    Kjo ashte ftyre e politikse shqiptare. Dona me u fute edhe BE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?