BERAT – Një punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit është arrestuar ditën e sotme nga policia, pasi i ka kërkuar para një shtetasi në mënyrë që të shmangte gjobën.
Ky punonjës i IMT, i identifikuar me inicialet P.K., 36 vjeç është arrestuar në flagrancë nga policia teksa ishte duke marrë ryshfetin.
"Në vijim të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë duke marrë shuma monetare shtetasin P. K., 36 vjeç, banues në Berat, punonjës në IMT Berat.
Nga hetimet e kryera është arritur të dokumentohen veprimet korruptive të punonjësit P. K., i cili duke keqpërdorur dhe shfrytëzuar atributet që i jep detyra ka ushtruar presion mbi një shtetas duke i shmangur gjobën kundrejt përfitimeve monetare",-njofton policia.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.