"Gojë, këmbë, dorë", është sëmundja ngjitëse që po përhapet me shpejtësi tek fëmijët e vegjël sidomos të grupmoshës 0 deri në 12 vjeç. Brenda 10 ditësh në pediatri janë paraqitur 27 fëmijë, të cilët pasi kanë marrë mjekimet janë larguar në banesa, pa komplikacione.
Shefi i Pediatrisë në spitalin e Beratit, Vladimir Kumaraku, tha se sëmundja është tejet ngjitëse dhe po përhapet gjerësisht në kopshte dhe cerdhe, ndaj apelon që prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në institucione kur shfaqin temperaturë të lartë dhe puçrra të shumta në këmbë, duar dhe gojë. Për të parandaluar infektimin masiv mjeku u drejtohet edhe edukatoreve për të mos pranuar fëmijë të infektuar.
"Pacienët kanë temperaturë ose puçra është ngjitëse dhe në kopshte ka pasur më shumë raste. Nuk ka rrezik, por nuk duhet të shpërndahet tek të tjerët. Virusi nuk ndikohet shërohet nga antibiotiku, ndaj antibiotiku duhet të jepet me kriter, vetëm kur ka komplikacione të virozës", tha Vladimir Kumaraku shefi i pediatrisë Berat
Sëmundja virale "Duar-Këmbë-Gojë" përhapet nga kontaktet direkte me personin e sëmurë. Ajo shoqërohet me temperaturë deri në 39 gradë celcius, ulje të oreksit, ndërsa shenjat karakteristike janë njollat e kuqe në duar, këmbë dhe gojë. Mjeku tha se fëmijët trajtohen me antipiretike dhe pomade për lyerjen e lëkurës, ndërsa zgjat deri në 7 ditë.