Qyteti i Beratit

'Berati, qytet misterioz për mjeshtërit botërorë të akuarelit'

23 Maj 2018, 10:20| Përditesimi: 23 Maj 2018, 10:28

  • Share

Dhjetëra sy që të vëzhgojnë, ndërsa demonstrohet live në telajo, krijojnë një situatë të pazakontë gjatë aktit të krijimit. Një ide që vë në sprovë dhe rrit adrenalinën e piktorëve, njëjtë si alpinistët që duan të prekin majën. Kjo ka qenë ideja zanafillore e mjeshtrit shqiptar të pikturës dhe akuarelit Helidon Haliti, kur e solli festivalin Vizart për herë të parë në Shqipëri.

Duke nisur që nga mbrëmja e 21 majit, Shqipëria është bërë mikpritësja e eventit më të madh të akuarelit, ku artistë të njohur nga e gjithë bota prezantuan punimet e tyre për publikun shqiptar në ekspozitën “Water Spring 2018” kuruar nga Ardian Isufi dhe Helidon Haliti. Më pas në janë bërë edhe demonstrimet live të artistëve në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve.

Festivali “Vizart” do të vijojë deri më 26 maj. Gjatë këtyre ditëve të gjithë artdashësit do të kenë mundësi që të ndjekin pa pagesë demonstrimet live të mjeshtërve të mëdhenj botërorë të akuarelit. Në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve janë prezantuar këtë hënë punë të Alvaro Kastagnet nga Uruguaji, Atanur Dogan nga Kanadaja, Amit Kapoor nga India, Hong Shan nga China), Prafull Saëant nga India), Krasi Todorov nga Bullgaria e më gjerë.

Pas ekspozitës në Tiranë, artistët kanë shkuar dje për të pikturuar live në Berat, qytetin për të cilin Helidon Haliti pohon se jo vetëm që i ka befasuar artistët e huaj, por edhe vijon të mbetet një mister i pazbërthyer. Me një intervistë të shkurtër për Shqiptarja.com, Helidon Haliti ka pohuar se në edicioni i katërt i këtij festivali që i dedikohet akuarelit e ka rikthyer përfundimisht vëmendjen në këtë zhanër të harruar prej shumë vitesh në Shqipëri.

Artistët do të ekspozojnë dhe demonstrojnë live përmes emocioneve punë të frymëzuara nga peizazhet shqiptare. Pas beratit ata sot do të jenë në Urën  Vajgurore dhe në ditët në vijim do të jenë në Vlorë, në Himarë dhe Sarandë. Helidon Haliti rrëfen për “Shqiptarja.com” se “në fund të këtij udhëtimi, artistët do të ekspozojnë punët e tyre në Galerinë e Qytetit të Sarandë, ku do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët.”


Piktori Helidon Haliti

 Intervista
Helidon, këtë të hënë u çel festivali i akuarelit në Universitetin e Arteve, cilat janë prurjet e këtij edicioni?

-Mbrëmë nisi në Galerinë FAB një ekspozitë të kuruar me kujdes, që pati impakt tek vizitorët. Tashmë në Tiranë kanë ardhur 55 artistë nga 35 vende të botës. Janë këta artistë që e ccelën festivalin me një larmi veprash të kuruara ne studion e tyre. Pastaj nisën demonstrimet live. Surpriza më e madhe ishte një nga mjeshtrit absolut, Alvaro Kastagnet nga Uruguaj. Alvaro e mbushi sallën plot me shikues dhe bëri një nga demonstrimet më të mira.

Por një moment interesant ishte edhe ekspozita, që mendoj se kishte një nivel të lartë me krahasim me edicionet e tjera, sepse në këtë ekspozitë ishte bërë një përzgjedhje disamujore, dhe pas një studimi të vëmendshëm erdhi në Tiranë një ekspozitë selektive. Të veçanta në këtë ekspozitë janë edhe punët e artistëve të tjerë. Dihet se workshopet e akuarelit janë të njohura në mbarë botën për kontributin që japin në sensibilizimin e të gjithë brezave, të cilët e kanë më të lehtë përfshirjen në pikturë. Krijimi i një komunikimi të përbashkët, shkëmbimi i eksperiencave, pritet që t’i japë një shtysë pozitive akuarelit në Shqipëri.

Sot keni shkuar në Berat. Cilat janë momentet më të veçanta që kanë sjellë akuarelistët botërorë në këtë qytet?
-Beratin ua kisha prezantuar piktorëve shumë kohë më parë përmes fotove dhe videove. Ata e kanë pëlqyer, dhe kur erdhën këtu, sërish ai u shfaq si një qytet befasues për ta. Dhe siç e shoh unë për atë që s’e njeh nga brenda Beratin, ky qytet mbetet një mister. Jam i bindur se për piktorët e huaj Berati ka për të mbetur shumë kohë misteri. Madje njëri nga piktorët që kishte 15 ditë që kishte mbërritur në Berat, më tha se kur hyra në Muzeun “Onufri” kuptova misterin.

Artisti është pedagog në Ukrainë dhe pikturon kisha. Dhe unë me të qeshur i thashë se “ende nuk ke për ta kuptuar, sepse Berati ka misterin e lumit, të maleve përreth. Unë mund të them se ai ka filluar pak ta njoh, por vjet artistët dështuan në bërjen live në akuarele të imazhit të Beratit. Unë shpresoj që këtë herë të arrijnë ta kuptojnë, se berati në akuarel është i vështirë dhe për vet piktorët vendas. Ata s’kanë për ta kuptuar Beratin, edhe sivjet mendoj se do të dështojnë “me sukses”. Berati në akuarel është një sfidë shumë e madhe edhe për piktorët Vendas e për gjithkënd.

Jemi në edicionin e 4-të të këtij festivali, mendon se keni hedhur një gur të rënd themeli në traditën e këtij festivali, ku qëndron dobia e tij?
-Dobia nis që nga fakti që festivali i akuarelit ka krijuar një impakt të madh gjatë takimit të artistëve me studentët, një  impakt që nuk e prisja. Në edicionin e 4-të guri i themeli që është hedhur për të këtë traditë të veçantë është kthimi i vëmendjes tek ky zhanër i harruar. Të gjithë artistët e njohur që ishin harruar dhe punët e vjetra të tyre kanë dalë nga arkat, dhe në shembullin e tyre po dalin ën dritë edhe punë të reja. Dhe tashmë mund të them se jemi absolut në hartën e botës për nivelin e akuarelit. Tashmë jemi bërë një brand shumë i fuqishëm.

Këtë e tregon fakti se kuratorët e galeristët e njohur kanë shumë respekt për ekspozitat që bëjmë. Me rëndësi në këtë veprimtari është edhe takimi i studentëve me mjeshtrit dhe kjo ndihmon zhvillimet e akuarelit shqiptar në të ardhmen. Akuareli është i vështirë, por jo i paarritshëm tashmë. Është një zhanër që plotëson e trajton ndryshe imazhin. E ajo që i jep gjallëri festivalit janë demonstrimet e punës live që e bëjnë shumë atraktiv këtë festival. Dhe qershia mbi tortë është se të gjithë flasin takohen dhe sjellin kultura të ndryshme, por është akuareli dhe Shqipëria që po i bashkon.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?