Politikë

‘Beratin e lanë zbuluar‘, Maliqi për Report TV: Mandatin e tretë e humbëm për shkak të Eno Bozdos, të fut thikën pas shpine

25 Maj, 14:17| Përditesimi: 25 Maj, 15:56

  • Share

Ish-deputeti Lefter Maliqi, në një intervistë për Report TV, tha se do të nisë një tur falenderimi jo për të festuar, por për të shprehur mirënjohje atyre që e votuan dhe për t’u kërkuar ndjesë për rezultatin. Ai shprehu pakënaqësitë me PD, pasi nuk u përfshi i dyti në listë, megjithëse ishin dakordësuar më parë për këtë gjë.

Sipas tij, në qarkun e Beratit humbën mandatin e tretë për shkak të drejtuesit politik demokrat Eno Bozdo, të cilin e akuzoi se ka ndikuar drejtpërdrejt për ta bojkotuar. Maliqi tha se të gjithë kandidatët e opozitës së bashku morën 13 mijë vota, ndërkohë që vetë ai, mori më shumë mbështetje me mbi 5 mijë vota.

“Nga nesër nis turin e kontakteve të falenderimeve në qarkun e Beratit, takime dorë për dorë dhe aspak festë se nuk është kohë për festë por për reflektim dhe për t’u kërkuar ndjesë demokratëve. I përmbahem deklaratës së Berishës  për farsën elektorale të Zgjedhjeve në shumë aspekte në qarkun e  Beratit, duke filluar nga asfalti elektoral, denoncimet në polici edhe në Prokurori për përdorimin e administratës në orar zyrtar të hipotekës dhe bashkisë. Janë përdorur zyrat e institucioneve në Skrapar, Berat e kudo. Përveç këtij krimi, ne kemio nevojë për reflektim. Deri tani kam fituar vetë në gjithë karrierën time politike, duke i dhuruar mandat të tërë PD në 2009. Po kështu, në Kuçovë e dinë shqiptarët se humbja ishte shumë pak, por beteja ligjore vazhdon ende e kësaj dite. Por kësaj radhe pretendoja të isha i dyti në bazë të rezultateve dhe mbështetjes popullore në qarkun e Beratit si drejtues politik i PL, për të siguruar tre mandate dhe për të luftuar për të 4 në qarkun e Beratit. Këto biseda ishin bërë me të dy liderët, me Metën pa u arrestuar dhe me Berishën. Më pas për shkak se iu lanë vetëm 4 mandate PL, dy në Tiranë, Fier dhe Elbasan, pata kundërshtime por në fund fare u vendos. Mandat i tretë i qarkut të Beratit është i sigurt, me vajtjen time atje. I treti u humb drejtpërdrejt nga drejtuesi politik i PD, Eno Bozdo. Ia kam bërë të ditur edhe opozitës dhe doktor Berishës. Meqenëse opinioni u hap se Maliqi fiton, ishte xhelozi e brendshme dhe u fokusuan të gjithë fuqitë e PD hidh gurin e fshehur dorën në bashkinë Kuçovë dhe komunën Otllak, duhet të isha fitues edhe më i thellë. Jo vetëm që nuk u prezantova, por keqpërdori disa struktura dhe më ndiqte nga pas mua, madje edhe në Skrapar.”, u shpreh Maliqi.

Ai tha se u sulmua nga të dyja kahet,  ndërkohë që shprehu bindjen se ka marrë më shumë vota.

“Kjo xhelozi më ka habitur dhe shokuar. Problemi është i thjeshtë. E gjithë e djathta, 8 kandidatë së bashku, morën 13 mijë vota dhe Maliqi mori 5 222 vota, duke dalë i pari në diasporë, Kuçovë dhe në Skrapar. Edhe në Skrapar nuk pata rezultatin që pretendoja, ku PD mori dyfishin e votave të mia  ndërkohë që dihet se Skrapari është i zotit Meta. Jam i shokuar me këtë, por e vura në dijeni edhe zotin Berisha. Madje, nga Berisha kam pasur edhe falënderim edhe telefonata. Por aq e madhe ishte xhelozia, saqë marrëveshja ishte që në të gjithë Shqipërinë të kishim numërues te fletët e kandidatëve. Unë si drejtues politik duhet të kisha numërues në çdo tavolinë. Pata probleme të mëdha, Noka më thoshte ta mbroj unë votën. Në asnjë mënyrë i thashë. Nga do të ruhem unë nga demokratët apo socialistët. Kësaj radhe jam habitur se pse u sulmova nga të dy krahët, dhe prapë mbijetova me 5222 vota ndërkohë që jam i bindur se ka edhe më shumë vota.”, shtoi Maliqi.

Për humbjen, përveç qeverisë, ai bën fajtor edhe drejtuesit politikë të opozitës, që sipas të cilit “ishin jashtë loje”. Ai sfidoi Bozdon duke thënë që meqenëse ka mbështetje të madhe siç pretendon të japë dorëheqjen dhe të kandidojë për bashkinë e Beratit. Maliqi shprehu me siguri se do të pësojë humbje të madhe.

“Që të fitonte Rama 83 mandate. Gabimet tona duhet t’i kemi. Sali Berishën nuk e ndiqnin dot, keqardhje 81 vjeç nga Selaniku vinte në Kuçovë, ndërkohë që gjysma e drejtuesve politikë ishin jashtë loje, për shkak të sistemit të mbyllur. Një pjesë e tyre rrinte në Tiranë, një pjesë në dreka. Psh Beratin e lanë zonën të zbuluar, vinin prezantonin kandidatët edhe nëpër fshatra, dhe lanë 30 fshatra në Berat pa i prekur. Sepse merreshin të gjithë në Kuçovë dhe Otllak, në zonën time. Mos të dalë Maliqi. E gjithë loja është që saqë demokratët dhe socialistët e zhgënjyer thoshin se ça po bëhet me Maliqin. Thoshin që mos votoni Maliqin se iu ikën majtas. Deri këtu arrinin. Në Kuçovë kishte kandidatë edhe nga diaspora, por nuk u mbështet. Tani problemi qëndron se kemi zgjedhjet lokale në Berat, dhe i bëj një thirrje Eno Bozdos, të japë dorëheqje meqenëse ka mbështetje të gjerë popullore, dhe të kandidojë për bashkinë  e Beratit. Deklaroj se humb mbi 10 mijë vota. Nëse i dyti listës humb me 6500 vota, ai humb me 10 mijë vota. Nëse është Bozdo drejtues politik atje, nëse vazhdo me këtë sundo dhe përça, do të humbin thellë të gjitha bashkitë. Me Eno Bozdon jo më se nuk i shes më demokratët. Njeri që të qesh, por të fut thikën pas shpine. Njeri që nuk do demokratët, por shikon interesat e veta. Nëse është i Soros, të rrijë atje apo nëse është bandit. Nuk ka asnjë arsye të sulmosh Lefter Maliqin.”, shtoi ai.

Sipas tij, duhet që të ketë qeveri teknike dhe të mbahen zgjedhjet brenda një viti. Por nëse një gjë e tillë ndodh, deklaroi ai, duhet të japin dorëheqjen drejtuesit politikë të opozitës. Ai apeloi edhe për një riorganizim të PD.

“Shpresoj që të kemi qeveri teknike dhe pas një viti të bëhen zgjedhjet, por me drejtues politik të devotshëm. Sali Berisha punon, por një pjesë e drejtuesve politik fusin duart në xhepa. Te listat kanë gabuar të dyja palët, por PS është e mirëorganizuar në shumë aspekte. Makineri e fortë shtetërore, ishin aq të organizuar saqë kush janë demokratët, kush na voton ose jo. Kishte probleme edhe në PS, por fitorja u mor me të gjitha format. Nuk po them se ka blerë 83 mandate, por mbi 60 mandate fillon blerja. Te koalicioni i opozitës mund të kishte më shumë mandate, në Tiranë një apo dy më shumë, por kjo ndodhi edhe për shkak të drejtuesve politikë se duhet të jetë i fortë në tru dhe në përballje.”, shtoi ai.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?