Burg pa afat killerit, shok i ekzekutuesit të 2 biznesmenëve në Laç, nëna: Ishte te tezja atë natë, nëse e ka bërë ai të varë veten

29 Qershor 2020, 14:16| Përditesimi: 29 Qershor 2020, 17:32

  • Share

Gjykata e Kurbinit vendosi sot masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Ilir Xhepajn, i arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Kodër Kamëz si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergi mbrëmjen e 30 majit në Laç, por edhe atentatin me armë zjarri në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë.

Pas seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, nëna e Ilir Xhepajt ka deklaruar se djali i saj nuk ka lidhje me atentatin e 30 majit në Kurbin. “Djali im nuk ka lidhje me atë ngjarje. Atë natë ka qenë tek motra ime në Bulqizë. Fajtorin ta kërkojnë atje ku është për t'u kërkuar, jo te djali im.

Djali im nëse ka gisht në këtë ngjarje të vari veten në qendër të Laçit. Do bëj denoncim se ma kanë dhunuar djalin atë natë që ma kanë kapur dhe ai ka probleme shëndetësore. Unë jam i sigurt tek fëmija ik që nuk ka gisht me atë punë. Unë kërkoj drejtësi ndaj fëmijës tim dhe mos të më mundojnë se jam shumë e varfër” u shpreh nëna e Ilir Xhepajt.

Ilir Xhepaj dyshohet se organizoi atentatin duke përdorur si vrasës me pagesë Eduart Lamajn. Deri tani të arrestuar janë Eduart Lamaj, Kreshnik Tusha dhe Ilir Xhepaj në operacionin e koduar "Ndjekja”. Ndërkohë në kërkim për vrasjet e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola. 

Roli i Ilir Xhepajt në atentat dhe e shkuara kriminale
Ilir Xhepaj (Lika) dyshohet se ka qenë pjesë e skuadrës, prej 4 personash të veshur si policë, që ekzekutuan me 20 plumba, Bujar Hasanin (Lika) dhe Paulin Gjergjin (Markaj). Nuk dihet ende nëse Ilir Xhepaj dhe viktima Bujar Hasani, kanë pasur një lidhje miqësie me njëri-tjetrin, kjo pasi të dy personat, para se të ndryshonin mbiemrin, mbanin të njëjtin (Lika).

Sipas burimeve të policisë së Tiranës Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, 27 vjeçarin Nikolin dhe 21-vjeçarin Anton, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”. Ndërkohë sipas policisë, është sërish Ilir Xhepaj ai që së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Hasanin, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë.

Për policinë dhe prokurorinë e Laçit Ilir Xhepaj konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamuras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin, pasi rezultojnë nga e njëjta zonë. Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe bënte një jetë mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës. I dënuar më herët për grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë, Xhepaj, konsiderohet si një emër i rrezikshëm në këtë zonë.

Gjatë kohës së qëndrimit në liri Xhepaj, rezulton se në 15 maj 2020, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë atë. Pas disa ditësh hetime, prokuroria e Laçit ka vendosur të shpallë në kërkim Ilir Xhepajt për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Zef Markut. Por edhe pse ishte në kërkim Xhepaj ka lëvizur lirshëm në zonën e Kurbinit, duke u implikuar në një ngjarje akoma dhe më të rëndë, atë të vrasjes së biznesmenit të kazinove, Paulin Gjergjit dhe Bujar Hasanit. Pas arrestimit të tij në kërkim janë dhe Elson (Oltion), Alija (Vlashi) si dhe Klaudio Perkola, djali i një efektivi policie në Laç, Gjovalin Perkola.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?