Kronikë

Bëri fushatë për kushëririn që kandidoi për Berishën, Policia zbardh detajet: Në ambientet e ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi u sekuestruan telefoni, fatura, kupona nafte e lista zgjedhësish! (EMRAT)

18 Maj, 09:47| Përditesimi: 18 Maj, 15:14

  • Share

Policia zbardh detajet e operacionit të djeshëm të zhvilluar në Kavajë me urdhër të SPAK-ut, ku u kontrollua një ambient në pronësi të ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi dhe i janë sekuestruar celulari, fatura, kupona nafte dhe deri lista zgjedhësish.

Gjithashtu kontrolle janë ushtruar edhe në ambiente e banesa të 4 personave të tjerë, teksa janë sekuestruar gjithashtu telefona celularë, DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Ata janë Orges Sinella, Tak Rroshi, Mirel Sinella (iu gjet dhe një pistoletë manovër) dhe Tauland Hasa

Policia konfirmoi se aksioni erdhi në ekzekutim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimit të nisur ditën e zgjedhjeve, kur u kap dhe shoqërua një grua që dyshohej se ishte përfshirë në shit-blerje votash për llogari të Elvis Rroshit, ky i dyshuar për korrupsion zgjedhor, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Rroshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.

“Rroshit iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish”, bëri me dije Policia e Shtetit ditën e sotme (18 maj).

Këto kontrolle dhe veprime proceduriale hetimore janë kryer me urdhër të prokurorit të SPAK, Ervin Kondili, që ka në dorë çështjen në fjalë.

Elvis Rroshi bëri fushatë për kushëririn e tij Elton Rroshi, që kandidonte më 11 maj për PD-ADSHM në qarkun e Tiranës, duke marrë 5233 vota dhe u rendit i shtati në listën e hapur. Ai mori pjesë edhe në mitingun e PD-së që organizoi Sali Berisha në Kavajë, ndërsa mbante një kapuç sportiv në kokë për të mos u njohur. Vetë Rroshi në reagimin e tij tha se kapuçin e mbante për shkak të kohës së keqe.

Ditën e zgjedhjeve, më 11 maj, një grua e identifikuar si Xhuli Duda, u shoqërua nga policia në Kavajë. Ajo është ndjekur nga agjentë të policisë, ndërsa është takuar me ish-kryetarin e bashkisë, Elvis Rroshi.

Pas takimit, gruaja është ndaluar teksa dhe i është gjetur një listë që përmbante emrat e disa prej familjarëve të saj. Dyshohet se ajo është përfshirë në aktivitete të dyshimta që lidhen me blerjen e votës. Duda dhe Roshi u morën në pyetje. Mendohet se edhe hetimet e sotme janë pjesë e kësaj procedure, për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe ngjarjen e dyshuar si korrupsion zgjedhor.

Personave që iu kontrolluan banesat:
1-Elvis Rroshi
2- Orges Sinella
3- Tak Rroshi
4- Mirel Sinella
5- Tauland Hasa

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:

“Operacion në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, kontroll fizik dhe në banesat e 5 shtetasve të dyshuar.

Sekuestrohen fatura, kupona nafte, lista zgjedhësish, DVR, pistoletë manovër dhe 5 telefona celularë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.

Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.

Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë”.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?