Politikë

Meta dënohet pas intervistës 'live' nga burgu, s’ka stërvitje për 10 ditë

11 Qershor, 16:05| Përditesimi: 11 Qershor, 18:28

  • Share

Një intervistë përmes celularit në televizion, i ka kushtuar Ilir Metës ndalimin e aktivitetit sportiv. Ishte vetë Tedi Blushi që në një deklaratë për mediat zbuloi se Meta është dënuar nga Komisioni Disiplinor i burgut Jordan Misja  me 10 ditë për të mos ushtruar aktivitete sportive. Ky vendim sipas Blushit është marrë sepse Meta realizoi një intervistë live, me telefon me gazetaren Beti Njuma.

Në studio televizive ka qenë vetë Blushi i ftuar, i cili ka marrë një telefonatë nga Meta, i cili flet live në emision, ndërsa thekson se po komunikon përmes telefonit të burgut.

“Partia e Lirisë dënon gjithashtu me forcë edhe përpjekjen kriminale të Narkoregjimit, që pasi i kufizoi lirinë e lëvizjes duke e izoluar padrejtësisht, në mënyrë krejtësisht qesharake po tenton t’i heqë Presidentit Meta edhe të lirinë dhe të drejtën e fjalës për të komunikuar me gazetarët.

Rasti me qesharak, ndodhi sot kur Komisioni Disiplinor i IEPV “Jordan Misja” dënoi Presidentin Meta me 10 ditë për të mos ushtruar aktivitete sportive në ambientet e paraburgimit vetëm pse pak ditë më parë realizoi live një intervistë me gazetaren Beti Njuma”, tha Blushi.

Sipas Blushit, narkoregjimi me ndihmën e SPAK po bën çdo përpjekje për të goditur dhe izoluar liderët e opozitës.

“Këto praktika sa qesharake, po aq të neveritshme dhe represive, dëshmojnë fytyrën e vërtetë dhe degradimin e Narkoregjimit, që me ndihmën e SPAK po bëjnë çdo përpjekje për të goditur dhe izoluar liderët e opozitës.

Presidenti Meta në krye të Partisë së Lirisë po drejton me vendosmëri dhe efiçiencë të plotë politike aktivitetin dhe qendrimet e saj politike, me gjithe kushtet e izolimit ai gëzon shëndet të plotë dhe garanton të gjithë gazetarët e pavarur se asnjë masë represioni apo kufizimi e imponuar nga Narkoregjimi nuk do të mund t’i ndalojë atij kurrë lirinë e fjalës dhe të drejtën për të komunikuar me mediat e pavarura”, tha Blushi.

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Blushi u ndal edhe tek zgjatja e hetimeve për Metën, duke thënë se është një akt tërësisht politik dhe se po e mbajnë në qeli pa prova.

“Zgjatja mafioze e afatit të hetimeve për Presidentin Meta, në mungesë totale të provave që kurrë nuk do të gjenden sepse nuk ekzistojnë, është një akt tërësisht politik, që është urdhëruar publikisht në Asamblenë e Partisë Socialiste nga Edi Rama më 7 maj të vitit 2022, që e dënojmë me forcën më të madhe.

Në 32 vite shërbim publik kurrë nuk ka dhe nuk do të mund të gjendet një akt, një provë, dokument, vendim apo veprim i paligjshëm i Presidentit Meta.

Masa e arrestit do të ankimohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, për të shteruar dhe ezauruar të gjitha procedurat e brendshme në mënyrë që kjo çështje të mbërrijë sa më shpejt në Strasburg”, vijoi Blushi.

Pas këtij lajmi, Meta reagoi sërish nga qelia përmes një interviste me shkrim, duke sqaruar pse u dënua.

“Ky vendim 'historik' është i vërtetë dhe m'u komunikua sot nga Komisioni i Disiplinës në IEPV "Jordan Misja", gjoja pse kisha kryer një bisedë telefonike në ora 20:20, kur telefonatat lejohen deri në ora 20:00”, shprehet Meta.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?