Postoi një shkrim me nota politike në profilin e tij, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër pezullon nga detyra Nënkomisarin Prel Milani, specialist për Hetimin e Krimit në Komisariat.
Reagimi dhe masa administrative ka ardhur menjëherë pas konstatimit të një shkrimi të postuar në rrjetin social Facebook të tij nga oficeri i policisë, që më pas është publikuar edhe nga një portal.
Shkelja e konstatuar është kryerja e veprimeve që cenojnë figurën dhe e rregullave për shkak të funksionit.
“Ky shkrim është në shkelje të Ligjit të Policisë së Shtetit, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë”, theksohet në njoftimin zyrtar.
Por jo vetëm kaq, pasi ndaj nënkomisarit ka nisur edhe një hetim disiplinor.
“Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësit të policisë Nënkomisar P. M., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në DVP Shkodër, për shkelje të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m” - “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, dhe pika 2, germa “a” - “Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, bëri me dije drejtoria vendore.
Në fund garantohen qytetarët për zbatimin e ligjit:
“Policia e Shtetit siguron qytetarët se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër krimit dhe paligjshmërive, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Në zbatim të nenit 6 të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Policia është institucion i administratës shtetërore, i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike, tërësisht në funksion të zbatimit të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, përfundon reagimi.
Komente
