Politikë

Berisha akuza kreut të SPAK: Dumani mbante në xhep fletë-arrestet e bosëve të Troplinëve, i njoftoi të arratiseshin! Mbron dhe Metën: Padrejtësisht në burg

13 Qershor, 12:15| Përditesimi: 13 Qershor, 16:11

  • Share

Sali Berisha doli sot në një tjetër konferencë për të folur për lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe farsën elektorale.

Por kreu i PD-së vendosi ta niste fjalën e tij me sulmin dhe akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke i vendosur edhe një epitet të ri si Altin Troplini, teksa e bëri përgjegjës se ka njoftuar bandën kriminale të Troplinëve që të largoheshin para operacionit në Durrës nga Antimafia e Italisë.

Ai tha se Dumani “i mbante fletë-arrestet në xhep” dhe “njoftonte bosët e kartelit të Troplinëve, menjëherë pas fushatës elektorale dhe shërbimit që u bënë në Durrës”.

“Altin Troplini ëhstë i implikuar me krimin e organizuar. U përpoq të përfshinte edhe ndërkombëtarët. Lejoi Troplinët të largoheshin nga Shqipëria, i njoftoi vetë dhe u përpoq të implikonte DEA-na dhe Antimafian italiane, por nuk i njoftuan ato Troplinët. Lejoi arratisjen e bosëve të kartelit. Ka mashtrime dhe përpjekje të tij për t’u fshehur pas DEA-s dhe Antimafias. Njoftimi është vepër e atij që mbante në xhep mandat-arrestin dhe nuk e ekzekutonte. Derisa ata të përfundonin në vendin e fshehur dhe ndjerë të sigurtë. Plan kryekëput me qeverinë. Troplini ndjehet i mbrojtur”, tha Berisha.

Por ai shkoi edhe më tej, duke e akuzuar edhe kryeministrin Rama se qëndron pas kësaj skeme:

“Njoftimi i kreut të klanit më të fuqishëm të drogës në Shqipëri, pasi ai drejtoi fushatën elektorale të partisë në Durrës, dëshmoi se Altin Troplini ishte thjesht një ushtar i botës së krimit, i karteleve të drogës dhe Edi Ramës”.

Berisha mori në mbrojtje edhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, si dhe dënimin e tij me 10 ditë izolim pse foli në telefon. Ai tha se Meta mbahej padrejtësisht në burg, duke bërë krahasim me dëshminë e Nuredin Dumanit për oficerin Krenar Guçe, që sipas Berishës u shpërblye për lidhjet me krimin dhe aktivitetin e tij elektoral, duke u emëruar zv/drejtor policie në Elbasan.

“Sot kreu i opozitës Ilir Meta, mbahet me pa të drejtë në burg dhe dënohet me 10 ditë pse ka folur në telefon në orën 8. Shikoni se si ushqehet urrenjta e një njeriu që ushqevet vetëm me urrejtje njerëzore. Meta mbahet në qeli absolutisht pa asnjë fakt penal. Mbahet në burg dhe ndëshkohet për herë të dytë, kurse ndërmjetësi i Nuredin Dumanit, oficeri Guçe emërohet zëvendësdrejtor dhe nuk arrestohet. Pse nuk e arreston Dumani Guçen? Dumanin do e quajmë Altin Troplini, s’do e ngatërrojmë me Nuredin Dumanin. Rasti më flagrant i bashkëpunimit të Dumanit (kreu i SPAK) me krimin, sepse Guçe paguan Dumanin aq sa ju nuk e merrni me mend. Pra dëshmia e Nuredin Dumanit nuk ka vlerë për Guçen tek Altin Troplinit, por çdo dëshmi tjetër ka vlerë. Ja pra dëshmia e një krimineli për një kriminel që paguhet 7 mijë euro për të mbrojtur Guçen apo bosët e Troplinëve dhe çdo kriminel tjetër”, tha Berisha.

Berisha ilustroi edhe pretendimin e tij për farsën elektorale me disa pamje të reja, ku deklaroi se shfaqeshin zgjedhës me nga dy fletë votimi, dukei qëndruar tezës politike të “trenit bullgar”.

Gjithashtu shfaqi tabela të votave në burg, duke ‘shigjetuar’ kandidaten e PS-së për Elbasanin, Sara Mile, si më e votuara dhe që e akuzoi të lidhur me bandën e Suel Çelës.

“Shikoni sa vota ka marrë Sara Mile në burg, princesha e burgut. Uluziu i ngarkoi Shullazit 313-ën, Emiljano, Mili i partisë, ka urdhëruar të votojnë kandidatin e partisë. Urdhëroni farsën, princesha e burgut, shikojeni (shpjegon tabelën e votimit të burgut)”, tha Berisha.

Kreu i selisë blu u pyet edhe për ish-deputetin Ervin Salianji, i cili po kërkon lirimin e parakohshëm, teksa i kanë mbetur edhe pak muaj për të vuajtur për dosjen “Babale” (u dënua me 1 vit burg nga Apeli i Tiranës, që po e vuan që prej 27 shtatorit 2024). Ai bëri koment të shkurtër, duke thënë se do i jepte pozicion beteje.

“Pozicioni i zotit Salianji në PD pas daljes do jetë pozicion beteje”.

Kurse në lidhje me vizitën e kryeministrit Edi Rama në SHBA, ku merr pjesë si i ftuar në dasmën e Alex Soros, djalit të filantropit George Soros, ai tha se ishte vizitë e përkohshme dhe se atje kreu i qeverisë do gjente “zjarrin McGonigal që s’do mbyllet kurrë”.

“Është i gozhduar dhe çdo ditë do gozhdohet më shumë. Largimi i tij i përkohshëm, ai gjen atje një zjarr të ndezur, gjen aferën McGonigal të hapur, më ëhstë personazh kryesor në atë aferë. I them mos u lodh, sepse ajo dosje nuk mbyllet kurreë. E vetmja rrugë e mbylljes është që ai të shkoje atje te McGonigal, rruga e vetme është ndarja nga krimi”, mbylli Berisha konferencën e tij.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?