Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas akuzave të rënda të Sali Berishës se qeveria e ndërmori aksionin e mbylljes së lojërave të fatit për Bashën pasi sipas tij bastet i kaluan një kompanie në Qipro që është 80% në pronësi të bashkëshortes së kreut të PD.
Ai i cilësoi këto si gënjeshtra ordinere nga një njeri i cili "për hallin e tij" dhunoi shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhte gjak, duke ju referuar protestës së 8 janarit, që la një shenjë të "errët" në historinë e PD.
"I deklaruar non grata për korrupsion bashkë me familjen e tij, dhe i braktisur nga demokratët pas dhunës së 8 janarit, Sali Berisha po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke thënë çdo ditë gënjeshtra të reja për Lulzim Bashën dhe familjen e tij. Për të dytën herë Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner, shpifi për bashkeshorten e kryetarit të PD. Ky është një mashtrim i ri nga njeriu që për hallin e tij dhunoi edhe shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhe gjakun e tyre. Ky që për hallin e tij ka qenë gjithmonë gati ti vërë zjarrin Shqipërisë. Por ai është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një nongrata për korrupsion.", shkruan Basha.
Kujtojmë se tre ditë më parë, Sali Berisha nga Lezha në një takim me mbështetësit e tij tha sot se Qeveria e ndërmori aksionin e mbylljes së lojërave të fatit për Lulzim Bashën pasi sipas tij bastet i kaluan një kompanie në Qipro që është 80% në pronësi të gruas së kreut të PD.