TIRANË- Sali Berisha dhe dhëndri Jamarbër Malltezi do të ulen në bankën e të akuzuarve për aferën e dosjes Partizani. GJKKO ka caktuar datën 30 qershor, ora 10:00, për zhvillimin e seancës së parë në themel për aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Bashkë me Berishën dhe Malltezin, gjykimi do të nisë edhe për bashkëpuntorët e tyre biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustina, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të tria për pastrim parash.
I vetmi koment që Berisha bëri në ditën kur GJKKO caktoi datën për seancën e parë gjyqësore, ishte se ende nuk ka marrë vendimin për dërgimin e çështjes për gjykim.
“Komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk ka gjer sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin. A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh. Të gjitha të tjerat do përcaktohen nga konsulta me avoketërit, e cila është jashtë kësaj salle”, tha Berisha.
Elsa Ulliri, kryesuese dhe Bib Ndreca e Rudina Palloj janë treshja e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen Partizani. Sali Berisha do të bëhet i ish zyrtari më i lartë në historinë politike të vendit që do të dalë para një trupe gjykues në përballjen e parë të vërtetë me drejtësisë. Pritet një gjyq i gjatë, me dëshmitarë dhe paraqitje provash, pasi asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit Partizani, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Paralelisht me procesin hetimor SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri, përmes të cilave Malltezi përfitoi të paktën 5.4 milionë euro.
Komente

Të vjedhësh në mënyrë galopante,të vrasësh njerz si kjo familje kriminale jeton i lirë ndër kohë që janë mbushur burgjet me ngjarje të rëndomta,ky është SPAK kjo është drejtësia e ndyrë.Sali non grata duhet varur në shesh po kush ta bëjë DUM DUMI me horrat që ka mbledhur...
Përgjigju