Një javë mbas protestës së opozitës, në Tiranë nuk ka ndryshuar asgjë në formë. Edi Rama ndaj të cilit u protestua, vazhdon të jetë kryeministër. Sali Berisha që doli të protestojë, është kryetar i opozitës. Pikërisht kjo dyshe, ky binom njerëzor kaq i ndryshëm nga njëri-tjetri, të enjten e shtatë korrikut, ishin shkaku që qytetarët dolën në Bulevard.
Dhe ata ishim më shumë sesa kishin vënë bast skeptikët dhe natyrisht më pak sesa prisnin t’i numëronin optimistët.
Protesta u thirr nga dy politikanët më të rëndësishëm në vend. Qytetarët u përgjigjën jo plotësisht për meritë të Berishës dhe u mblodhën jo vetëm për faj të Ramës. Sado që duket e çuditshme, është pikërisht kështu. Berisha mundi të rikthejë opozitën në Bulevard dhe duket i fortë tashmë, jo sepse është i tillë, por sepse krahasohet me dobësinë proverbiale të Lulzim Bashës, paraardhës i tij.
Krahasimi mes kryetarit të vjetër të partisë në moshë të re dhe kryetarit të ri të partisë në moshën e gjermanit Helmut Kohl apo Xhorxh Bushit të Vjetër, është thelbi i muzikës mashtruese që luhet sot në PD. Basha, njeriu që i coi demokratët dhe gjithë opozitën, kryesisht për faj të tij nga humbja në humbje, është ai që për paradoks, e bën Berishën të duket si shpresë për fitore. Si i mbyturi që kapet tek flokët e tij apo më keq akoma, si i fundosuri që kërkon të kapet edhe tek tehu i shpatës për të dalë nga humnera.
Kush brohoriti për fitore të enjten e shkuar, duhet të tregojë se cili është lloji i fitores që ka pritur. Nëse ishte objektiv prova e forcës se kush e kontrollon opozitën, kjo tashmë është fakt i kryer; nëse ishte sfidë për vapën e padurueshme të fillimkorrikut, edhe ky ishte një bast i fituar; nëse ishte një tentativë për ndarje nga e shkuara e dhunshme me molotovë, padyshim që organizatorët meritojnë dafina triumfi, por nëse synohet pushteti, në këto rrethana, ai mbetet ende një ëndërr vere. Ka shumë ngjyra, por zgjat shumë pak, tmerrësisht pak.
Berisha erdhi në krye të partisë mbas humbjeve ciklike të opozitës, nga të cilat njëra prej tyre, ajo e 2017, i dha pothuaj qelepir edhe fitoren e 2021-it Edi Ramës. Në 2025, shanset e tij janë krejt periferike dhe ai mund të shpresojë që vetëm aleanca me tërbimin dhe energjinë e Ilir Metës së rikthyer dhe ndonjë frakturë apo një aksident i qeverisjes me drejtësinë, mund ta kualifikojë si alternativë për të qeverisur.
Edi Rama është njeriu tjetër që u bë arsye për daljen e qytetarëve në protestë. Të gjithë shqiptarët po jetojnë nën darën e krizës të shkaktuar si një ulcer e shumëfishtë nga tre vatra të njëpasnjëshme sulmi. Në fillim tërmeti, pastaj pandemia e tani edhe lufta në Ukrainë. Të gjithë shqiptarët sot e paguajnë kilogramin e bukës, litrin e naftës, të qumështit apo të vajit, më shtrenjtë se më parë, por ky nuk është domosdo faji i Edi Ramës.
Kryeministri do të fajësohej nëse nuk do të indentifikonte spekulatorët që do të rendnin të fitonin nga kriza dhe këta nuk janë pak, nëse nuk do të gjente mjetet dhe mënyrat për t’i ndëshkuar ata dhe mbi të gjitha, nëse nuk merr masat e duhura për të zbutur krizën që sot po godet gjithë Evropën. Dhe që për më shumë, me të gjitha gjasat, ndoshta arrin një pik tmerrues në vjeshtë.
Në cdo kryeqytet evropian ky është një skenar që diskutohet publikisht. Në Tiranë ende jo, por kjo nuk do të thotë që ky skenar i lig, refuzon të prekë edhe Shqipërinë. Sa për të marë një shembull, cdo familje shqiptare subvencionohet nga 10 deri në 15 mijë lekë në muaj në faturën e energjisë elektrike. Në një kohë që çmimi i bursës së energjisë ka arritur në kulme të frikshme, fatura që paguajnë shqiptarët, së paku deri më tani, është e njëjta. A do të ndodhë e njëjta gjë edhe në nëntor e dhjetor të këtij viti? Për momentin, vetëm Zoti e di këtë gjë!
Protesta ju dha leksione të ndryshme dy bashkaksionerëve të saj. Nëse ata i kanë marrë mesazhet e saj, atëherë Tirana do të jetë më interesante.
Berisha e di se një parti e madhe nuk e ka problem të nxjerrë aq njerëz në rrugë me flamuj. Në dimrin e 97-ës dhe 98-ës ai marshonte edhe me një çetë të tkurrur besnikësh, i bindur se ata do të shtoheshin rrugës.
Problem është se çfarë ndodh më pas dhe Berisha duhet të kutpojë se duhet thënë e vërteta edhe kur ajo është dëshpëruese. Që opozita ka shans të vijë në pushtet vetëm nëse plotëson në të njëjtën kohë disa kushte thelbësore. Ajo duhet të fillojë edhe të dëshmojë ndarjen e saj me të kaluarën, edhe të pranojë se oferta e saj për të ardhmen i vjen vetëm nga e shkuara. Opozita duhet të mos jetë reflektive dhe vetëm mohuese duke nxirrë si një agjensi funerali. Ajo duhet të jetë e sinqertë dhe përbashkuese. Duke mundur të rritet më shumë se kryetari dhe më shumë se vetë aradha e militantëve të saj; ajo duhet të përfaqësojë të gjithë atë shumicë gjithmonë e më të madhe që refuzon të votojë dhe nuk beson më tek vota. Opozita është sakrificë. Dhe vetëm sakrifica është formula që do të mund ta rriste atë.
Në anën tjetër, Edi Rama duhet të kuptojë se qeverisja e tij ka nevojë për modesti, për punë dhe gjithashtu për t’u bërë politike. Ministra që flasin si drejtorë drejtorie dhe ndonjëherë kuptojnë edhe më pak se ndonjë drejtor modest drejtorie, janë grishja më e keqe për votuesin. Edhe socialistët tradicionalë nuk do t’i bindnin njerëz që edhe pse kanë besimin e Ramës, nuk i beson dot as shoferi i tyre.
Qytetarët në shesh, ata që do ta votonin pa kushte apo edhe ata që pretendojnë ndryshim, kanë nevojë të kenë Edi Ramën në Tiranë për qeverisje me kohë të plotë. Sepse mund të ndodhë, që hipoteka e pushtetit të tij që nuk është askush tjetër vec Sali Berishës, mund të mos i mjaftojë për mandatin e tij të katërt. Kur edhe njëherë si në zgjedhjet e tjera, Rama në vetmi mund t’i pranojë vetëm vetes, se nuk e ka fituar ai garën për qeverisje, por e kanë humbur rivalët e tij. Në politikë, më i vyer se miku i duhur, është kundërshtari i gabuar.