Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili është prej më shumë se një viti nën akuzë nga SPAK për dosjen e aferës “Partizani”, mblodhi sot Grupin Parlamentar, ku në fjalimin e hapur sulmoi ashpër Xhorxh Soros dhe kryeministrin Edi Rama, duke bërë edhe një premtim publik se pasi të fitonte zgjedhjet e 11 Majit, dekretin e parë që do firmoste do ishte desorosifikimi dhe dëbimi i fondacionit Soros nga Shqipëria.
Por ish-kryeministri duket se i prekur nga ‘demenca politike’ ka harruar kohën kur drekonte me filantropin Xhorxh Soros. Ai paralajmëroi Aleks Soros që të mos vinte më në Shqipëri dhe se grupet po punojnë për hartimin e një ligji të veçantë për këtë qëllim, si pjesë e programit elektoral të PD-së.
“Kemi projekt madhor desorosifikimin e vendit. I bëra thirrje Aleks Sorosit që të mbyllë fondacionin në Shqipëri, sepse i jap fjalën që në javën e parë, do mbyllet pas 11 Majit me dekret-ligj që të mos të shkelë më në Shqipëri. Ka bërë të këqija të mëdha në Shqipëri, një fondacion i ekstremit të majtë, marksist dhe shkatërrimit të familjes. Është bërë mbështetës i ekstremit të majtë në Shqipëri dhe kulturës marksiste. Ndaj do përgatiten akte dhe ligje që sjellin desorosifikimin e tij. Me doktrinën e tij ushtron censurë në mbarë botën. Financojnë Fatmir Xhafën, Erion Braçen dhe zyra të tilla. Zotohemi se duke ruajtur standardet më të mira të lirive njerëzore, Kushtetutës dhe drejtësisë së pavarur, për desorizimi do jetë objektiv madhor”, tha Berisha për çëshgtjen Soros.
Më tej tha se PD ka detyrim ‘përgatitjen e të gjitha akteve edhe ligjeve që sjellin desorifikimin e Shqipërisë, duke e krahasuar me censurat e Putin në Rusi dhe Xi Jinping në Kinë.