Politikë

Berisha dorëzohet për 'trenin bullgar': S’kam prova për SPAK! (Asnjë fjalë për vëllanë e truprojës së tij në kërkim)

22 Maj, 15:28| Përditesimi: 22 Maj, 15:40

  • Share

Me shpresën se do të bindë qytetarët se zgjedhjet u vodhën, Sali Berisha doli sërish në një konferencë për mediat. Disa fletë votimi të gjetura vetëm mëngjesin e kësaj të enjteje, 11 ditë pas zgjedhjeve, në një lokal në Elbasan, Sali Berisha thotë se dëshmojnë për fenomenin e trenit bullgar.

“Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro. Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur. Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.

Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit. Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.”, tha Berisha.

Por ndonëse doli për ta denoncuar, Berisha pranoi që në nisje të konferencës se trafikimi i fletëve të votimit nuk arriti deri tek kutitë.

“‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty.”, tha Berisha

Në ndihmë thirri edhe dy deputetët e Elbasanit, Tomorr Alizotin dhe Blendi Himçin, që para pyetjeve të gazetarëve pranuan se fletët nuk kishin as vulën. Kjo në çdo rast i bën ato të pavlefshme.

Edhe pse pretendojnë për krim zgjedhor, në SPAK nuk do ta denoncojnë.

“E ka marrë vesh çdo shqiptar, që ata i fusin në turshi. Kanë hapur ca kazanë të mëdhenj që i fusin në turshi. Çdo dosje për qeverinë e fusin aty.  Ngjarja është e sotme, siç e pe. Policinë e thirri, policia erdhi, mbajti procesverbalin. Natyrisht do të ndiqet rruga ligjore. Por kjo është shumë e qartë. Këtu nuk ka dalim Spaku me bandën dhe banda me Spakun. Gjersa kur Elvis Doçi, iku, e përcollën. U thanë se do e arrestojmë pas nja 3 muajsh se kemi një operacion, kemi ca biseda me të. ”, u shpreh kreu i PD.

SPAK-un e akuzon edhe se mashtroi anti-mafian italiane për ta shtyrë mega-operacionin e përbashkët pas zgjedhjeve të 11 majit.

"Çfarë mendoni ju se Antimafia Italiane e ka bërë për qëllime elektorale vonimin? Jo, ia ka vonuar Dumani për qëllime elektorale Antimafias Italiane. Ka mashtruar Antimafian Italiane si ordiner. Se kemi operacion tani, se na prish punë tani.Dhe Poja çau ferrën. Kush e njoftoi Elvis Doçin dhe të tjerët? Kush i njoftoi?", u shpreh Berisha.

Por, teksa foli për disa nga të kërkuarit e operacionit, Berisha nuk tha asnjë fjalë për vëllain e truprojës së tij, Redi Tusha gjithashtu në kërkim për rol kyç në trafikun e drogës.

G.M./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?