Politikë

Berisha dredhon për ‘Nenin Basha’: U bë për rastet kur ka zgjedhje dhe jo farsa elektorale! Statuti dhe analiza në PD, pas denoncimeve! U zhdukën mbi 300 kuti, Celibashi hesht

22 Korrik, 13:01| Përditesimi: 22 Korrik, 13:12

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti sot se nuk do i njihte zgjedhjet e 11 majit, pasi ishin farsë elektorale, teksa akuzoi edhe kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi për heshtjen në lidhje me zhdukjen e mbi 300 kutive të votimit me materiale zgjedhore, për të cilat PD kishte kërkuar informacion zyrtar me shkresë, por nuk kishte marrë përgjigje.

Ai tha se ishin marrë nga persona të paautorizuar, kurse kryekomisioneri po heshtte dhe i drejtoi pyetje publike.

Por kreu i selisë blu iu shmang pyetjeve që kishin të bënin me ‘nenin basha’ pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, duke pretenduar se ai nen ishte bërë për rastet kur zhvilloheshin zgjedhje dhe jo farsa elektorale (edhe Basha pretendoi farsë elektorale më 2021, por Berisha i kërkoi dorëheqjen sipas statutit, teksa tani nuk po e zbaton vetë).

“Zgjedhjet e 11 majit janë farsa më e shëmtuar, nuk do të njihem. U grabitën mbi 300 kuti me materiale zgjedhore. Asnjë dokument për kutitë e votimit. Kemi fakte dhe disponojmë mundësitë për këto fakte. Kërkojmë transparencë të plotë nga zoti Celibashi, të cilit i kemi drejtuar disa kërkesa. Kutitë u morën nga persona të paautorizuar”, tha berisha ndër të tjera me pretendimin e ri, pas atij të dështuar me “trenin bullgar”.

Madje ai këmbënguli që kreu i KQZ të kthente përgjigje sa më parë, pasi kishin prova për manipulim.

“I jemi drejtuar zotit Celibashi për transparencë, por ai ka drejtuar tek Ilyrian Guard (kompania e ruajtjes fizike) sikur janë në pronësi të saj dhe jo të KQZ. Ne pritëm që Celibashi të dëshmojë se nuk është pjesë e skenarit të zhdukjes së këtyre kutive për manipulim elektoral, por deri sot ai nuk ka kthyer përgjigje, por ne kemi mundësi të faktojmë çdo gjë. Por sot unë i drejtova përsëri atij disa pyetje. Ndoshta kemi të bëjmë me një skenar të zbatuar edhe nga KQZ. Disponojmë fakte të pakundërshtueshme se ku janë marrë, si janë marrë dhe ku janë vendosur. Është mirë që Celibashi të bëjë transparencën dhe t’i përgjigjet pyetjeve”, tha Berisha.

Por ai i dredhoi pyetjes për “nenin basha” që i bënë gazetarët dhe për statutin e PD-së, nëse do ndryshohej përsëri.

“Jemi në kushtet e një farse të pashembullt elektorale në 32 vite. Kemi arritur të dokumentojmë dhe do dokumentojmë çdo ditë për shqiptarët dhe partnerët tanë farsën e shëmtuar, pastaj fjalën do e marrë populli dhe demokratët. Ai nen ka të bëjë me momentin kur bëhen zgjedhje, jo për farsa elektorale. Nuk mund të përdoren farsa për mekanizma antidemokratike. Statuti është në rregull, nuk ka nevojë për momentin për ndonjë ndryshim. Por sigurisht pasi të finalizojmë denoncimin në Shqipëri e botë të farsës elektorale, PD do bëjë analizë të plotë të të gjitha problemeve, që të modernizohet dhe hapet gjithnjë më shumë”, tha kreu i PD, duke iu shmangur përgjegjësisë për humbjen më 11 maj dhe që të respektojë atë që votoi vetë pasi largoi Lulzim Bashën duke i marrë vulën e partisë.

Berisha i kushtoi hapësirë edhe denoncimit për atë që po ndodhte me HEC-in e Skavicës në Dibër, duke iu referuar edhe raportit të Këshillit të Europës.

“Denoncohet afera e Skavicës, ndër më katastrofalet për Dibrën, që de fakto asgjësonte Dibrën e shekujve. Trashëgimi e paranojës së Enver Hoxhës”, tha Berisha për këtë rast.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Prova e fundit: 22/07/2025 20:56

    Nese zoti doktor Berisha nuk fiton as ne Zgjedhjet e 2027 tiranen ose mbi 45% te bashkive ne republike duhet ta mendoje nje votbesim Brenda PD ama edhe ne 2027 po afrojne Zgjedhjet eshte mire doktori te jete sepse ka nis projektin opozita reale dhe nuk eshte qudi po arriti ta marré bashkine Tiranë ne 2027 opozita e bashkuar atehere mbetet nje fitore gladiatoresh nese i humb edhe Zgjedhjet vendore 2027 masivisht atehere vetriciklohet politika

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?