Sali Berisha gënjen për Portin e Durrësit pasi është i përfshirë vetë ‘kokë e këmbë’. Kështu ka deklaruar para pak minutash ish-kryetari i Partisë Demokratike, deputeti Lulzim Basha. Berisha e akuzon atë se administratori i kompanisë së kunatit të Bashës, Oltjan Hoxholli, vijon të jetë në punë edhe në këtë kompani dhe tashmë edhe në kompaninë që pritet të marrë Portin e Durrësit. Por Basha ka publikuar një dokument, nxjerrë nga QKB, ku evidentohet qartë se më 13 korrik 2021 Bordi i Ortakëve të Kompanisë së kunatit të Bashës ka vendosur largimin e Hoxhollit nga pozicioni i Administratorit. Vetëm 3 ditë më pas në datën 16.07.2021, ky shkarkim është reflektuar edhe në regjistrin e QKB. Basha e akuzon Berishën si gënjeshtar pasi sipas tij është vetë i përfshirë.
“Arsyeja pse non grata gënjen dhe shpif publikisht është që të heqë vëmendjen nga ky fakt: ai dhe oligarkët e oborrit të tij janë të zhytur kokë e këmbë në aferën e Portit të Durrësit. Dhe jo vetëm aty”, shkruan Basha në Twitter.
Berisha akuzoi ditën e djeshme për herë të disatën Lulzim Bashën si të përfshirë në Portin e Durrësit ku sipas tij Basha dhe Rama kanë shkrirë aksionet për t’i bërë gjëmën shqiptare. Berisha ka publikuar dje letrën e kompanisë gjermane EMS Shipping and Trading me të cilën i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar. Sipas Berishës kompania ka një kontratë 35-vjeçare për kalatën lindore të Portit të Durrësit dhe se mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim.