TIRANË- Lulzim Basha akuzoi Sali Berishën se mban veten kriminelë dhe përmendi edhe Fation Dautin, i cili sot shkelmoi derën e selisë së PD-së, por ish-kryeministri i është kundërpërgjigjur në të njëjtën monedhë. Berisha tha se Dauti, është një militant i PD-së, i cili në kohën e çadrës, ka ndenjur krah Bashës.
"Unë kam vetëm një shoqërues, personi që theu derën është një militant i PD, sipas mediave me precedentë nga Britania e Madhe, unë këtë nuk e di. I një familje të persekutuar nga Hasi i cili ka ndenjur me netë të tëra në çadër. Më kanë dërguar me dhjetëra foto dhe video të Lulzim Bravës me Fatjonin. Nuk i di veprat penale që mund të ketë kryer por sot për sot kam arritur në përfundim se dy kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë janë Edi Rama dhe Lulzim Basha që po marrin peng pluralitetin politik.
Ky është krim i shëmtuar me pasojë të jashtëzakonshme mbi 2.8 milionë shqiptarë. Ndaj unë u bëj thirrje shqiptarëve të zhvendosin shënjestrën e tyre, por ju them se kriminelët më të mëdhenj janë ata që duan të marrin peng pluralizmin. Këta njerëz nuk po merren vetëm me dosjen personale se nëse Fatjon Dautajt Lulzim Basha nuk i përmendi një dosje. Unë i përmend Lulzim Bashës Toyota Yaris. Por unë nuk i them për këto. Unë u them atyre se me këtë akt po ngjiten në nivelet e krimit politik të Enver Hoxhës. Të mbushësh selinë e PD me narko-policë dhe banditë", tha Berisha në një intervistë në media.
Pyetur nëse ka frikë se do të arrestohet, Berisha tha se nuk i trembet.
"Ata janë individë që vijnë nga bota e krimit politik. Nuk më impresionojnë. Kurrë nuk kam frikë sepse kam qëndruar gjithë jetën time në vendin tim dhe kjo është trimëria ime kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk do më dëgjoni kurrë të ketë një shkelje ligji në detyrat ku unë kam qenë", tha ai.
Skenaret për të cilat sot foli Basha, për Berishën janë tregues se ai ka pranë njerëz të armatosur.
"Tregon që është i përgatitur me njerëz të armatosur. I them Bashës nuk ka skenar, nuk ka bravë në bote që i ndal demokratët në qëllimet e tij. PD sot më shumë se kurrë është në duart të anëtarësisë. Lulzim Brava është peng dhe përpiqet, ose urdhërohet të dëmtoje, por në fakt pa asnjë sukses. Çdo orë që kalon në atë seli…. Nuk ka forcë që të mund t’i rezistojë ajo pakicë që mendon se mund të qeverisë, apo të shtypë shumicën. Ajo është ose totalitare, ose terroriste ose banditeske. Kjo pakicë do hidhet mënjanë. Qenka i përgatitur për dallgën e revolucionit", përfundoi ish-kryeministri.