Kryedemokrati Sali Berisha ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg ku ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri duke akuzuar qeverinë aktuale dhe kryeministrin Edi Rama po uzurpim të pushteteve.
Berisha është ankuar për miratimin e programit qeverisës brenda 28 minutash, një minutash ky rekord krahasuar me rastet e tjera në Kuvend, një përfundim që erdhi si rezultat i kaosit që opozita shkaktoi në sallë gjatë fjalimit të Edi Ramës.
“Zoti President, qeveria e re dhe programi i saj, programi katërvjeçar, u votuan për 28 minuta. 28 minuta. Mbi bazën e një skenari të përgatitur mirë. Duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur gjithashtu edhe rregullat e Parlamentit. Ata votuan me urdhër të Kryeministrit në sallë. Votuan për 28 minuta.
Ky ishte debati. Kur ne, si opozitë, kërkuam të vihej një mocion për debat mbi programin e qeverisë, u refuzua. Të drejtat kushtetuese dhe të drejtat që burojnë nga rregullat e Parlamentit të deputetëve nuk respektohen aspak”, tha Berisha.
Sali Berisha hedh dyshimet për instalimin e një sistemi përgjimi të internetit nga qeveria, ndërsa thotë se këto po verifikohen nga ana e tij, ndërsa është shumë i bindur në atë që thotë.
“Tani, pas kësaj, ka shumë të dhëna se ata kanë instaluar një sistem të thellë përgjimi të internetit. Në një moment, ata bllokuan TikTok-un. Ne po e verifikojmë, por ka të dhëna shumë të qarta, kristal, se kjo ka ndodhur”, tha ai.
Kryetari i PD-së, përpara trupës së PPE-së e ka cilësuar kryeministrin e Shqipërisë si një ‘sheik’, i cili lëviz nga një qytet në tjetrin dhe shkarkon në shkelje me ligjin këshilltarë e drejtorë bashkish.
“Kryeministri e ndien veten si një sheik apo emir, që shkon qytet më qytet dhe shkarkon vetë kryebashkiakët e tij, këshilltarët dhe drejtorët. Ne e kemi njoftuar Kongresin e Autoriteteve, ata do të sjellin më herët një mision për të parë situatën, sepse nuk ka autonomi, nuk ka asnjë autonomi të pushtetit vendor. Zoti President, këtu kjo është bërë krejt normale”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Berisha dhe njëherë ka përmendur drogën e krimin si mjetet kryesore të mbështetjes së fuqizimit të qeverisë.
“Miqtë folën për kërcënime të ndryshme, kërcënimin rus, kërcënimin tjetër, kërcënimin tjetër. Për shqiptarët, kërcënimi më i madh ekzistencial është droga. E vërteta është, e vërteta është se, ne do t’ju informojmë ju, kolegë të nderuar, me dokumente dhe materiale, por çfarë ka dalë?:”, tha Berisha.
Gjithashtu ai tha se qeveria sot po i ushtron presion të vazhdueshëm ndërkombëtarëve për hartimin e raportit për zgjedhjet e mbajtura më 11 maj. Kryedemokrati thotë se pas vonesës së publikimit të këtij raporti, fshihet kryeministri Rama dhe ministria e Jashtme.
Komente
