Me sa duket, në kampin e PD-së ka filluar një “kryengritje” e heshtur e ish-deputetëve që u lanë nga Berisha jashtë Parlamentit. Pavarësisht se hartuesi i listës ishte kreu i PD-së, ata ‘të keqen’ nuk e gjejnë tek ai, por te kolegët-deputetë të PD-së.
I pari ka qenë Myslim Murrizi, i cili nëpërmjet një postimi u ka kërkuar deputetëve të grupit parlamentar të PD-së të mos protestojnë vetëm për hotele dhe televizione private, por të ngrejnë zërin edhe për vjedhjen e naftës nga ‘Bankers’, e cila, sipas demokratit, ka pasur bekimin e të gjitha qeverive.
Ka mjaftuar ky postim i Murrizit, që edhe Edmond Spaho, i njohur për qëndrimet e tija luajale ndaj lidershipit, të ngrejë krye dhe të shpërndajë postimin e ish-deputetit të Lushnjes, shoqëruar me shënimin: “Opozita është e zënë me probleme më të rëndësishme, p.sh. si t’i kalojmë pushimet me sa më pak shqetësime, ose si të mbështesim financimet e ndonjë oligarku mediatik.”
E para që ka reaguar ndaj postimit të Spahos ka qenë ish-deputetja e Vlorës, Liljana Elmazi, e cila, po ashtu, u la jashtë Parlamentit nga Berisha, që ka nxituar të komentojë dhe të akuzojë kolegët e PD-së, se janë të zënë me marrje tenderash dhe lejesh ndërtimi. Elmazi, në dallim nga Spaho, e vijon edhe më tej akuzën, duke u shprehur se bëjnë si në kohën e Lulit, duka harruar që nuk është më Basha kreu i PD-së, por Berisha.
“Ose si të marrin ndonjë tender, koncesion park fotovoltaik, leje ndërtimi apo ndonjë para të thata siç bënin kur ua jepte Luli në seli që të thërrisnin policinë të na helmonin apo të na vrisnin ne, idealistëve, që u bashkuam në acar. Tani na ngelet të këndojnë: mora pushkën dola malit, të luftoja për Atdhe, ku e dija unë i shkreti se armiku ishim ne.” – shkruan ish-deputetja vlonjate.
Këto pëshpërima në rrjetet sociale të ish-deputetëve të PD-së, nuk e adresojnë problemin te thelbi, por merren me sulme ndaj kolegëve të tyre, gjë që nuk shërben për asgjë, vetëm për shfryrje të inateve personale, sipas parimit: “Kur s’ke çfarë i bën gomarit, i bie samarit.”/ TemA
Komente

Shqiperia behet edhe pas Lulit e kreu misionin e tij tani te haje me shendet pensionin e partizanit veteran
Përgjigju