Berisha i pandehur/ Meta e merr në mbrojtje: Vendim politik i paracaktuar! Sulmon SPAK: Nën drejtimin e Dumanit, ‘vrasës’ si Nuredini

12 Shtator, 14:39| Përditesimi: 12 Shtator, 14:48

  • Share

Ndonëse iu shmang një ditë më parë protestës para godinës së SPAK teksa Sali Berishës i komunikohej akuza për korrupsion për aferën “Partizani”, Ilir Meta e quajti vendim të paracaktuar nga Rama, marrjen të pandehur të ish-kryeministrit.

Ai sulmoi SPAK duke thënë se nën drejtimin e Altin Dumanit është kthyer në vrasës me parapagesë, njëjtë si Nuredin Dumani.

‘Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale mercenare, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit, për të marrë të pandehur pa prova, pa dëshmi, pa fakte dhe pa dokumente, liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e mirëfilltë politike e diktuar dhe e paracaktuar nga Edi Rama, në funksion të axhendës së tij elektorale, me qëllim asgjësimin me çdo mjet të opozitës, të demokracisë dhe të pluralizmit politik.

Shërbimi i verbër që SPAK-u po i bën Narkoshtetit duke goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur  korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij, si edhe një tradhti kombëtare ndaj Shqipërisë që ka nevojë ulëritëse për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta.

Është ky SPAK që as nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, jo vetëm për çështjen e Sali Berishës por edhe për shumë çështje të tjera ku firmat e tij janë hedhur mbi afera kriminale.

Sali Berisha është nën arrest me pretendimin se ka nisur procesin e privatizimit të “Klubit Partizani” dhe ka ndryshuar destinacionin ndërkohë dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga Qeveria socialiste kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama, që nuk përmendet fare në dosjen e stisur.

Në rastin e ndërrimit të destinacionit të “Klubit Partizani” ku shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë, SPAK ka anashkaluar të gjitha vendimmarrjet e bashkisë së Edi Ramës dhe ka shkuar drejt e tek Sali Berisha, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese e kishte të ndaluar t’i ndryshonte ato.

Ndërsa për analogji në rastin e inceneratorëve ku dëmi llogaritet në qindra miliona euro dhe pagesat për një shërbim që nuk kryhet vazhdojnë normalisht, Dumani, vegla qorre e Edi Ramës në krye të SPAK, në vend që të hetojë, akuzojë dhe arrestojë Edi Ramën, që në kundërshtim me ligjin dhe qëndrimin kundër të dy ministrave i dha bonusin kompanisë së paregjistruar, ka arrestuar një drejtor bashkie bedel që ka bërë propozimin për dhënien e bonusit.

Ky vendim pa asnjë baze ligjore ndaj Sali Berishës në vitin elektoral përfshirë izolimin dhe pamundësimin e aktivitetit të tij si lider i Partisë Demokratike dhe si deputet, është dëshmi e qartë se SPAK nën drejtimin e Dumanit është shndërruar në një “vrasës me pagesë” më i egër dhe më i padenjë se vetë Nuredini, duke u vënë totalisht në shërbim të zgjatjes së jetës së Narkoshtetit dhe mbrojtjes me çdo mjet të korrupsionit skizofrenik dhe lidhjeve të tmerrshme kriminale të Edi Ramës, Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe të gjithë bandës së “Rilindjes”.’- tha Meta.

Sali Berisha është bërë zyrtari më i lartë në historinë e shtetit shqiptar që merret i pandehur për korrupsion. Ish-Presidentit dhe ish Kryeministrit i është komunikuar zyrtarisht akuza në SPAK, ku është ballafaquar edhe me provat. Vetë Berisha që kishte thirrur një miting para prokurorisë foli për akuza politike. Akuzat për aferën Partizani për korrupsion dhe pastrim parash i janë komunikuar edhe dhëndrit Jamarbër Malltezi.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?