Sali Berisha, gjatë takimit me strukturat e partisë, sot në Durrës

Politikë

Berisha i përgjigjet Ramës dhe mbron aleancën me Gjuzin: Zogu i qyqes, vodhi me ‘Lubi Ballukun’ 50 mln euro te tuneli i Llogarasë! Koalicion fitues

6 Mars, 19:49| Përditesimi: 6 Mars, 19:57

  • Share

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot (6 mars) një takim me strukturat në Durrës. 

Teksa prezantoi programin e koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ai premtoi zhvillimin ekonomik pas 11 majit, ndërkohë që në krahun tjetër akuzohet për korrupsion nga SPAK prej më shumë se një viti për aferën në dosjen “Partizani” dhe po për të njëjtin motiv është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe prej disa vitesh.

Berisha nuk i kurseu as akuzat ndaj kundërshtarit të tij, Edi Rama, i cili e etiketon në reagime dhe video-postime me epitetin si “bufin e kënetës”.

Zërave të fundit se prokurori Olsi Dado kishte mbaruar shkollën me vajzën e tij, Argita Berisha (Malltezi) dhe ishin shokë, ai e mohoi, duke thënë se magjistrati e kishte dënuar atë me vendime kundër. Dado është prokurori që urdhëroi edhe arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj më 10 shkurt.

“Thonë se ai ka mbaruar shkollën me vajzën time, kështu thonë, unë nuk e kam pyetur. Por problemi është se ai i ka vendimet kundër meje, ka marrë vendime kundër meje (Olsi Dado)”, u shpreh kreu i PD-së.

Dhe një përgjigje për Ramën, të cilit i ktheu ‘kusurin’ me një tjetër epitet, “zogu i qyqes” dhe ‘banor i parkut zoologjik’.

“Ata janë në tension. Rama ka nisur të flasë për zhaba, zhapikë, hardhuca, e ka shndërruar veten në një banor të parkut zoologjik, nuk merret me gjendjen ku është vendi, me problemet. Ai bën si zogu i qyqes”, tha Berisha.

Ai akuzoi qeverinë, kryeministrin Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku si të korruptuar dhe që vjedhin paratë e buxhetit, duke deklaruar se “50 mln euro vjedhje janë bërë vetëm te tuneli i Llogarasë”.

Më tej foli për programin ekonomik, për rroga jo më pak se 500 euro, pensione dhe minimum jetik mbi 200 euro, rroga mesatare 1200 euro, kartë konsumatori për pensionistët, ulje të çmimit të ujit dhe energjisë. 

“Çmimi i ujit do përgjysmohet, Austria e ka ujin falas, edhe Shqipëria mund ta kishte ujin falas po të menaxhohej mirë. Projekt “Made in Albania”. Do ulim çmimin e energjisë me 7 lekë. Ne jemi drejt fitores. Kushdo që do ndërhyjë në zgjedhjet e Durrësit do marrë ndëshkim ekzemplar pas 11 majit, qytetarët e Durrësit nuk duhet të votojnë sipas vullnetit të Gjushit (Vangjush Dakos) dhe bandave kriminale, por sipas vullnetit të tyre”, tha Berisha mes të tjerash.

Ai njoftoi edhe ndarjen e PD-së së Durrësit në dy degë, të qytetit dhe të Sukthit.

Në fund edhe sulme të radhës ndaj Xhorxh Soros, që e quajti ‘armiku i shqiptarëve’, kurse kryeministrin e cilësoi “kukulla e Sorosit”, duke lavdëruar punën e konsulentit amerikan Chris LaCivita, ish-konsulent i fushatës së Trump, duke e quajtur edhe “kryemagjistar”.

Berisha mbrojti edhe koalicionin me 26 parti dhe Kujtim Gjuzin, që sulmohet nga Rama. 

“Ato parti kanë 1/3 e votave të qytetarëve shqiptarë, ndaj ai ka dy ditë mban në gojë ato gjëra që i dhëmbin më shumë, përmend emra për koalicionin, por ato parti përbëjnë 1/3 e votave të shqiptarëve, është koalicion madhështor”, përfundoi Berisha.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?