Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Berisha ka vendosur ta keqpërdorë Lulzimin

12 Maj 2021, 14:42| Përditesimi: 12 Maj 2021, 14:46

  • Share

Kinostudio “Shqipëria e Re”, do ta kishte zili një personazh si Lulzim Basha. Një kryetar partie, që i rikthehet fushatës elektorale, edhe pse ka pranuar rezultatin e saj. Një kryetar si ai, që nuk di çfarë kërkon më shumë nga ata që mbledh tutje-tu, sa në Durrës apo Lezhë, duke menduar se “do të më besojnë edhe kësaj here”. Sali Berisha me “heshtjen” e tij,duket se ka vendosur ta diskreditojë përfundimisht Lulzim Bashën. Toleranca e shtirur e ish-kryetarit ndaj humbjes dhe mungesës së reagimit institucional të Lulzimit, flet më shumë se gjithçka tjetër kërkon ai me “ankesat për votat e vjedhura” të kutive. Berisha tanimë e di fare mirë, se Lulzimi është krejt i papërgjegjshëm në ushtrimin e funksioneve shumë të rëndësishme që ka patur dhe ka aktualisht. Berisha e di fare mirë, se Lulzimi nuk ka lënë “gjurmë” të mira as kur ishte ministër, as kur ishte kryetar bashkie, dhe as tani që mban me “pahir” postin e kryetarit të partisë.

Aktualisht Partia Demokratike e Lulzimit, nuk ka asnjë lidhje me partinë e Berishës. Por hezitimi për ta “ndëshkuar”, ndoshta lidhet me mundësinë për ta lënë Lulzimin të zhvillojë deri në fund “betejat” e tij. Pavarsisht se e mbajti pranë dhe emëroi “mëkëmbësin” e tij, Lulzim Basha kurrë nuk u identifikua si kryetar partie me moralin dhe vërtetësinë e njeriut që di të fitojë dhe frymëzojë. Berisha që pas humbjes së zgjedhjeve të 2017, ka qenë njeriu i vetëm që duke mbajtur Lulzimin kryetar, kishte menduar të siguronte pavdeksinë e tij politike edhe mbi PD-në. Cilindo tjetër që do të kishte humbur 4 palë zgjedhje rresht, Berisha do ta kishte sikterrisur nga PD-ja. Ja që me Lulzimin ndryshon puna, pasi përmes tij,Këshilli Kuvendor i PD-së, u hapi rrugë fëmijëve dhe dhëndrit për të hyrë në parti.

Produkti i Kuvendit të PD-së që u propogandua me të madhe, si “Partia e Re” e Bashës, në fakt ishte dhe mbetet partia e Berishës. Kujtojmë këtu se Sali Berisha deklaronte asokohe se “Këshilli Kombëtar i PD, është sot më përfaqësues në historinë e PD-së”, ashtu siç deklaronte se “lista e PD është më përfaqësuesja në historinë e saj”. Dhe rezultati dihet. Zgjedhje të humbura, mandate të djegura, protesta të dhunshme, ftohje dhe sulme ndaj ndërkombëtarëve, largime nga PD-ja, dhe një kryetar që nuk pranon se është shkaktari i gjithë kësaj situate. Natyrisht me heshtjen e tij, apo me ndonjë ndërhyrje tangentale, Sali Berisha të jep përshtypjen se “unë jam dorëhequr, nuk kam të bëj me rolin e kryetarit në PD”. Por e vërteta është ajo që shohin dhe dinë gjithë shqiptarët, vërtetim i të cilës ishte deklarata e Lulzim Bashës për “babain politik”.

Përfundimisht, Sali Berisha ka vendosur ta keqpërdorë beniamimin e tij, (humbësin serial të zgjedhjeve) por në një formë tjetër, duke dashur ta mbajë si “levën e tij” deri në momentin kur të ketë gjetur njeriun e duhur për ta zëvëndësuar. Ndoshta dhëndrin… apo dikë tjetër, kjo shumë shpejt do të shihet në fushatën e re zgjedhore të korrikut.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?