Sali Berisha

Berisha ‘karantinon’ PD-në e ‘fiton’ ndaj SHBA, Rama projekton fitoren e 2023-it

23 Maj 2022, 18:29| Përditesimi: 23 Maj 2022, 18:30

  • Share

Sali Berisha u zgjodh një ditë më parë kryetar i “Rithemelimit” apo PD siç e cilëson ai grupimin që e mbështet. Ndonëse çështja është në Apel pas ankimimit të kryetarit të komanduar të kësaj partie Enkelejd Alibeaj, njëherësh dhe kryetar i grupit Parlamentar të PD, Berisha nuk “tundet”.

Askush nuk e vuri në diskutim fitoren e Berishës përballë kandidatit Ibsen Elezi, ish kreut të PD të Kukësit. Ishte një fitore e paralajmëruar që në momentin kur Berisha detyroi Bashën me të gjitha mënyrat që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.

Më shumë se sa për fitoren, Berisha punoi fort në dy fronte: Të gjente një kandidat që zgjedhjet më 22 maj të plotësonin kushtetet e një gare, ndonëse formale, të cilin e gjeti. Dhe në takimet e fushatës me mbështetësit u kujdes fort të vijonte luftën me SHBA dhe Blinken, për ta prezantuar më pas si një ‘fitore’ kundër Amerikës.

Nuk la rast pa deklaruar se ai dhe mbështetësit e tij kishin kaluar shumë presione, shumë pengesa por që më në fund ia dolën të fitonin. Jo më kot në daljen para medias, në momentin kur u shpall fitues përballë Elezit, Berisha tha: “U krye”. Madje arriti deri atje sa ta cilësojë dhe mrekullinë e vërtetë të politikës shqiptare, duke përdorur citatin e ish sekretarit amerikan të shtetit Bejker në vitin 1991, në vizitën e tij në Shqipëri, se shqiptarët kanë të drejtën e tyre të zgjedhin vetë e në mënyrë demokratike udhëheqësit e tyre.

Gjithçka Berisha e konvergon në shërbim të nismës së tij politike për t’u rikthyer në krye të PD pas 9 vitesh në “pension” politik dhe drejtimi në prapaskenë, teksa më 2013 dha dorëheqjen nga drejtimi i saj, pas humbjes së zgjedhjeve përballë Edi Ramës dhe PS.

Me zgjedhjen kryetar i PD, nëse s’ka ndonjë vendim surprizues nga gjykata e Apelit që mund të marrë në konsideratë ankimimin e Alibeajt ndonëse ish kryeministri dhe mbështetësit e tij nuk rreshtin se sulmuari dhe bëri presion ndaj gjyqtares, mund të themi se Sali Berisha e zgjidhi një pjesë të hallit të tij. Mori drejtimin e partisë më të madhe të opozitës, për ta përdorur si mburojë përballë SHBA-së por dhe drejtësisë. Pra e bëri hallin e tij dhe hall të opozitës.

Por ama, është PD ajo që tashmë gjendet në kurthin e madh të ngritur prej Berishës. Praktikisht PD, “fitoi” kryetarin por si “paketë” mori dhe “karantinimin” e saj. E themi këtë sepse më se një herë SHBA, përmes zyrtarëve të saj të lartë që kanë ardhur për vizitë në Shqipëri, por dhe të ambasadores Yuri Kim, e ka deklaruar shqip dhe qartë: Nëse Berisha zgjidhet në krye të PD, Uashingtoni nuk do të ketë jo vetëm bashkëpunim por as komunikim me këtë parti.

Kështu që për herë të parë një parti politike në Shqipëri, aspirante për të ardhur në pushtet, nuk ka asnjë marrëdhënie me qeverinë amerikane. Nuk kishte as PPSH e Enver Hoxhës, por një parti ishte “laj thaj”, ndërsa vendi ishte zyrtarisht diktaturë. Enver Hoxha “s’përtonte” të deklaronte se vendi qeverisej nga diktatura e proletariatit. Proletarët punonin e s’kishin të drejtë të ankoheshin sepse i ndalonte neni 55 i agjitacion e prapagandës, ndërsa udhëheqja e PPSH kishte në dorë gjithë drejtimin e shtetit. Kishin dhe “luksin” që të sulmonin “imperializmin amerikan”, pasi vendi ishte aq i izoluar sa as miza nuk kalonte. Ishte tërësisht “sovran”, në raport me superfuqitë, vendet perendimore, rajonin, por dhe me mirëqenien dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Nuk kishte fare elementë të tillë në këtë vend, ndaj nuk prekej fare kjo temë. “Sovranë” totalë me një fjalë.

Berisha, duke iu rikthyer 25 viteve kur ka qënë anëtar dhe sekretar i PPSH ka marrë dy elementë nga ish partia e tij dhe “babai” shpirtëror Enver Hoxha: Sundimin e njëshit, që mund të ngrihet dhe nga “varri” pas 9 vitesh e të marrë drejtimin e PD, e “sovranizmin” e izolimin total të partisë që drejton. Pasi Shqipërinë nuk ka shanse ta izolojë, sepse me ardhjen e tij në krye të PD, kjo parti do të shkojë shumë gjatë, po shumë gjatë ama, në opozitë e pa e ndjerë ‘erën’ e pushtetit.

Por PD s’është izoluar vetëm nga SHBA. Sinjalin e dha dhe Europa, ku njëri ndër përfaqësuesit më në zë të së djathtës gjermane, ish eurodeputeti e deputeti aktual gjerman Gunther Krichbaum, zyrtar i lartë dhe i PPE-ve, grupimit të partive të djathta europiane e mbështetës i vazhdueshëm i opozitës shqiptare, ishte i qartë  kur deklaroi se nuk do të ketë bashkëpunim me PD-në nëse në krye të saj zgjidhet Berisha. Pra partia më e madhe opozitare ka një izolim total nga SHBA dhe Europa, përsa kohë do ketë një të shpallur “non grata” si Berisha në krye të saj. Kjo u reflektua  më pas, teksa asnjë prej liderëve të PPE apo miqve të pretenduar të tij nuk i dërgoi mesazh urimi Berishës për rikthimin e tij në krye të PD. Madje as hungarezi “rebel” Viktor Orban.

Situata e përçarjes, kaosit dhe të bindjes se nuk vijnë asnjëherë në pushtet me Berishën kryetar, u reflektua dhe ditën e 22 majit në votimin e Berishës si kryetar i PD. Nga 112 mijë anëtarët e deklaruar nga Berisha kohë më parë se ka PD, me stërzgjatje votimi deri në orën 20.00 të ditës së dielë, me ndonjë “dorë” ndihme nga komisionerët kur nata poi binte, mezi u arrit në 43 mijë votues si pjesëmarrje, 93 përqind të të cilëve votuan për Berishën. Pra një bojkot i qartë i demokratëve ndaj kësaj farse zgjedhjesh për kreun e PD dhe një ndëshkim për vetë Berishën.

Pjesa tjetër, PD-ja zyrtare dhe ata që shihen si partnerë nga ana e SHBA, BE por dhe mazhoranca socialiste për takime e negociata, përfshirë këtu dhe ato të cunguara për zgjedhjen e Presidentit të ri, ishin pushim dhe në plazhe.

Fotoja e kreut të komanduar të PD njëherësh dhe kryetar i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj në plazh në bregdetin shqiptar, është shembulli më kuptimplotë i situatës së krisur në këtë parti, një “investim serioz” i Sali Berishës për ta zhbërë dhe përdorur thjeshtë dhe vetëm si një mantel mbrojtës për hallin e tij përballë SHBA-BE-së e drejtësisë, ku ka dosje të rënda në ngarkim të tij, që herët apo vonë kur drejtësia e re të bëhet dhe t’i dalë frika, do të merren në shqyrtim.

“Dorëzimi” i mbështetësve të Berishës te votimi farsë për kryetarin, apo i kundërshtarëve të Berishës tek pushimi dhe plazhi tregon se dhe lidershipi i të dy grupimeve në këtë parti e ka humbur shpresën se mund të fitojë ndonjë garë elektorale. E themi këtë sepse në pranverën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor, që në një formë apo tjetër janë dhe përcaktuese për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025, dhe si rëndom partitë politike në Shqipëri e fillojnë fushatën një vit përpara.

Në PD s’dëgjohet “erë” përgatitjesh për zgjedhje, ku me sa duket e kanë ndarë mendjen se i kanë të humbura. Janë të bindur dhe vetë për këtë. Teksa në PD këtë të dielë mbështetësit e Berishës ishin në zgjedhje për kryetarin e saj, varet gjithçka siç e theksuam nga vendimi i Apelit ndryshe do mbeten pafundësisht dyerve të gjykatave, ndërsa kundërshtarët relaksoheshin në plazhe apo në udhëtime malore, lidershipi socialist ishte në terren. Takimet për evidentimin e rezultateve gjatë qeverisjes së këtyre viteve në pushtetin vendor të alternuar dhe me atë qëndror, detyra për të ardhmen dhe strategjinë e qeverisjes së radhës në mandatin e ri në qeverisjen vendore, zinin pjesën më të madhe të postimeve në rrjetet e mediat sociale, ekranet televizive dhe më tej, të zyrtarëve të lartë socialistë gjatë tërë këtyre ditëve, por dhe të dielën e 22 majit.

Pra Edi Rama, përmes vendimit të asamblesë Kombëtare e Kongresit, si dhe të forumeve të tjera partiake ka përcaktuar strategjinë për të arritur fitoren në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2023, duke freskuar drejtimin vendor të PS dhe duke i zbritur në terren të gjithë drejtuesit nga qendra në bazë. Po përgatitet dhe po punon fort PS për këtë fitore.

Në vend që PD si çdo opozitë normale të ishte e “uritur” për të ndërtuar strategji dhe përdorur mjete të reja që t’i mbushë mendjen elektoratit që t’i votojë për të ardhur në pushtet, është PS që ka disa mandate që qeveris pushtetin vendor në shumicë, që ka tre mandate radhazi që qeveris në pushtetin qëndror, ajo që është e “uritur” për fitoren e radhës.

Një fakt i qartë se PD nuk është gati për të pushtet. Por dhe se po përdoret për hallin e Berishës. Praktikisht PD ka humbur shpirtin fitues. Për të mos thënë është shuar, Berisha pas e zhbëri, i vuri dhe “gozhdët” e fundit “arkivolit”.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?