Ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha, ish-ministër i Jashtëm

Berisha krenar që i fali 'Detin' Greqisë, Kushtetuesja dhe pritshmëria nga Dumani

21 Dhjetor 2022, 20:49| Përditesimi: 21 Dhjetor 2022, 20:52

  • Share

Sali Berishës i është ‘fiksuar’ që, nëse do ta mbajë mirë me fqinjin tonë jugor Greqinë, atëherë rikthimi dhe qëndrimi në pushtet është i sigurtë. E ka manifestuar këtë ‘fiksim’ që pas vitit 2004. Do të thotë ndokush, se kur ishte ai momenti ku Berisha e “kapi” këtë element që përcaktoi më pas dhe vijën politike që ai ndoqi në raport me Athinën zyrtare?!

Eshtë shumë e thjeshtë të gjendet zanafilla e ndryshimit të ‘kursit” nga ish kryeministri, nëse ndjek linjën e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë, në kohën kur Berisha ishte në qeverisjen e parë, kur ishte në opozitë për 8 vite pas tragjedisë së marsit 1997 dhe në qeverisjen e dytë të PD që startoi në vitin 2005 dhe vazhdoi deri në vitin 2013.

Linja e ashpër në marrëdhëniet me Greqinë nga Berisha në pushtet filloi fill pas arrestimit të 5 minoritarëve, të akuzuar për vrasjen në Peshkëpi. Ishte tragjike kjo vrasje në postën kufitare, ndërkohë që Berisha kërkoi nga ish kreu i atëhershëm i gjykatës së Kasacionit Zef Brozi që të dënoheshin me limitin fundor që parashikonte ligji 5 minotitarët e arrestuar për këtë ngjarje të rëndë. Pavarësisht se ata që kryen masakrën ishin jashtë qelisë, njëri prej të cilëve sot është aleat pikërisht me Berishën e që pretendon të zgjidhet kryetar bashkie në një zonë që s’është zyrtarisht minoritare, Himarën.

Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, që kishte gjithë mbështetjen e SHBA-së, i doli kundër ish- presidentit Berisha duke liruar më 1995 nga akuza e rëndë 5 minoritarët e arrestuar nga SHIK-u. Më pas Brozi, të cilit iu kërcënua dhe jeta në Shqipëri nga regjimi i Berishës, u largua në SHBA si azilant politik. Kjo shkaktoi acarimin e Berishës që nga një anë largoi Brozin e nga ana tjetër shkaktoi një “traumë” të vërtetë në marrëdhëniet me Greqinë.

Fundja nuk mund të bashkëpunonte dot në të dy krahët, nga një anë bënte çfarë i thoshtë Serbia deri në thyerje të embargos së OKB duke furnizuar Milosheviçin dhe makinën e tij luftarake që po kryente genoncid në ish republikat Jugosllave, përfshi dhe Kosovën, nga ana tjetër duhej të shitej si patriot duke “mbrojtur vendin nga shovinizmi grek”. Me të dy vendet fqinje nuk rrinte njëherësh në miqësi të thellë, pasi ‘dy kunguj në sqetull’ nuk i mbante dot. Kaq ishte Shqipëria, kaq takat kishte.

Kulmin e përplasjes me fqinjin jugor Berisha e arriti gjatë marsit 1997, sidomos pas prezantimit të raportit të ish kreut të SHIK-ut Bashkim Gazidede, i cili në seancën parlamentare “shpalosi” situatën e këtyre marrëdhënieve, duke nënvizuar se shërbimi sekret grek i mbështetur dhe nga CIA amerikane, kishin si qëllim pushtimin dhe tjetërsimin e Jugut në vendit, në bashkëpunim me kolabracionistët shqiptarë, për t’ia bashkangjitur Greqisë.

Po fliste seriozisht Gazidede, duke treguar në parlament harta greke, grupe të armatosura, “tradhëtarët” brenda vendit, duke përmendur “gjeneral” Arben Imamin, ky më vonë u bë Ministër i rëndësishëm i Berishës, dhe duke lakuar një emër: Nokolas Geixh, si kreun sipas tij, të realizimit të gjithë këtij skenari kundër Shqipërisë, për të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Dhe gjithnjë, sipas njeriut më të besuar të Berishës, skenari kishte mbështetje amerikane.

Madje Berisha e shpalli Nikolaes Geixh dhe “non grata” e duke e cilësuar armikun më të madh të shqiptarëve që kërkonte tjetërsimin e territorit  shqiptar dhe atashimin e jugut të Shqipërisë, Greqisë, lobim të cilin sipas Berishës, Geixh e kishte bërë në Uashington. Pra i shpalli armiq të gjithë, duke futur dhe SHBA-të në krye të listës, përmes atakimit të shërbimit të saj sekret, CIA-s amerikane.

Historia më pas dihet. Berisha u largua nga pushteti e për gati 8 vite, kryefjalë kishte armiqësinë me Greqinë, akuzat ndaj Fatos Nanos për shitje të interesave të vendit tek fqinjët. Madje lëshonte dhe deklarata nacionaliste të tipit: “Shqipëria është një si e tërë, deri në Prevezë”. Luajti me këtë tezë shumë, deri në momentin kur iu “fiksua” se Greqia dhe ngrohja e marrëdhënieve me të, ishte “melhemi” që mund ta rikthente në pushtet.

Këtu nis kalimi i Berishës në polin e kundërt e në ekstremin tjetër, te betimi i tij për të dhënë gjithçka në këmbim të pushtetit. Pa humbur asnjë sekondë kohë, Berisha përmes interlokutorëve vendosi lidhjet me “armikun” dhe të shpallurin “non grata” prej tij Nikolaes Geixh, i cili më pas vizitoi Shqipërinë dhe u takua personalisht me Sali Berishën. Ishin harruar të gjitha deklaratat e tij nacionaliste, armiqësia me Greqinë, “Vorio Epiri”, hartat e Gazidedes, “tradhëtarët” brenda dhe jashtë vendit. Pra ishte shuar “patrioti mobile” Sali Berisha, dhe ishte rikthyer në habitatin e vet: Luftë për rikthimin në pushtet me çdo kosto dhe mjet.

Berisha riktheu në PD dhe më pas në qeverisje “tradhëtarët” e të “shiturit” tek Greqia, që nga Imami, Ceka e deri tek të tërë ata të cilët përmbi 20 vite i kishte pasur “tabelë qitjeje” si armiq të PD. Pra ish kryeministri kaloi në ekstremin tjetër. Me ardhjen në pushtet më 2005 nuk përmendej më “Vorio Epiri”, dha lejen për ndërtimin e varrezave greke në Jug të vendit, madje dyfishin e kërkuar nga vetë grekët, aq sa më pas u deshën eshtra fëmijësh nëpër manastire për të mbushur arkat bosh të ushtarëve të rënë gjatë luftës së dytë botërore, dhe në ato vende ku s’kishte shkelur këmbë greku. Të paktën sipas historisë, që kemi mësuar.

Dhe “majën” Berisha e arriti në vitin 2009, kur Shqipëria dhe Greqia nënshkruan në Tiranë, marrëveshjen e ‘detit’, apo siç ka hyrë në terminologjinë politike në vend, “faljen e detit”. Pasi, në vitin 2009, diplomacia e dy vendeve ra dakord për përcaktimin e zonave të tyre detare dhe shelfit kontinental, pavarësisht vështirësive të hasura në negociatat mes dy palëve.

U ngritën grupet e negociimit, filluan punë madje pa pyetur e marrë konfermën sipas ligjit dhe Kushtetutës as nga Presidenti i asaj kohe Bamir Topi, punuan “fort” vetëm mbi hartat greke dhe bënë çfarë i deshi e ‘bardha zemër’ delegacionit grek. Kishin mbështetjen e plotë të Berishës, fiksimi i të cilit për të mbajtur mirë me Greqinë, në funksion të qëndrimit në pushtet, ishte kthyer në një bindje të thellë. Ishte vit zgjedhjesh, viti 2009, e me patjetër Berisha kërkonte një mandat të dytë qeverisës, ndonëse mbështetja për opozitën e atëhershme të Ramës ishte tepër e madhe.

Kështu marrëveshja, e ndërmjetësuar nga nga qeveria e PD të Berishës, parashikonte që afër 300 kilometra katrorë të ujërave territoriale shqiptare t’i jepeshin Greqisë. Falas, badihava, pa asnjë mbështetje ligjore të Shqipërisë apo Konventave ndërkombëtare për detin.

Dhe për ta “noterizuar” tamam këtë pakt për faljen e detit Greqisë, kryeministri grek Kostas Karamanlis zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë në prill 2009, i shoqëruar nga ministrja e Jashtme e asaj kohe Dora Bakojanis, e cila nënshkroi marrëveshjen e delimitimit me homologun shqiptar Lulzim Basha, në prani të kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha.

Kjo ishte dhe marrëveshja më e rëndësishme e nënshkruar mes dy vendeve që nga nënshkrimi i Paktit të Miqësisë po nga qeverisja e Berishës. Të gjithë i kanë në kujtesë fytyrat e qeshura të Berishës e Bashës, bashkë me Karamanlis dhe Bakojanis, teksa hidhnin firmën në marrëveshje dhe shtrëngonin duart fort. Liderët grekë kishin pse gëzonin pasi po përfitonin pa asnjë mund në kurriz të Shqipërisë, afër 300 kilometra katror territor, në det kuptohet.

Berisha kishte dhënë këtë sipërfaqe deti thjeshtë dhe vetëm për qëllimet e tij politike, pasi fill pas nënshkrimit të marrëveshjes për “detin” me Greqinë, aplikoi në Pragë zyrtarisht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe këtu Berisha kishte dhënë “dorovinë” e tij me lekët e shqiptarëve, sistemin e shpërndarjes së energjisë OSSH në privatizimin aq të diskutuar të CEZ, afera me të cilin arriti në 500 milionë euro. Pra, kishte dhe mbështetjen e Greqisë në këmbim të “detit”.

Fundja çfarë i kushtonte Athinës zyrtare dhënia e një mbështetjeje për negociatat, ndërkohë që anëtarësimi i Shqipërisë në BE kërkonte kohë dhe vakt, në këmbim të marrjes me ‘një dorë’ të një territori të gjërë detar nga Shqipëria falas. Anipse, sikurse e tregojnë studimet dhe kërkimet aty kishte pasuri marramendëse, duke filluar nga nafta dhe gazi.

Ndërsa pas ankimimit të PS në opozitë në atë kohë, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e “detit” të nëshkruar nga Basha-Bakojanis, pas të cilëve qeshnin ‘vesh më vesh’ realizuesit e vërtetë Berisha dhe Karamanlis. E rrëzoi me rezultatin 9 me 0 Kushtetuesja, duke e cilësuar si shkelje e sovranitetit të vendit, cënim të territorit të Shqipërisë, duke e tjetërsuar atë. Në shkelje të Kushtetutës shqiptare e të gjitha konventave ndërkombëtare të Detit. Ishte një akuzë e rëndë, të cilës në asnjë vend të botës nuk i ‘mbijeton’ askush, pa u përballur me burgun. Por Shqipëria është rast tjetër, Berisha kishte në dorë drejtësinë dhe nuk doli asnjë problem për 13 vite me radhë. Madje as sot!

Përkundrazi, Berisha më se njëherë është shfaqur krenar pë rmarrëveshjen e bërë me Greqinë, për faljen e afër 300 kilometrave katrorë det. Nuk lë rast pa goditur Edi Ramën dhe qeverinë e socialistëve se i shërbyen interesave të Turqisë me aktin e goditjes në Kushtetuese të kësaj marrëveshjeje, deri në rrëzim.

“Partneri ynë, Greqia, në 30 vjet ishte shumë i dobishëm për Shqipërinë. Mbështeti rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s dhe Evropës, investim serioz në vend. Greqia e nënshkroi marrëveshjen duke pasur për vete 6 milje detare ujëra territoriale. Edi Rama ishte ai që paditi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese. Turqia nuk u interesua kurrë për atë marrëveshje dhe bëri një ndërhyrje të fortë”, thotë ish kryeministri dhe kreu aktual i “Rithemelimit”. I cili vijon të jetë krenar!

Berisha teksa nënvizon shpërthimin e tensioneve në rajon duke u këmbëngulur te marrëveshja ende e papërfunduar e detit me Greqinë, e sipas tij ndërhyrjet e Erdoganit në Shqipëri, nuk kalon pa dhënë dhe konsideratat e tij të ndryshuara për Ankaranë. Ndonëse thotë se e vlerëson Turqinë, Berisha deklaron se “nuk e pranon doktrinën e neo-otomanizmit” . Pavarësisht se gjatë vizitave të dyanshme, dhe kur Erdogan erdhi në Shqipëri pas rrëzimit të marrëveshjes së ‘detit’ e në kulmin e fushatës zgjedhore të vitit 2009 për përurimin e një segmenti të Rrugës së Kombit, Berisha deklaroi se “shqiptarët në damarët e tyre kanë gjak turk”. Nuk e “dinte” asokohe Berisha ndoshta, ndërhyrjen e Turqisë për rrëzimin e “detit”, sikurse akuzon tash e sa kohë. Ose i ‘vlonte’ gjaku turk nëpër damarë.

Me sa duket Berisha ishte ‘ftilluar’, teksa deklaron se “Kushtetuesja hodhi poshtë një marrëveshje shumë të mirë. Pasi ajo kundërshtoi, i thashë qeverisë greke se jam i detyruar të respektoj vendimin. Por unë thashë të shkojmë në Hagë. Në fillim kanë qenë në mëdyshje, por më vonë pranuan, kur e panë se isha shumë transparent”.

Dhe socialistët në pushtet, e nënvizon fort Berisha, nuk arritën të nënshkruanin marrëveshjen e detit me Greqinë, dhe tashmë do të jetë Haga ajo që do ta zgjidhë përfundimisht sipas ligjeve ndërkombëtare. Por ama Berisha nuk pushon së këmbënguluri që marrëveshja e tij në vitin 2009 ishte më e mira, pavarësisht se i fali afër 300 kilometra katror territor shqiptar, Greqisë. E thotë Gjykata Kushtetuese këtë fakt, nuk e thotë as politika dhe as media.

Në fund të herës ajo që mund të themi është se Berisha, jo vetëm që nuk është penduar se fali këtë territor shqiptar fqinjit tonë jugor, por është krenar për atë pakt që ka bërë, anipse gjykata më e lartë në vend e rrëzoi marrëveshjen me argumentin se është cënuar territori shqiptar, sovraniteti i vendit, Kushtetuta dhe tërë ligjet e mundshme të detit.

Në një vend normal dikush duhej të jepte llogari. Me ngritjen e drejtësisë së re, me SPAK si institucioni më i lartë i hetimit, gjithkush mendoi se kjo dosje do të merrej në shqyrtim, pasi dhe provat e faktet janë të gatshme. Kushtetuesja mbi këto prova dhe fakte të pakundërshtueshme vendosi rrëzimin e marrëveshjes së Berishës për faljen e “detit” Greqisë.

Teksa kreu i SPAK Arben Kraja, erdhi, pa dhe iku për tre vite me radhë, pa guxuar as t’i zërë emrin në gojë Berishës, jo më të hetonte ndonjë dosje për të, i mbështeturi fort nga Perëndimi dhe shqiptarët si një shpresë e re për drejtimin e SPAK e hetimin në Shqipëri, Altin Dumani, le ta fillojë punën me dosjen e “detit”. E ka thuajse gati me prova e fakte. Do të realizonte goditjen më të shpejtë të drejtësisë së re, duke realizuar dhe në kohë rekord pritshmëritë e shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që të goditen “peshqit e mëdhenj” dhe të marrë fund njëherë e mirë pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend.

Ne shpresojmë, dhe s’duam të besojmë se nuk do ta marrë në dorë këtë çështje që nuk do as mund dhe as nerva për të kopsitur dosjen, pasi është thuajse e mbyllur. Do një çikë vullnet por dhe shumë këllqe. Shpresojmë t’i ketë Dumani këto elementë. Madje dhe e besojmë, përderisa degjojmë gjithë këtë mbështetje që deklarohet për të. Të presim, jemi shquar si durimmëdhenj ne shqiptarët.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Moisi: 22/12/2022 02:59

    Me te dobet dhe hipokrit se sa me lart nuk eshte pare shkrim. E nis me Saliun komunist, sigurims, e pastaj me UDB, CIA e pastaj EYP e dreqi e merr vesh. Sigurimsin Kraja e nxjerr pro Sales ndersa Dumanin qe askush sia ka analizuar si e qysh u be prokuror nga opgj Tropxhe, flet si per pasneser. Eh cpyka mban kjo toke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?