Berisha la Argitën pasuese, po partinë e re kur do e prezantojë?!

8 Qershor, 19:26| Përditesimi: 8 Qershor, 19:30

  • Share

Sa më që shumë afrojnë ditët e pushimeve të verës përvëluese të këtij viti, aq më shumë kreu i Rithemelimit Sali Berisha është i shqetësuar.

Jo se ka probleme se nuk ka pushuar këtë gjysmën e parë të këtij viti, dhe po gjen vështirësi për të gjetur vendin e përshtatshëm që të kalojë të nxehtin e verës me familjen e tij.

Për pushime Berisha i ka luajtur Zotin këtë vit, pasi me kërkesë të SPAK dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme, ka qënë në arrest shtëpiak që nga dhjetori i vitit të kaluar. Ndonëse pallati, me sa duket tërësisht i tiji dhe i familjes këtu në mes të Tiranës, është me goxha hapësira, kreu i Rithemelimit nuk e ka kapërcyer pragun e derës. Maksimumi deri në ballkonin e katit të tetë të pallatit për t’u folur atyre 30-40 vetëve që vijnë çdo pasdite ka dalë.

I mungon vila në Gjirin e Lalzit, ku kalonte muajt e nxehtë të verës por dhe vjeshtës, por ama në Tiranë s’ka qënë pa pushime e për këtë duhet t’ia dijë për ‘nder’ SPAK, që ia kurseu shpenzimin e energjive rrugëve në funksion të drejtimit të Rithemelimit, pasi helbete burrë në moshë është, ka hyrë tek 80-tat dhe ka nevojë të prehë kockat.

Megjithëse kjo ka dhe një të ‘keqe’. E kemi fjalën për strukturat drejtuese të Rithemelimit, të cilët duhet t’i ‘qajnë’ pushimet e kësaj vere, dhe të mos bëjnë gabim që të planifikojnë pushime jashtë vendit. Jo se duhet të bëjnë si të ‘përkorë’ dhe si pa lekë meqë janë në opozitë këtu e 12 vite me radhë, pasi nuk kanë probleme financiare asnjë sepse kanë punuar për këtë ditë, nga paratë tona kuptohet, por sepse duhet të jenë me Berishën non stop. Berisha është pushueshëm me ‘ndihmën’ e SPAK që e akuzon për korrupsion pasiv, dhe këtu ka ‘standarde’: pse të pushojnë vartësit e tij.

Për hir të së vërtetës Reithemelimit nuk i ka mbetur shumë për të bërë. Sepse në atë farë feje ku është katandisur, e ka orientuar betejën me Lulzim Bashën për të marrë qoftë dhe një votë më shumë se sa ai, dhe aspak për të bërë betejë me Edi Ramën kryeministër të vendit, i cili e ka të sigurtë fitoren në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, për të qeverisur dhe një mandat të kartët. E ndoshta për të hedhur piketat dhe për mandate të tjerë.

Ndaj, këto lëvizjet e tanishme të Berishës, janë të ngjashme me ato të një njeriu të moshuar që nis e lë amanetet një nga një për të gjithë ata që ka qeverisur në rrethin e ngushtë të grupimit të tij politik. “Testament” thuhet në gjuhën juriudike, por meqë është fjalë e madhe për Berishën, nuk njeh as drejtësinë e re dhe e trajton si pronë të klanit të tij familjar Rithemelimin, po i quajmë amanete.

Këtu ka njëfarë të drejte Berisha sepse mosha nuk premton asgjë, aq më tepër me gjithë ato akuza Berisha që ka mbi kurriz për zullumet e shumta që ka bërë në 33 vite, duhet të jesh fare pa zemër, që t’i përballosh. Me sa duket Berisha e plotëson këtë kriter, ndryshe nuk kanë si shpjegohen vrasjet, vjedhjet dhe shkatërrimet që janë bërë me urdhër të tij tërë këto vite.

E si punë të parë Berisha ka menduar të ‘sistemojë’ pronën e tij, grupimin Rithemelimi. Tashmë jo vetëm në këtë grupim politik janë mësuar me praninë, por dhe publiku e ka marrë vesh se pasuese e Berishës në krye të Rithemelimit është vajza e tij Argita Malltezi. Për shumë arsye.

Berisha në krye të herës e di se e ka të vështirë të mbrojë mandatin e deputetit, i cili në fund muajit pushon së akzistuari pasi mbush 6 muaj pa shkelur derën e Kuvendit, sipas vendimit të Gjykatës është nën arrest shtëpiak. Për më tepër që e di fort mirë se ka pak ose aspak gjasa të dalë nga arresti, në shtëpi apo në qeli dhe për pasojë nuk do të jetë më në jetën e tij deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Por ama pagesën e ka të mirë dhe si pensionist, si njeri që ‘s’ka asnjë pasuri” sipas deklarimeve të tij. Madje ka ‘humbur’ dhe apartamentin që trashëgoi nga Enveri në Brrakë, nuk besojmë se e humbi tek piramidat mashtruese, sepse i ngriti për të vjedhur shqiptarët dhe nuk mund të vidhte dhe veten.

Për më tepër që, përpos rregullave të tjera që mund ta pengojnë të garojë vitin e ardhshëm për zgjedhjet parlamentare dhe për të marrë një mandat të ri deputeti, Berisha dhe sikur nga burgu të marrë votat, sërish pas gjashtë muajsh do ta dorëzojë mandatin për mospjesëmarrje në seancat parlamentare. Për pasojë, sa kur e shkon dëm mandatin e deputetit, duket se ai do të ‘zërë vend’ tek Argita, vajza e tij, e cila do të jetë dhe drejtuese e grupimit politik dhe në ‘majë’ të listës së kandidatëve. Me kë të garojë për hir të vërtetës, si me Metën, Dulen, Ndokën apo këdo që të bëjë aleancë për të përfituar siglën e partisë ‘hua’ sa për të regjistruar kandidatët në zgjedhje.

Pra një ndër amanetet kryesore e ka plotësuar Berisha, vajzës Argita Malltezi i la drejtimin e grupimit politik Rithemelimi dhe kjo nuk është pak. Ia la madje dhe me një mbështetje më të madhe se ajo që ka Basha, i cili ka vulën dhe siglën e PD. Dikush ka hedhur vickla për Argitën kryetare të Rithemelimit, dikush e ka kundërshtuar me heshtje, por në fund të herës të gjithë janë në ‘garë’ për t’i rënë në sy asaj, pasi Argita do të jetë ajo që do të plotësojë përfundimisht listën e kandidatëve përe deputetë në zgjedhjet e vitit 2025. Dhe i duhet bërë pak ‘fresk’.

Dhe Gazmend Bardhi me sa duket është pajtuar me këtë fakt, pasi ka ulur në minimum kërkesat nga maksimaliste që i kishte për të pasuar Berishën, në kërkesën për të qënë i sigurtë në listën fituese në zgjedhjet e ardhshme. Kuptohet që as e çon nëpër mend që të jetë kandidat në listën e Elbasanit, pasi njëherë që shkoi në zgjedhjet e kaluara u vra nga grupi i tij i armatosur një veprimtar i partisë kundërshtare, Pjerin Xhuvani i PS. Çështja është e hapur nga ana ligjore, por akoma më shumë, është e hapur plaga e cila nuk mbyllet pa u dhënë drejtësi për të. Dhe kjo drejtësi mund të përfshijë dhe Bardhin si subjekt për t’u gjykuar.

Kështu më mirë një mandat deputeti, sesa të pretendojë kreun e Rithemelimit si pasues i Berishës e të mbetet pa asnjë gjë dhe ‘zbuluar’ para drejtësisë. Për Elbasanin flasim këtu. Për mbështetësit e Bardhit mbetet çështje fati nëse do të jenë në listat prioritare, megjithëse gjasat janë shumë të pakta.

Problemi i vetëm i Berishës, përpos përballjes me akuzat e shumta në SPAK, është gjetja e një emri për partinë e re që do të dalë nga Rithemelimi. Sepse e di dhe vetë se të gjitha gjasat janë që më 11 qershor Apeli t’ia lërë përfundimisht dhe zyrtarisht vulën dhe logon e PD Lulzim Bashës.

Jo se di Basha se çfarë të bëjë me të, por me sa duket i ka letrat më në rregull me ligjin e kështu Apeli nuk ka asnjë mundësi që t’ia japë Berishës. Aq më tepër që nuk ka asnjë motiv që të shkelë ligjin dhe t’ia japë Berishës, që është ‘non grata’ në SHBA, në Britani dhe trajtohet si i tillë dhe nga vendet e BE dhe të rajonit. Por është dhe me një barrë akuzash për korrupsion e krime, dosje që sa vijnë e shtohet çdo ditë, aq sa korrupsioni pasiv për kullat e dhëndrit të tij nën arrest dhe ai Jamarbër Malltezi do të duken ‘lule’ para tyre. Janë ’21 janari’, ‘Gërdeci’, afera CEZ-DIA, hetimi i pasurisë dhe të tjera të këtij lloji që të tundin ‘themelet’. Ndaj po lë amanetet Berisha.

Dhe gjithë problemi është tek emri i partisë së re që duhet të vendoset patjetër pas vendimit të Apelit, për vulën e logon e PD. Eshtë vendim i prerë ai dhe nuk lë vend për asnjë diskutim, tjetër se çfarë deklaron vetë Berisha në dritare apo drejtuesit e tjerë të Rithemelimit në panelet televizive apo para Kuvendit në atë protestën e ithtarëve të tij për emisionin e Rai3, por që ishte në të vërtetë një protestë kundër drejtësisë për të bërë presion ndaj Apelit për vendimin e 11 qershorit, për vulën dhe logon e PD.

Në krye të herës dhe Berisha e di se nuk mund të vijohet më në krye të një grupimi politik si Rithemelimi, i cili juridikisht është jashtë funksionit, në të ‘zezë’ dhe me këtë mënyrë si funksionon në asnjë rast nuk mund të regjistrohet në zgjedhje si subjekt politik. Sepse është e paregjistruar në gjykatë. E di fort mirë se dhe marrja ‘hua’ e siglës së PL të Metës apo të ndonjë partie tjetër politike të vogël për të regjistruar kandidatët në garën elektorale të vitit të ardhshëm nën ‘strehën’ e ndonjë partie aleate, është e dalë boje tashmë. Eshtë përsëritur tre herë me radhë, dhe zyrtarisht krijon idenë tek mbështetësit se është grupim politik për mbijetesë dhe aspak për të pretenduar për të ardhur në pushtet.

Ndaj me sa duket Berisha po luhatet mes emrit të ri të partisë së re dhe bashkimit të Rithemelimit me termin “Demokratik”, dhe më pas ‘Rithemelimi Demokratik’ të shkruhet ne lista me inicialet RD. Të paktën ka ‘D”-në brenda dhe mbi të gjitha ngjason me RD-në, gazetën e parë të Partisë Demokratike. Janë në përpunim e sipër për emrin, dhe pritet që së shpejti të dalin me një vend përfundimtar. Këtë e konfirmojnë dhe vetë pjestarë të lidershipit të Rithemelimit, pasi janë shumë vonë dhe zgjedhjet janë në prag. Ndërsa vulën e logon e quajnë të humbur njëherë e mirë.

Do të jetë intriguese se si do të funksiojë Rithemelimi me logo dhe vulë të re dhe e drejtuar zyrtarisht nga Argita, kuptohet me ‘regji’ qëndrore në katin e tetë të pallatit të Berishës, në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë. Por dhe si do të jetë qëndrimi i Bardhit dhe të tijve pas kësaj, pasi të tjerët dihet. Dhe nëse do ta kapë në ‘ajër’ Basha sinjalin, apo do të vijojë të sillet si një dembel funksional dhe ‘qylaxhi’ i përjetshëm për të pritur gjithçka ‘qyl”. Të presim!

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Stefano: 09/06/2024 01:32

    Saliu na genjeu qe ne 90 nuk na tregoij kushe ishte na tha vi nga tropoijjam dotori zebre pore sna tregoije se beija pjese ne stafin e Enver Hogjes. Pra i bie ta kete quare Ramiz Alia. Mua do me vrasin te parin protestuesit Por ty do te vrasen te Dytin se je ne mjeket e Enverit ti e more te besuam3per 30 vjet Tani qe nuke ka.Ma komunista sepse ajo gjenerat ka vdekure.ti nuk gjete nje Demokrate te leshe Demokracin ne Duarte te sigurte qe rrine vete aty prape duke e diture qe Koha joke si demokat ka mbaruare per te presekutuari per pronaret e tokave per Ata qe mendoin ndryshe demokracin, Zoti Berisha ti ke dy femij nuk e mendon ase njinin si trashegimtare I ni demokracie qe vazhdon me shekui e me breda. Lerva te ardhmen e pasur te Demokrazise femive.ti shohesh te ecin ne jete pa ty ti pRa drejtesis femiet para Partise

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?