Pas SHBA, Berisha i shpall 'luftë' Britanisë së Madhe: Më goditët për të mbajtur në pushtet Ramën, nxirrni provat, unë dhe Fazlliçi të pastër

23 Korrik 2022, 14:48| Përditesimi: 23 Korrik 2022, 17:13

  • Share

Sali Berisha ka vendosur të ndjekë të njëjtën strategji si ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të përballuar goditjen e dytë historike që mori nga Perëndimi, ku u shpall non grata nga Britania e Madhe si korruptuar, i lidhur me krimin e organizuar dhe për përdorimin e pushtetit për pasurimin e familjes. Nëse vendimin e shpalljes non grata nga DASH në 19 maj 2021, Berisha ia faturoi Sorosit, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në prapaskenë, George Soros nuk implikohet nga Berisha në goditjen që mori nga Londra.

Vendimi i Britanisë së Madhe për ta shpallur non grata, Sali Berisha e konsideron një skandal dhe akt korruptiv, me qëllim sipas tij, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Në një letër drejtuar sot ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sir Alastair King-Smith, Berisha lë të kuptohet se nuk ka ndërmend të lexojë mesazhet që po i vijnë nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, dhe se do të vijojë të mbajë nën kontroll PD-në tashmë jo më përmes Lulzim Bashës, por vetë drejtpërdrejtë.

Ashtu si ndaj SHBA-ave, Berisha kërkon prova nga Britania e Madhe, për të mbështetur vendimin për shpalljen e tij non grata për korrupsion. Historinë me Damir Fazlliçin, të cilën Britania e Madhe e sjellë si një shembull korrupsioni, Berisha nuk e konsideron të tillë. Sipas tij, Fazlliçi është hetuar nga prokuroria e shqiptare, e cila e ka nxjerrë të pastër.

Në fakt e vërteta është se Berisha rrethoi prokurorinë me polici për të mos marrë në pyetje dhe hetuar Fazlliçin. Sekseri serbo-boshnjak u dha 445 mijë euro Argita Berishës dhe Jamarbër Malltezit, para që vinin nga parajsat fiskale. Dhëndri i Berishës bleu tokë me 9 euro m2 në Porto Romano dhe ia shiti Fazlliçit me 18 euro m2. Më pas Berisha, me vendim qeveria, pronën që Malltezi i kishte shitur Fazlliçit, e bën pjesë të perimetrit të parkut energjetik.

Letra e Berishës drejtuar Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sir Alastair King-Smith

'Shkëlqesia juaj!

Dje, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, që Ju drejtoni, reagoi ndaj deklaratës sime për shpalljen non grata nga autoritetet e vendit tuaj. Në mungesë të fakteve, në vend të ndjesës publike, në këtë reagim mbrohen shpifjet vulgare të letrës në emër të Sekretarit të Brendshëm, në të cilën unë akuzohem për korrupsion, dmth përdorimin e pushtetit për pasurimin tim dhe rrethit tim, për të cilat nuk keni sjellë dhe nuk do mund të sillni kurrë asnjë provë dhe fakt të vetëm për arsyen e thjeshtë se të tilla nuk ekzistojnë.

E vetmja gjë konkrete, që përmendet në atë letër për korrupsionin është shtetasi britanik Damir Fazliç, ish-këshilltari im elektoral në ekipin e BGR në zgjedhjet e vitit 2005, të cilin sipas letrës, unë e kam pasuruar dhe mbrojtur kur ndaj tij dolën prova inkriminuese. Në fakt, 14 vite më parë, Prokuroria shqiptare e hetoi sipërmarrësin në fjalë për një kohë të gjatë, duke konkluduar se nuk kish mundur të provonte asnjë nga shkeljet e pretenduara për të. Dhe, me lejoni të theksoj se, e gjithë historia lidhet me sjelljen e kapitalit privat të Fazllic për investim direkt, dhe jo për lidhje me tendera apo kontratat publike. Për më tepër, gjatë 9 viteve që prej largimit tim nga qeveria, nëse do të kishtë pasur shkelje, Prokuroria ka pasur mundësi të hetonte përsëri, por asnjëherë, një gjë e tillë nuk është bërë për faktin e thjeshtë se hetimi i parë, ndonëse i plotë e i thelluar, nuk gjeti asgjë të jashtëligjshme.

Nëse Shkëlqesia Juaj ka prova inkriminuese për shtetasin Tuaj, ligji Ju detyron t’i dërgoni ato para drejtësisë shqiptare ose angleze, dhe jo të tirrni  shpifje publike pa sjellë asnjë argument.

E gjej tendencioz dhe absurd përdorimin për akuza ndaj meje të emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, dhe që nuk ka përfituar kurrë as dhe një cent nga qeveria ime, dhe që pas largimit tim nga pushteti ka vazhduar të bëjë investime të rëndësishme në Shqipëri.

Me këtë rast ju vë në dukje se përdorimi për të me akuzuar mua për korrupsion i emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, përbën një fyërje për çdo shqiptar, për çdo britanik, per çdo europian, për çdo amerikan dhe për çdo qytetar të botës që beson në prezumimin e pafajësisë, parim i sanksionuar qe nga Magna Carta, dhe pas saj në të gjitha dokumentat e tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por që Ju ua mohoni një qytetari të vendit Tuaj, me qëllim shpifjen ndaj një personi tjetër.

Kjo përbën një skanadal të rëndë dhe akt të mirëfilltë korruptiv, që ka për qëllim final të zgjasë ditët e qeverise më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës. Me këtë rast, dua t’Ju siguroj, Ju dhe qeverine e Madhërisë së Saj, për të cilën ruaj respekt të vërtetë, se me të gjitha mundësitë e mia modeste, nuk do rresht së luftuari për të bindur shqiptarët se korrupsioni, krimi i organizuar dhe shitblerja e votës janë armiqtë e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre.

Shkelqesia Juaj, nuk po ndalem të komentoj akuzën Tuaj politike për lidhjet e mia me krimin, pa sjellë asnjë fakt, sepse për këtë flet shumë më gjate e më thellë, heshtja Juaj për rekordet më të zeza të narkoqeverise që po zbraz Shqipërinë më shumë dhe më shpejt se një luftë. Por, iu bëj me dije se jeni zyrtari i parë në botë që e thoni një gjë të tillë, dhe se akuza të tilla nuk janë artikuluar ndonjëherë as nga kundërshtarët e mi, lidhjet e të cilëve me krimin e organizuar i kam denoncuar dhe vazhdoj t’i denoncoj çdo ditë.

E mbyll këtë letër me lutjen dhe kërkesën time për  Shkëlqesinë Tuaj, Ambasador King-Smith, dhe qeverinë e MB, që çdo provë, fakt apo dokument, që dispononi apo që mund të siguroni, nga kushdo në botë, t’i paraqisni pranë gjykatave shqiptare apo britanike. Me konsideratë, Sali Berisha.'- thuhet në letrën e Berishës.

Një ditë më parë, Sali Berisha konfirmoi në një konferencë për shtyp se është shpallur ‘non grata’ nga Britania e Madhe, vendi i dytë i madh pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është shpallur ‘non grata’ nga Mbretëria e Bashkuar pasi akuzohet për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se i përdor këto lidhje për të avancuar ambiciet politike. Gjithashtu Berisha është shpallur ‘non grata’ për korrupsion dhe pasurim e tij personal dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull është marrë edhe lidhja e tij me Damir Fazlliç.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • jo: 24/07/2022 09:47

    Eh sa mire ta bejne ty mor te qr, or malok i poshter. Ti do varur i pari ne mes te sheshit

    Përgjigju
  • Fadili: 24/07/2022 02:17

    Jo po thonin qe librat e xhaxhit ishin pa vlera!!

    Përgjigju
  • www.youngtribune.com: 24/07/2022 02:16

    Amon se do na boj hatan Stresi me cunat e Londres.

    Përgjigju
  • ymeri: 24/07/2022 02:05

    AKOMA KETU NE TIRANE JE TI MOR SHPELLAR,,,,IK SALI NE SHPELLEN E VICIDOLIT,,ATJE E KE VENDIN....PTU...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?