Sali Berisha, Edi Rama dhe Tahip Erdogan

Politikë

Berisha mbron faljen e detit ndaj Greqisë: Rama nga presioni i Erdogan prishi marrëveshjen me Athinën! Bëri një veprim kundër interesit kombëtar

6 Maj, 17:54| Përditesimi: 6 Maj, 17:58

  • Share

Në një intervistë të dhënë për median greke LiFO, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka folur gjerësisht mbi situatën politike në Shqipëri dhe raportet dypalëshe me Greqinë, ndërsa vendi i tij përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Duke u ndalur te marrëveshja për Zonën Ekonomike Ekskluzive (EEZ) që u arrit gjatë periudhës së tij në pushtet, Berisha e cilësoi atë si “më të mirën e mundshme” për të dy vendet. Ai kritikoi ashpër kryeministrin aktual, Edi Rama, për moszbatimin e saj, duke e akuzuar se e pengoi procesin për arsye politike dhe ndikime të jashtme.

"Jam shumë i lumtur dhe shumë optimist që do të heqim qafe qeverinë e Edi Ramës, e cila nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë kriter, asnjë standard", deklaroi Berisha për LiFO, duke lëshuar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarit të tij politik.

I pyetur nga gazetarët grekë lidhur me potencialin për përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, Berisha u shpreh me bindje të plotë:

"Absolutisht. Mund të ishin më mirë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos jenë më mirë dhe jam thellësisht i bindur për këtë."

Ai risolli në vëmendje firmosjen e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit më 1996 me presidentin grek të asaj kohe, Costis Stefanopoulos, duke e cilësuar këtë dokument si një hap të rëndësishëm historik që ndihmoi në kapërcimin e shumë problemeve të trashëguara mes dy vendeve.

Sipas LiFO, marrëdhëniet mes qeverisë së Berishës dhe asaj të ish-kryeministrit grek Kostas Karamanlis ishin veçanërisht të afërta, gjë që u konkretizua me firmosjen e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare mes dy shteteve.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk u finalizua me ratifikim, pasi u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë nga opozita e drejtuar në atë kohë nga Edi Rama.

“Edi Rama ishte njeriu që, sipas bindjes sime të thellë, veproi kundër interesit kombëtar të Shqipërisë, duke bllokuar një marrëveshje që ishte më e mira që mund të kishim pasur. Ishte një marrëveshje fitimtare për të dyja palët," u shpreh Berisha.

Ai hodhi edhe një dyshim për motivet që qëndronin pas këtij vendimi, duke lënë të kuptohet se Rama mund të ketë vepruar nën ndikimin e aktorëve të jashtëm. "Edi Rama ndoshta, nga presioni i Rexhep Tajip Erdogan, e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese", përfundoi ai.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pirro: 06/05/2025 20:05

    Saliu eshte fatkeqesi kombetare. Tradhetari me i madh ne historine e kombit tone. Nje marreveshje turpi e paraqet si nje fitore, per trushpelaret qe i vene pas. Edhe per kete e ka fajin Rama, sepse Saliu nuk i njeh institucionet e drejtesise. Duhet te ishte denuar per tradheti kombetare qe ne vitet 90. Do kishim shpetuar me kohe nga ky mallkim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata drejt fundit, a ju kanë bindur partitë që të votoni më 11 maj?