Kandidatët për deputetë dhe partitë politike kanë paguar 167 069 dollarë kompaninë e Facebook për 90 ditë gjatë fushatës zgjedhore për të sponsorizuar postimet e publikuara prej tyre në këtë rrjet social. Interesat është fakti se në dhjetëshen e kandidatëve që kanë paguar më shumë Facebook-un, janë kandidatët e opozitës, ndërsa mes tyre dallohet vetëm një socialist, Vullnet Sinaj.
Kandidatët që kanë shpenzuar më shumë i përkasin radhëve të opozitës, ndër të cilët numërohen: Agron Shehaj, Grigels Muçollari, Jorida Tabaku, Pëllumb Seferi, Endri Hasa apo Belind Këlliçi.
Listën e kryeson Partia Demokratike me plot 43,873 dollarë të shpenzuara në 90 ditë, ndërkohë që morën kohë televizive edhe më shumë se çdo subjekt tjetër politik në fushatë elektorale. PD ndiqet nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i cili rezulton se ka shpenzuar 39, 014 dollarë në Facebook. Pas ndarjes nga Berisha, Shehaj siguroi në këto zgjedhje 2 mandate në Tiranë.
Të dhënat e ndara nga gazetari Isa Myzyraj tregojnë se në vend të tretë renditet partia PDIU e Vangjel Dules, aleat i Berishës në zgjedhje. PDIU ka shpenzuar 15 285 dollarë.
Ndërkohë, sa i takon kandidatëve rezulton se më shumë para ka shpenzuar Grigels Muçollari, i cili ka shpenzuar 13 811 dollarë për 90 ditë dhe ka arritur që të mbledhë 5325 vota në listën e hapur të PD-ASHM, por pa iu përkthyer në mandat. Në listë është edhe Belind Këlliçi me 8736 vota.
Një tjetër kandidate e opozitës që duket se i kushton shumë rëndësi rrjeteve sociale është edhe Jorida Tabaku, e cila ka shpenzuar 10 957 dollarë. Tabaku ka fituar të vetmin mandat të PD-ASHM në listën e hapur duke grumbulluar 20565 vota preferenciale.
Në top dhjetëshen janë edhe 3 kandidatë të Koalicionit Eurotlantik, Endri Hasa me 7950 dollarë, Taulanta Jupi me 9079 dollarë dhe Pëllumb Seferi me 9086 dollarë.
Ndërkohë, i vetmi socialist që ka shpenzuar më shumë para për fushatën online është Vullnet Sinaj me 9278 dollarë. Sinaj arriti të marrë mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës, ku rezulton i dyti më i votuari me 10941 vota.
Brenda 60 ditëve pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve edhe PD si çdo parti tjetër, duhet të dorëzojë në KQZ raportin financiar të fushatës, ku duhet të deklarohen edhe shpenzimet për fushatën online. Detyrimin për të dorëzuar raporte të tilla e kanë edhe të gjithë kandidatët pavarësisht raportit që ka dorëzuar partia.
Grafiku me të dhëna marrë nga Isa Myzyraj
Komente
