Politikë

Berisha: Avokati i Popullit të nisë hetim për dhunën çnjerëzore ndaj të burgosurit politik Ilir Meta dhe të burgosurit ordiner Erion Veliaj

23 Korrik, 14:20| Përditesimi: 23 Korrik, 16:00

  • Share

Sali Berisha foli sot edhe për gjendjen në paraburgim të aleatit të tij, Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, duke denoncuar sipas tij, trajtimin çnjerëzor që po i bëhet.

Të njëjtin denoncim bëri edhe për shkeljen e të drejtave në paraburgim për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i paraburgosur prej 10 shkurtit 2025, por duke përdorur dy ‘gjuhë’ dhe dy standarde. Metën e cilësoi 'të burgosur politik', kurse Veliajn 'të burgosur ordiner'.

Ai i kërkoi Avokatit të Popullit që të niste një hetim të menjëhershëm për të dy rastet, pasi ishin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut për një vend anëtar të Këshillit të Europës, teksa akuzoi ‘banditët me uniformë’ të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Ulsi Manja.

“Kam informacione të besueshme, për të cilat unë kam bërë denoncime, sjelljet në burg ndaj Ilir Metës, kryetarit të PL, janë çnjerëzore, janë politike, janë absolutisht të dënueshme. I kërkoj Avokatit të Popullit me urgjencë të marrë takim me të burgosurin politik Ilir Meta dhe të bëjë publike të gjitha qëndrimet çnjerëzore të urdhëruara nga Edi Rama dhe Ulsi Manja nga banditë me uniformë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit. Por sot më duhet gjithashtu të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj. Partia Demokratike ka bërë me dhjetëra e dhjetëra protesta për arrestimin e këtij delinkuenti, i cili është akuzuar as për 20 përqind të krimeve që ka kryer. Por, cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës”, tha ai.

Madje për Veliajn, kreu i PD-së shtoi se janë kryer edhe manipulime dhe akte të rënda.

“Vijnë të dhëna se ndaj këtij të burgosuri janë kryer manipulime dhe akte të rënda, të dënueshme ndaj dhe unë i kërkoj Avokatit të Popullit të nisë një hetim të plotë edhe për qëndrimet ndaj këtij delinkuenti ordiner, por që në një vend anëtar të Këshillit të Europës gëzon ato të drejta që ligjet e vendit u njohin personave të burgosur”, u shpreh Berisha.


Lajmi kryesor:

Berisha pretendon farsë elektorale edhe për diasporën: Votat u mbytën në Adriatik! Akuza Ramës për mbylljen e doktoraturave: As Enver Hoxha s'e bëri


A.Q/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?