Zgjedhjet në Kukës, KQZ regjistron ‘Bashkë Fitojmë’, por pa Foltoren! Berisha 'strehohet' sërish te Meta, kandidati garon nën siglën e koalicionit

7 Shtator 2023, 10:15| Përditesimi: 7 Shtator 2023, 20:35

  • Share

Tentativa e dytë e Sali Berishës, pas asaj të 14 majit, për t’u përfaqësuar me logon zyrtare të PD-së në zgjedhje, ka dështuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar për zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit në Kukës koalicionin “Bashkë Fitojmë” mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokristiane.

Pavarësisht përpjekjeve, edhe në këto zgjedhje kandidati i Berishës, sikurse ndodhi më 14 maj do të strehohet nën logon e partisë së Ilir Metës dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Nga 14 maji, ndryshon vetëm aleati, këtë herë Meta e Berisha kanë zgjedhur jo Dulen por Nard Ndokën. Drejtimi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ku u strehuan kandidatët e Sali Berishës, duke u dhënë atyre hua logon, e ka sjellë një të mirë për Ilir Metën. Pas rezultatit të 14 majit, KQZ e njeh atë si forcë të parë të opozitës, duke i dhënë shumicën e komisionerëve dhe më shumë para se PD zyrtare.

Tre ditë më parë Komisioneri Ilirjan Celibashi regjistroi Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme, duke rrëzuar për të disatën herë të njëjtën kërkesë që ishte bërë nga Sali Berisha. Vendimi i Celibashit u konfirmua këtë enjtë nga Komisioni i Ankimit dhe Sanksioneve në KQZ, duke lënë edhe një herë në fuqi regjistrimin e Bashës.

Edhe në këto zgjedhje e vetmja 'derë' e Berishës mbeti sërish Ilir Meta. Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ përmes një kërkese që mban datën 6 shtator të depozituar në KQZ kërkoi regjistrimin në këtë proces të koalicionit të Berishës dhe Metës, që ka për kryetar kryetarin e Partisë së Lirisë. Në kërkesë, u vu re edhe përfshirja e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, kërkesë e cila u rrëzua nga KQZ. 

Pavarësisht pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Rithemelimit për regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, Celibashi njoftoi në mbledhjen e zhvilluar tre ditë më parë se Gjykata e Tiranës njeh për kryetar Bashën kësisoj në regjistrin e partive ekziston vetëm një PD, ku Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij janë ata që disponojnë vulën dhe logon. 

Për këto zgjedhje forcat politike kanë pasur afat deri me datë 1 shtator për t'u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, ndërsa kandidatët jo më vonë se data 8 shtator. Tashmë siç dihet opozita do të shkojë e përçarë edhe në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit, duke e ndarë votën mes dy kandidatëve. PD zyrtare ka kohë deri të premten në darkë për të vendosur nëse do të nxjerrë kandidat apo jo. 

E teksa Lulzim Basha ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin, socialistët në këtë përballje elektorale do të garojnë me Albert Halilajn. Zgjedhjet e pjesshme në Kukës do të rimbahen vetëm për kreun e Bashkise dhe jo për Këshillin Bashkiak, pas arrestimit të Safet Gjicit, i cili u përfshi në një skandal seksual.

(Kliko këtu për dokumentin) Kërkesa për regjistrimin e koalicionit PD- PL

Ora 17:17
Zgjedhjet në Kukës, KQZ regjistron koalicionin mes PL e PDK, kandidati i Berishës do dalë me siglën e Bashkë Fitojmë

KQZ ka regjistruar për zgjedhjet e Kukësit koalicionin Bashkë Fitojmë mes PL e PDK, me të cilin ish kryeministri Sali Berisha do të regjistrojë kandidatin e tij të Kukësit. Kandidati Emri Vata do dalë me siglën e koalicionit pasi KAS rrëzoi i rrëzoi kërkesën që bëri për t'u regjistruar nën siglën e PD-së.

Ora 13:54
KAS rrëzon sërish Berishën, për zgjedhjet në Kukës regjistrohet Basha me siglën e PD

 

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar sërish Sali Berishën dhe ka lënë në fuqi vendimin e KQZ për mosregjistrimin e tij për zgjedhjet në Kukës nën siglën e PD. Këtë të drejtë, sipas KQZ e ka vetëm Lulzim Basha i cili është kryetar i PD.

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gazi blu: 07/09/2023 17:35

    Ka fatin e madh Gaz Bardhi te krijoje partine e djathte te qendres dhe te behet kryetar i saj , jane te rralla keto shanse ne politike dhe nese e ben Gaz Bardhi duhet te vendose ne grupin e tij Tabaku Shehaj dhe Boci pse jo dhe Salianji nese pranojne dhe deputet te tjere pra kush nga PD ben levizjen e madhe merr partine , kur them partine flas per elektoratin , mbetet per tu pare nese Bardhi tregohet inteligjent dhe guximtar edhe pse personalisht shikoj vetem nje diamant apo xhevahir ne partine e djathte pra sic eshte zoti Shehaj nje model Europian me stil italian dhe vizion perendimor, mbetet “asi” i te djathteve , tani ne tetor pas Zgjedhjeve edhe ne KUKES qe jane si test luhet loja politike nese aktoret qe jane sot nuk marrin nje plan besoj ka vend per parti te re me fryme perendimore por me figura nga shoq civile universitare gje e cila shkon deri 2026-27 sa te konsolidohet ! Nuk jam fans i politikes por besoj ka nje Shans tek anija e djathte per hyrje forte ne politike mbetet per tu pare , gjithsesi politika eshte vizion , numra dhe analize , nese Bardhi apo ndonje figure e forte e djathte jo shume e konsumuar ben levizjen keto kohe qe po rimodelohet politika besoj do bejne nje arritje ne karrieren tyre politike ne te kundert i pret pensioni i majme i deputeteve … Koha esht flori mbetet per tu pare !

    Përgjigju
  • Vicidoli: 07/09/2023 14:25

    Saliut i kan mbet vec morrat tash.

    Përgjigju
  • Ben: 07/09/2023 10:39

    cudia me e madhe 3 dite zgjat. Prisni 9 shtatorin dhe shihni si po e deklason veten SB i ngelur fare pa influence edhe ne Kukes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?