ATHINË - “Efkaristo poli!” Me këto fjalë e nisi takimin elektoral në Athinë, kryedemokrati Sali Berisha, dhe arsyeja mbetet mister pse duhej t’u fliste greqisht shqiptarëve?!
Kreu i demokratëve tregoi sfidën më të vështirë që kanë demokratët në zgjedhjet e 11 majit.
Në sallën me militantë të PD, të pranishëm ishin deputetët demokratë si dhe aleati pro-grek i demokratëve Vangjel Dule.
Krah Berishës ishte rreshtuar edhe Fredi Beleri që kandidoi në zgjedhjet vendore të 2023 nën siglën e opozitës, por që nuk u betua si i tillë pasi u dënua për korrupsion në zgjedhje.
Në fjalën e mbajtur Berisha riktheu në vëmendje marrëveshjen për detin të qeverisë së tij në vitin 2009 me Greqinë, të cilën e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në atë kohë. Berisha tha se me atë marrëveshje fitonin të dy palët, ndërsa nëse PD kthehet në pushtet pas 11 majit, ajo marrëveshje do të finalizohet.
'Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira', tha Berisha.
Berisha thotë se marrëveshja e qeverisë së tij ishte më e mira e mundshmja ku fitonin të dy palët, ndërsa ajo u përmbys nga Edi Rama.
'PD po në këtë frymë, rikthyer në pushtet firmosi me autoritetet e këtij vendi, marrëveshjen e detit. Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj. Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste. Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin. Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama.
Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës. Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese', thotë Berisha.
Sakaq, Berisha kujton se në krijimin e PD në vitet '90, mbështetësi i parë i pluralizmit në Shqipëri ka qenë Konstandin Mitsotaqis, si kryeministër, babai i Kyriakos Mitsotakis kryeministri aktual i Greqisë.
'Partia Demokratike u themelua në vitet ’90, por ju nuk duhet të harroni se mbështetësi i parë i opozitës shqiptare, mbështetësi i parë i pluralizmit politik në Shqipëri nga arena ndërkombëtare ka qenë Kostandin Mitsotaqis, i cili do të ishte kryeministri i parë që do të takonte lidershipin disa javor të PD-së. Kostandin Mitsotaqis ishte kryeministri i parë në Europë dhe botë që do të priste në Selanik, Ibrahim Rugovën. Panorama e marrëdhënieve tona është padiskutim panorama e dy kombeve mike, e dy vendeve mike. PD në këtë rast dua të theksoj, se marrëdhëniet mes dy fqinjëve nuk janë asnjëherë linare, njohin uljet dhe zbritjet, por në çdo kohë në pushtet, PD me qeverinë e këtij vendi ka njohur një dialog konstruktiv dhe një vullnet për të dialoguar pa asnjë tabu për çdo çështje.'
Ndërkohë fjalim mbajti edhe Petro Gjikuria, i cili kandidoi në Himarë për kryebashkiak në siglën e PD-së në gusht të 2024-ës, pas vakancës së krijuar nga dorëheqja e socialistit Jorgo Goro.
Komente

A ke me antiShqipetar se ky plaku i vjeter qe i boni dem shqiperise me shum se cdo pushtues, gjith jeten e vet bashkpunoj me armiqte e Shqipetareve.
PërgjigjuTurp dhe vetem turp,per nje parti shqiptare qe ben aleance me njerez te shitur e antishqiptare te deklaruar.Kuriozitet se cfare do e beni Belerin po fituat?Kurre votat maskarenjeve e tradhetareve!!
Përgjigju"Kur the vij PD ne pushtet....patjeter" Ti do jesh ne boten tjeter kur te vij PD ne pushtet (po erdhi)
Përgjigju