Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj

Berisha mundet me moral të ri dhe jo me hile…

13 Mars 2023, 12:35| Përditesimi: 13 Mars 2023, 12:36

  • Share

Ajo çfarë po ndodh në këto orë me PD është sa komike aq edhe tragjike. Pas vendimit të Gjykatës të Apelit u duk se një epokë e re po niste për PD. U krijua përshtypja se lidershipi i ri i saj do të regjistrohej në zgjedhjet e 14 majit me misionin për të ofruar një alternativë të re ndryshe nga ajo e Berishës që ka dominuar këtë parti prej 32 vitesh. Edhe pse Apeli duke rrëzuar Berishën ua krijoi këtë mundësi, treshja Basha-Alibeaj-Bardhi bënë diçka që askush me arsye të shëndoshë nuk do ta mendonte .

Ndërsa në vend që të dorëzonin dokumentacionin siç kërkon ligji për të regjistruar PD-në, ata shpikën një pseudo-autorizim të firmosur nga Basha gati një vit më parë dhe që i jepte të drejtën dyshes Alibeaj- Bardhi të drejtonte partinë në zgjedhjet që do të vinin një vit më pas. Ky autorizim jo vetëm që është kaq i pabesueshëm por dhe qesharak në të njëjtën kohë. Mjafton vetëm argumenti se pse nuk u publikua ky autorizim psh kur presidenti shpalli ditën e zgjedhjeve muaj më parë,  apo çfarë do dite tjetër por u publikua vetëm dy ditë pasi Apeli i dha të drejtë Lulzim Bashës që të mbante për momentin ligjërisht drejtimin e PD . A do të kishte kuptim publikimi i këtij autorizimi “që ekzistonte prej një viti“ në rast se Apeli do t’ia jepte PD-në Sali Berishës? Sigurisht që jo sepse do të dukej shumë qesharak.

Madje treshja Basha-Alibeaj-Bardhi shkoi edhe më tej në manovrën e tyre hileqare sa nuk vendosën datën e zgjedhjeve tek autorizimi për të krijuar alibinë se Basha një vit më parë kur e firmosi, nuk kishte si ta dinte datën 14 maj pasi nuk ishte shpallur ende dekreti i Presidentit. Mirëpo si çdo hile e shkruar trashë ajo ishte e destinuar të dilte lakuriq. Kësaj radhe mjaftoi një nen i ligjit për regjistrimin e partive në zgjedhje ku kryetari i Partisë është i detyruar të firmosë angazhimin për zgjedhje të ndershme të subjektit politik që ai përfaqëson. Këtu doli zbuluar autorizimi i Bashës, pasi angazhimin për PD nuk mund ta firmosë Alibeaj, por vetëm kryetari që në këtë rast sipas gjykatës është vetëm Lulzim Basha. Kjo pikë e nenit në fakt nuk ka ndonjë vlerë ligjore por ka shumë vlerë morale . Pikërisht këtë vlerë morale lidershipi i ri i PD nuk arrin ta kuptojë dhe po përpiqet të mundë Berishën duke përdorur hile qesharake.

Edhe pse kryetari i KQZ Celibashi në një qëndrim korrekt i kërkoi këtij lidershipi të rregullojë dokumentacionin duke u bazuar tek ligji por edhe tek morali , çfarë bën treshja Basha-Alibeaj-Bardhi?- vazhdon të insistojë tek metoda e hiles duke mbajtur kësaj radhe ata peng regjistrimin e PD, për herë të parë pa Sali Berishën. Gjithçka është shumë e thjeshtë, mjafton që treshja Basha-Alibeaj-Bardhi të tërheqin autorizimin hileqar dhe të firmosin siç duhet dokumentacionin për regjistrimin e PD . Ata gjithashtu duhet të angazhohen publikisht se PD e re do të jetë ndryshe nga PD e Berishës. Në rast se nuk e bëjnë këtë akt publik dhe politik , atëherë jo vetëm që do të ngjajnë qesharakë në sytë e njerëzve por edhe do humbin rastin më të mirë për të shkëputur PD-në nga Berisha. Në fund të fundit nëse duan të mundin liderin e tyre historik, ai mundet vetëm me moral të ri dhe jo me hile.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergji: 13/03/2023 18:29

    Kam bindjen se ata ,pra grupi Alibeaj, po shmang përseritjen e gjashtë marsit,ku Berisha me Metën në Shkodër fituan bashkinë,sepse ende nuk janë të organizuar. Ata synojnë të dalë Berisha përballë Ramës në zgjedhjet lokale që t'i thyhen brinjët dhe pastaj pjesa me logjikë e Partisë demokratike të shkojë pas këtyre. Nëse dalin në zgjedhje dhe munden nga Berisha grupi Alibeaj merr fund. Ndërsa nëse në zgjedhje nuk marrin pjesë asnjëra nga copat e PD humbja në fakt do i faturohej Berishës sepse ai tha që për një muaj e rrëzoj Edi Ramën! Kjo mund të jetë ideja o Denis,me emër pak ters...

    Përgjigju
  • Tahir tarfyci: 13/03/2023 13:26

    Nje analiz shum e sakt Denis por un si votues kuptoj edhe dicka tjeter. Ata po punojn cdo dit per te justifikuar humbjen e sigurt. Se e kan mese te qart qe jan te mbaruar. E shumta pa ndonje surpriz nga e majta gjasat jan qe opuzita mund te fitoj vetem nja 4-5 bashki nga veriu si gjithmon mbase 2-3 nga shqiperia e mesme dhe jugu. Dhe domosdo elektorati kerkon shpjegime dhe po pregatisin terrenin per dt.15/05/2023. Ska asnje alibi tjeter.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?