TIRANË- Në dy seanca parlamentare rresht, ish kryeministri Sali Berisha nuk ka qenë i pranishëm në Kuvend dhe kjo për avokatin Idajet Beqiri është një tregues se ai po e zbaton vendimin e SHBA-së. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e ka thënë troç se nuk e duan Berishën në Kuvend, tashmë i shpallur ‘Non Grata’si një person që ka minuar demokracinë, e për avokatin Berisha e ka pranuar.
”Po zbaton vendimin e SHBA për të mos vajtur në parlament”, tha Beqiri.
Ndryshe e ka interpretuar Ardit Roshi, ish-deputeti i PD-së, i cili në “Repolitix” në Report Tv tha se Berisha po tregon se në këtë “betejë” nuk i nevojitet detyrimisht të qenit në Kuvendit.
“Berisha thotë se e meritoj vendin, por nuk më duhet, ai thotë më takon, por nuk më duhet, tha Roshi.
Përtej të gjithave, ai e ka vlerësuar sot Bashën me deklaratën e tij se "pështyn nga 16 vite partneritet me Sali Berishën". Kjo për Roshin tregon dinjitet.
“Berisha shoh që nuk tenton që të thotë do të ndërrojmë kryetarin, Berisha duke pasur eksperiencë, mundohet që të ngrejë perceptimin që mbështetja është te ai, dhe është një opozitë parlamentare de fakto. Nëse arrin që ta ngrejë këtë perceptim, pastaj këto gjëra rrjedhin vetë. Basha vërtet sot tregoi një lloj dinjiteti me atë deklaratë, pavarësisht se njerëzit deri më sot, se për këtë moral ka vuajtur politika. Kur Berisha thotë në Foltore “i kam thënë Bashës” tregon që në 8 vite ka drejtuar ai PD, dhe ai ka qenë humbësi për mua”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Ibsen Elezi një nga mbështetësit e ish-kryeministrit e si një nga kritikët kryesor të Lulzim Bashës, tha se në këtë situatë ku ndodhet PD-ja, Berisha është si një ”elektroshok” në një trup të vdekur, pra që po përpiqet që të shpëtojë partinë nga vdekja.
“PD ka vdekur, rasti i Sali Berishës është si t’i vëmë elektroshokun. Nuk ka njerëz, antitrupa që ta luftojnë”, tha Elezi.