Në aktivitetin e organizuar për 32-vjetorin e themelimit të FRESSH, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, komentoi dhe masën “arrest shtëpie” për Sali Berishën.
Duke folur përpara të rinjve dhe të rejave të këtij forumi, Veliaj deklaroi se PD është katandisur në një rrugicë. Ai theksoi se fokusi dhe energjia e PS janë transformimi i Tiranës në një histori suksesi.
“Teksa po vija këtu, dëgjoja 2 vetë që po kërkonin orientim në telefon, edhe po pyesnin: “Ku i bie fiks kjo rrugica e Salës?” Dikush po i orientonte sepse kishin orën e protestës atje. Nga njëra anë më erdhi për të qeshur se as nuk e dinin ku ishte rrugica që duhet të protestonin. E kuptova që ishte një hall që i kishte zënë dhe që duhet ta konsumonin si hall, edhe si shërbim ndaj partisë. Po sa mirë që fokusi ynë, energjia jonë, është te fakti se si do jetë Tirana një histori suksesi, kur ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, kur u bë Qyteti Europian i Sportit, këtë muaj që marrim Presidencën e “B-40”, vitin tjetër kur do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Këto janë çështje reale, jo kush e ka radhën te turnet te rrugica”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se PS nuk duhet të vetëkënaqet nga situata ku ka përfunduar opozita. Ai theksoi se kjo gjendje e opozitës është edhe një kambanë alarmi që tregon se një parti nëse nuk hapet dhe nuk reformohet, është e destinuar të degradojë.
“Por, kush gëzohet sepse kundërshtarët tanë janë në këtë derexhe, bën një gabim të madh. Ju kujtohet, në vitin 2013 kishin gjithë Shqipërinë, në vitin 2010 kishin Tiranën, në vitin 2017 gjithë bulevardin, më kujtohen çadrat, pastaj kishin gjithë oborrin e partisë së tyre, tani kanë një rrugicë dhe nga një rrugicë po kthehen në një dritare. Besoj që mësimi më i madh nuk është gëzimi sesi kokoshi u kthye në një thelë, sesi nga një parti që drejtonte Shqipërinë, përfundoi te një qytet, pastaj te një bulevard, pastaj te një rrugicë, pastaj te një dritare. Ai në fakt është një kambanë alarmi që një parti që nuk hapet, që nuk reformohet, që nuk lëviz, që nuk mat pulsin e shoqërisë, që nuk ecën me ritmin e rinisë është e destinuar të degradojë”, deklaroi Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj.
Lajmi kryesor:
32-vjetori i FRESSH, Veliaj: Organizata rinore më energjike, që frymëzon! Të ftojmë të rinjtë e talentuar, që t’i bashkohen familjes sonë të madhe
B.V/ReportTv.al