Sali Berisha thotë se gjendja e grave dhe vajzave në shoqëri është dramatike dhe kjo, sipas tij, ka ardhur nga qeveria e Edi Ramës. Për kreun e PD-së, gjendja nuk ishte e tillë kur ai qeveriste, pasi siç tha ai, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të luftuar pabarazinë, por që u "rrënuan" nga Rama.
Berisha pretendoi se ngushtoi hendekun e pagave mes burrave dhe grave, por kjo ndryshoi sipas tij, me ardhjen në pushtet të socialistëve, duke shtuar se sot vajzat dhe gratë janë më të keqpaguarat në rajon. Sipas tij, roli i tyre bëhet më i vështirë kur në vend sundon narkoregjimi.
"E kam theksuar dhe e theksoj, ne arritëm që, nga një diferencë prej 36% në paga që ekzistonin midis burrave dhe grave, ta ngushtojmë këtë diferencë në 17.8%. Arritëm që, vajzat dhe gratë shqiptare, pabarazinë financiare dhe ekonomike, e cila është një pabarazi jashtëzakonisht e dhimbshme, ne arritëm që këtë pabarazi, jo vetëm ta ngushtojmë, por vajzat dhe gratë shqiptare nuk ishin më më të keqpaguarat në rajon, por ishin më të mirëpaguara në të gjitha vendet e rajonit. Kjo arritje u rrokullis me shpejtësi.", tha Berisha.
Berisha thotë se nënat janë kthyer në kryefamiljare për shkak të largimit të burrave në emigracion dhe se numri i vrasjeve ndaj tyre është në nivele të larta për shkak se nuk janë të mbrojtura. Sipas tij, edhe pse Rama e ka qeverinë me ministre dhe deputete gra, ata nuk janë promotore të të drejtave të tyre. Shkoi edhe më tej duke e etiketuar kryeministrin si "mizogen".
"A e dëgjoni ndonjëherë ju, a i dëgjoni ndonjëherë shqiptarët, këto zonja të nderuara, të shqipërojnë njëherë në parlament fjalën familje, të shqipërojnë në parlament vajzë shqiptare, grua shqiptare, nënë shqiptare. Asnjëherë! Sikur janë të gjitha robot. Nuk ekzistojnë. Shtetërohen në mënyrë të paimagjinueshme. Në vend se të jenë promotorë, avokate të fuqishme të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të grave, rolin e tyre të vërtetë, ato shndërrohen në automatin që i thurin lavde dhe hymne. Kujt? Njeriut më mizogen, kryeministrit më mizogen të Europës.", shtoi ai.
Shënjestroi edhe Ogerta Manastirliun, kandidate për bashkinë e Tiranës, për kohën që ajo ishte ministre e Shëndetësisë.
"Ministre Shëndetësie, për rrjedhojë duhet të jetë një përparësi absolute nga vet ndjesitë e saj, ndjenjat e saj, shëndeti i fëmijëve dhe grave. Janë qëndrimet e saj, e Manastirliut dhe pasardhëses, janë absolutisht në konventa ndërkombëtare, qëndrimet e saj ndaj grave të sëmura me forma malinje sëmundjesh ngjiten në nivele krime kundër njerëzimit. Taksapaguesit paguajnë aparatura moderne. Ato rrinë të papërdorura, ose të prishura vite të tëra dhe nuk mjekohen dot të sëmurat, nuk marrin dot kimioterapi dhe metoda të tjera mjekimi. Çfarë tregojnë kontrollet? Me mijëra e mijëra ilaçe të blera, të skaduara. Një injorim i plotë, një rrënim i një sistemi i cili, nuk është i lehtë të konsolidohet, por është plotësisht e mundshme, dhe këtë e rrënon korrupsioni. Sepse, ministrja paguante 3-4 herë më shpejt të gjitha materialet që blinte në epideminë e Covidit, në pandeminë e Covidit. Ndaj dhe ne, përfunduam në 3-4 kombet me vdekshmërinë më të lartë në Europë dhe në botë.", tha Berisha.
Komente

Seancat parlamentare të këtij krimineli në atë foltore, janë turpi më i madh që iu bë popullit, grave dhe vajzave, qëkur përgojonte të gjitha pa dallim moshe apo pozite sociale!!!!! Ky është kërrmë jo njeri,e jo më prind. Ky është shkatërruesi i demokracisë shqiptare një anti-evropuan i shpallur. Ndërsa Enverit ia mori të keqen, po ashtu dhe ne të gjithëve e të gjithave.
PërgjigjuKur flisni ju për barazi gjinore me as 5-10% gra në lista deputetësh e në qeveri kur keni qenë… të mashtrosh kaq hapur…,pfff…
Përgjigju