Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me qytetarët në Elbasan akuzoi Edi Ramën, se u premton të rinjve 2 kilogram fara kungulli për mandatin që vjen. Berisha gjhithashtu është zotuar se në 100 ditët e para të qeverisjes do të nxjerrë vendin nga mjerimi. Kryedemokrati tha se në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo votre shqiptare varfërinë e skajshme, ndërsa renditi premtimet për ulje të çmimit të energjisë, naftës dhe ujit.
Gjithashtu premtoi rritje pensionesh, rritje të pagës minimale dhe rimbursim 100% të ilaçeve.
"Miqtë e mi, në 100 ditë Shqipëria do ketë listën e ilaçeve që rimburson republika italiane, 100 përqind të rimbursueshme. Zotimi im është për fermerët e Elbasanit dhe Shqipërisë se në 100 ditë do të pesëfishohen subvencionet për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi. Se në 100 ditë, taksa armiqësore asimetrike do të zhduket dhe do vendoset njëlloj në shitje dhe blerje. Se në 100 ditë, prodhimet e tyre bujqësore do mbrohen në çdo sezon. Dhe se do investohet, do dyfishohet buxheti për bujqësinë. Jam këtu për t’u dhënë fjalën se në 100 ditë, në spitalet tona nuk do mungojë asnjë ilaç për të sëmurët tanë. Jo dhe jo. Do mjekohen me dinjitet.
Kush mund të mendonte nga ne se sot do kishim rrethe me 13 lindje në një vit. Do kishim qytete si Erseka me një lindje në vit. A nuk është kjo një hata për të ardhmen tonë? Të gjitha këto erdhën me një moto, le të ikin se do vijnë cingaleshë, bangladeshas, etj. A ka qëndrim më armiqësor se ky? Miq, një shtëpi pa të rinj është shtëpi pa të ardhme. Një shtëpi pa djep është derë e mbyllur nesër. E dëgjoja në Tepelenë, kishte një grup të rinjsh përpara, burreci 2 metra i gjatë, dhe u thoshte se në mandatin tonë të katërt, do keni nga dy kg fara kungulli të qëruar në muaj. Ky është vlerësimi.
Unë u garantoj se edhe pushtuesi më i egër joshqiptar po të ishte, në këtë katastrofë demografike nuk do guxonte kurrë t’u thoshte të rinjve se do u servirim mandatin e ardhshëm dy kile farë kungulli në muaj.
Pra, ky është preokupimi. Duke ardhur këtu, një zonjë te kthesa më përshëndeti me grusht. E përshëndeta me dy gishta. Tani më lejoni t’i them asaj zonje: zonjë, ne mund të kemi mendime të ndryshme, por ne kurrë, as unë as ti, nuk mund të jemi për djepin bosh. Nuk mund të jemi që të ikë rinia, ëndrra e Shqipërisë dhe të mbetemi këtu në këtë formë.
Komente
