Kreu i PD, Sali Berisha zhvilloi mbrëmjen e së martës një takim me banorët në Klos, ku vijoi sulmet ndaj qeverisë Rama. Ai tha se kryeministri ka diskriminuar veriun dhe se për të nuk do të bëhej kurrë rruga e Arbrit. Kreu i PD shtoi gjithashtu se nëse do të vijë në pushtet s’do të lejojë që të vihet taksë në këtë rrugë.
“E ka diskriminuar, ua them unë, se kot nuk mund ta akuzoja kurrë. Ai është një njeri që trashëgon urrejtje për veriun, sepse e kanë patur baballarët e tij atë urrejtje dhe me radhë. Por, çfarë mudn t’ju them për këtë. Ai, edhe jugun. Paratë i ka çuar atje, por ai ka vjedhur, nuk ka investuar për qytetarët. Jo, absolutisht! Në mënyrë absolute, Rruga e Arbrit për Edi Ramën nuk bëhej kurrë, ta dini këtë. Se, nuk thotë dot 1 kilometër rrugë të re që ka hapur në të gjithë zonën e veriut, 1 kilometër, po jo më të hapte Rrugën e Arbrit. “
Sulmoi edhe kandidatin socialist Agron Malaj, duke thënë se është pasuruar teksa drejtonte bashkinë e Matit.
“Ky Agron Malaj, para disa vitesh, ky ishte oficer në organet e rendit apo të Gardës së Republikës. Sot ky, është njeriu më i pasur i Matit dhe ju siguroj se, atë pasuri, së bashku me vëllain e tij, Fatosin, e ka qindarkë për qindarkë të vendosur vetëm nga korrupsioni shtetëror, nga tenderat, që normalisht nuk duhet t’i fitonte kurrë në shtet.”
U ndal edhe te raporti i Ramës me Noizyn dhe Lamborghinin e këtij të fundit, teksa tha se kryeministri mburret me luks.
“Këta njerëz kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore dhe çdo ndjeshmëri ndaj halleve tuaja. Ua thashë edhe në Dibër. Pro kur merr e u tregon qytetarëve Lamborghinin e Noizit, çfarë është ajo? E di çfarë është ajo? Është shumë e rëndë ajo. Është mburrje me luks. Këta, janë një racë që kanë humbur çdolloj ndjeshmërie. Dhe politikani që mburret me luksin, është politikani më i keq. Politikani dhe luksi nuk janë kurrë të pajtueshëm njëri me tjetrin. Edhe po qe i pasur para se të bëhet politikan, pasi bëhet politikan e shmang luksin.”
Berisha përsëriti më tej akuzat se Rama është përpjekur ta lërë vendin pa opozitë.
Komente
