Politikë

Berisha nga Puka: Me Ramën nuk shkohet në Europë, 11 maji betejë kundër hajdutëve! Asnjë votë ‘opozitës së re’, patericë e PS

21 Prill, 13:14| Përditesimi: 21 Prill, 16:52

  • Share

Grave dhe vajzave, që kundërshtari i tij politik i sheh si aleatet kryesore në këto zgjedhje, Sali Berisha u kërkoi nga Puka ta ndëshkojnë me votë Edi Ramën.

 “Pukjane të mençura dhe shqiptare të mençura, dëgjojeni se si shkon, kalon nga takimi në takim me një gjuhë që nuk po e them më, por e dini vetë ju, në të cilat përpiqet të denigrojë familjen shqiptare.  Atë thirrje të tij nuk e pranon asnjë burrë, asnjë grua. Jam i bindur që nënat, motrat, gratë shqiptare do i japin atij më 11 maj (e thotë 12 maj) atë që meriton më shumë se kushdo tjetër", tha Berisha. 

Berisha sulmoi qeverinë Rama duke e akuzuar se ka shpopulluar vendin. Teksa foli për programin e tij elektoral, tha se gjatë qeverisjes së tij, shqiptarët kishin rrogat më të larta në rajon, por shtoi se me ardhjen në pushtet të Ramës, këto vende na tejkaluan.

“Miqtë e mi, këto 12 vite ishin vitet e një rrokullisje shumë të rëndë, shumë të pamerituar. Në vitin 2013, pukjanët, shqiptarët nuk kishin rroga të larta, por ama i kishin më të larta se 6 kombet e tjera të rajonit. I kishin më të larta edhe se rumunët dhe bullgarët. Në këto 10 vite, ata na tejkaluan ne 3 herë me pensione dhe na tejkaluan rreth dy herë me rroga. Por jo vetëm kaq se kjo është vetëm njëra anë e zezë e medaljes së kësaj qeverisje. Ana tjetër po kaq e zezë e kësaj medalje, se këta burra dhe gra, me këto pensione dhe rroga, më të ulëtat në rajon, duhet të shkoni në dyqane për të blerë mallra me çmimet më të shtrenjta. Gjatë këtyre 10 viteve, çmimi i ushqimeve u dyfishua.  Dhe sot, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, pensionisti me 143 mijë lekë pension, duhej të kishte një pension 390 mijë lekë. Pra duhej të kishte një pension minimumi 2 herë e gjysmë më të lartë. Po kështu rrogë ulëti. Po kështu rrogëtari me rrogë të mesme. Çfarë ndodhi? Si ne ramë në këtë mënyrë? Pse të tjerët na tejkaluan me pensione tre herë?”, tha Berisha.

Teksa përsëriti premtimin se s’do të ketë më pensione nën 200 euro, Berisha premtoi edhe një pagë minimale 500 euro, duke ‘kopjuar’ premtimin e kryeministrit Rama që një gjë e tillë do të realizohet në fillim të vitit që vjen.

“100 ditët e para, jam këtu për t’u dhënë fjalën e nderit se në Pukë, se në Shqipëri nuk do ketë pension nën 200 euro. Nuk do ketë ndihmë ekonomike nën 200 euro. Nuk do ketë pagesë papunësie nën 200 euro. Pensionet e tjera do rriten me 20 përqind dhe rroga minimale do kalojë në 500 euro. Çfarë bëjmë ne me këtë? Ne me këtë u kthejmë paratë ju? U kthejmë paratë qytetarëve se paratë janë tuajat. Dhe jo vetëm kaq, por çdo pensionist dhe çdo rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit. Kjo do të thotë se ushqimet dhe gjërat bazë do i blini me 20 përqind më pak çmimin. Do merrni mbrapsht TVSH-në.”, u shpreh Berisha.

Ai sulmoi kryeministrin Rama dhe tha se me të nuk mund të shkohet në Evropë, duke thënë se “me Edi Ramën nuk shkohet kurrë në Europë. Me Edi Ramën, mbi 1 milion e 99 mijë shqiptarë ikën nga Shqipëri dhe morën në Europë, pasaportën evropiane.” Sipas tij, 11 maji do të jetë beteja kundër hajdutëve. 

“Kryeministri i vendit nuk do mund të udhëtojë më me avion në dispozicion. Jo, do udhëtojë si ju me avionë të linjave të zakonshme. Por të shpenzosh 21 milionë euro për dy vite në 140 udhëtime, do të thotë se je i pashpirt, do të thotë se ka të verbuar luksi dhe pasuria dhe nuk të bie ndërmend se ekzistojnë qytetarët dhe hallet e tyre. Nuk do të hapë kurrë kryeministri shishe vere 33 mijë euro. O miq, shishen e tillë e hap një njeri pa moral, i cili nuk ngurron për të blerë Kopshtin e Edenit në oborrin e pasëm të kryeministrisë 5 milionë euro, të cilin nuk e ka blerë as mbreti i Anglisë, as perandori i Japonisë, as presidenti i SHBA apo kancelari i Gjermanisë. E blen kryeministri i vendit më të varfër, i qytetarëve me rrogat më të ulëta, i pensionistëve me pensionet më të ulëta. E blen se është i biri i të atit, i cili i urren njerëzit.”, tha Berisha.

Refuzim kërkoi edhe për partitë e reja, të cilat ndonëse kanë dalë nga radhët e opozitës, i konsideron si me mision për të përçarë votat opozitare.

"Asnjë votë për partitë që rrahin gjoksin si opozitë e opozitës. Ata janë patericat e Edi Ramës", tha Berisha. 

Pukës, kryedemokrati i premtoi 3 fishim të prodhimit të energjisë përmes turbinave të erës dhe paneleve fotovoltaike me financim të shtetit, rritje të numrit të krerëve të bagëtive, pesë-fishim të subvencioneve për fermerët si dhe tunelin Reps-Gjegjan.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?