Kryetari i PD-së tha në fjalën e tij para mbështetësve në Kashar-Vorë se arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar, teksa shpalosi edhe programin elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai premtoi “çati për çdo çift” të ri, kredi të buta, ndihmë financiare për fëmijën e tretë të familjeve, shkolla e rrugë të reja, si dhe paga për mësuesit në 1500 euro.
“Një çati për çdo çift. Do japim kredi për çiftet e reja, 30 mijë euro për shtëpitë me kredi të buta. Për fëmijën e tretë shpenzimet i heq qeveria. Do mbështesim të rinjtë, do rrisim rrogat dhe pensionet. Rroga më e ulët do jetë 500 euro, pensione 200 euro, minimum jetik 200 euro. Ndihmë për studentët dhe nxënësit, arsimi është në rrokullisje. Në periudhën 2006-2013, fëmijët tanë në teste arsimore dolën me ngjitje vertikale, kurse pas 2013-ës ata erdhën me rënie galopante, sepse iu vodhën kompjuterat, sepse sot në shkolla shqiptare ka vetëm 5% internet. Garantoj se fëmijët do kenë shkollat më të mira, teknologjia dixhitale do zbatohet në çdo shkollë, mësuesi do jetë në piedestal, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro”, u shpreh kreu i selisë blu.
Më tej ai përshkroi gjendjen e mjeruar në shëndetësi, ku spitalet janë pa mjekë dhe mungojnë ilaçet.
“Sistemi i shëndetësisë sot ka degraduar në shkallë ekstreme. Isha në Kukës, spitali i ri, 3 mln euro, asnjë mjek, asnjë shërbim. Nëse ka një emergjencë shëndetësore, merren doktorët në Kosovë në telefon për të ardhur e bërë operimet. Ilaçet do rimbursohen, sikurse vendet e zhvilluara, si në Itali, do kenë të njëjtën listë ilaçesh, si vendet e zhvilluara. Çmimin e kësaj të keqeje e paguani ju, fëmijët tuaj marrin rrugët e dheut, Shqipëria pakësohet çdo ditë dhe më shumë. Buxheti përqendrohet në duart e një grupi njerëzish, i ndajnë paratë me grupet e veta, me organizatat e tyre, kurse të tjerët marrin rrugët. 11 maji është ditë shumë e rëndësishme, ku me votën tonë firmosim ndryshimin me rëndësi vendimtare”, theksoi ai.
Lajmi kryesor:
Berisha: Grupet kriminale që prekin votën do i shpall organizata terroriste! Rama shan burrat për të spostuar vëmëndjen! Reformë e re Territoriale, Kashari bashki
A.Q/r.k./ReportTv.al